Përgjysmohen investimet në Republikën e kapur
Mungesa e sundimit të ligjit, shkalla e lartë e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të shoqëruar me zhvatjen ndaj bizneseve për shkak të moskrijimit të kushteve për të bërë biznes, janë vetëm disa nga faktorët që e kanë bërë Kosovën një shtet pa perspektivë për joshjen e investimeve të huaja. Në bazë të të dhënave të BQK-së, mësohet se vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2016 investimet e huaja janë përgjysmuar krahasuar me vitin 2015.
Pushteti i inkriminuar, pengesë serioze për investitorët
Mungesa e sundimit të ligjit, shkalla e lartë e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të shoqëruar me zhvatjen ndaj bizneseve për shkak të moskrijimit të kushteve për të bërë biznes, janë vetëm disa nga faktorët që e kanë bërë Kosovën një shtet pa perspektivë për joshjen e investimeve të huaja. Në bazë të të dhënave të BQK-së, mësohet se vetëm në 6-mujorin e parë të vitit 2016 investimet e huaja janë përgjysmuar krahasuar me vitin 2015.
Ndërkaq, porosia e deputetëve të opozitës dhe ekspertëve të ekonomisë është se me këtë qeveri dhe pa luftën e mirëfilltë ndaj korrupsionit, zhvatjes, kontrabandës dhe informalitetit dhe pa sundim të ligjit, investime të huaja direkte nuk do të ketë. Në raportin e stabilitetit financiar të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) thuhet se vlera e Investimeve të Huaja Direkte (IHD), të pranuara në Kosovë deri në qershor 2016, rezulton të jetë përgjysmuar në 84.8 milionë euro, nga 161.7 milionë euro sa ishte në qershor të vitit paraprak.
Deputeti nga opozita, Bali Muharremaj (AAK), thotë se kemi pasur një rënie të investimeve huaja direkte në Kosovë gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti.”Këto shifra të rënies së investimeve janë alarmuese dhe ato janë një tregues se Kosova nga dita në ditë është duke u bërë një shtet pa perspektivë edhe për shkak të paqëndrueshmërisë politike, por edhe nga moskrijimi i kushteve për të bërë biznes, për të thithur investime të huaja”, ka potencuar ai.
Sipas deputetit Muharremaj, kjo është një shenjë se në Kosovë nuk do të ketë rritje të punësimit për sa kohë nuk kemi një ambient të përshtatshëm për të thithur investimet e huaja, shkruan gazeta Kosova Sot.
Korrupsion alarmant dhe abuzime të shumta
Eksperti i ekonomisë dhe ligjëruesi universitar, Muhamet Sadiku, tha për “Kosova Sot” se e tërë barra e kësaj gjendje bie mbi MTI-në dhe Qeverinë e Kosovës që është prodhuesi më i madh i politikave investive në Kosovë.”Një rënie kaq e madhe e investimeve të huaja është tregues se diçka nuk po funksionon në kuptimin e thithjes së investimeve të jashtme, duke pasur parasysh se pritjet janë shumë të mëdha dhe shpeshherë edhe dëgjojmë deklarata të pabaza, duke thënë se Kosova është bërë një destinacion i investimeve të huaja”, theksoi ai. Sadiku tha se duhet veçuar nivelin e korrupsionit llogaridhënies abuzimeve për dështimet e shumta që mund të ndodhin me ndërmarrjet publike.”Ky trend i rënies së investimeve vërtet duhet të jetë shqetësues dhe një sinjal se duhet bërë diçka se duhet ndryshuar diçka në mënyrë që Kosova të lundrojë në një stabilitet dhe të bëhet një vend pa afera korruptive pa lajme të këqija ku mbizotëron transparenca dhe lufta kundër korrupsionit një vend i qeverisjes efektive dhe transparente”, ka thënë më tej ai. Sadiku mendon se mbetet për të bërë mjaft në të dyja nivelet qendror dhe atë lokal.
Të nxjerrin mësime nga rajoni
Sipas Sadikut, investitorët përballen me pengesa të mëdha dhe së këndejmi është koha e fundit që Qeveria dhe MTI-ja të ndalen e të analizojnë njohuritë e pavarura dhe të ndërmarrin iniciativa të shumta që më në fund Kosovën ta ekspozojnë para faktorëve të jashtëm.
Sipas tij, duhet shikuar bizneset e jashtme me shtetet që na rrethojnë, pra me shtetet e Ballkanit perëndimor me Shqipërinë Maqedoninë, Malin e Zi dhe B. e H., në mënyrë që të nxirren përfundime relevante dhe duhet pranuar se ardhja e investitorëve është e ndërlidhur me funksionimin e shtetit ligjor dhe realizmit të reformave në tërësi që duhet t’i zbatojë Kosova në tërësi.”Duhet të prodhojmë politika ekonomike që do t’i adresojnë këto barriera se vërtet Kosova të bëhet një vend miqësor për investime, një vend i cili do të jetë atraktiv për investitorë të jashtëm dhe krejt kjo mund të shndërrohet me një rritje ekonomike për vendin me punësim më produktiv dhe përmbushje të kritereve si vend që jemi në procesin e përafrimit me BE-në”, theksoi Sadiku.
Pasiguri e madhe ligjore për investitorët
Bankieri Milazim Abazi, për gazetën “Kosova Sot” tha se Kosova është duke e ballafaquar me korrupsion të lartë në administratën shtetërore, me kontrabandë dhe informalitet të theksuar, me mos sundim të ligjit dhe pasiguri politike për shkak të negociatave të tejzgjatura me Serbinë. “Asnjë nga këto çështje nuk po kanë zgjidhje që një kohë të gjatë, kështu që investimet e huaja direkte nga viti në vit po zvogëlohen”, tha ai. Ndaj sipas Abazit, në Kosovë nuk po vijnë investitorë të rinj, por më e keqja edhe këta që janë po ikin çdo ditë drejt vendeve tona fqinje.”Edhe investimet e deritashme të huaja kryesisht kanë qenë në fushën e ndërtimit – blerjes së banesave dhe lokaleve afariste nga diaspora jonë. Këto investime nuk sigurojnë rritje të qëndrueshme ekonomike”, theksoi Abazi. Ai porositi se pa një luftë të mirëfilltë ndaj korrupsionit, kontrabandës dhe informalitetit dhe pa sundim të ligjit, investime të huaja direkte nuk do të ketë, qoftë edhe investime të diasporës./kosova sot/


