Përgjegjësinë për Gjilanin e ka Hashim Thaçi

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk e ka bërë të ditur emrin e kandidatit të saj për kryetar të Komunës së Gjilanit për zgjedhjet lokale që do të mbahen sivjet, më 3 nëntor. Dy kandidatët më të përfolur të mundshëm për këtë komunë janë kryetari aktual, Qemajl Mustafa, dhe deputeti Zenun Pajaziti, që njëherazi është edhe kryetar i Degës së PDK-së në Gjilan.
Në një intervistë për KosovaPress, Mustafa ka thënë se procesi i përcaktimit të emrit të kandidatit po zvarritet nga qendra e cila po krijon një mjegullnajë të panevojshme në këtë aspekt, pasi subjektet tjera politike tashmë i kanë bërë të ditur emrat e kandidatëve të tyre.
Megjithatë, sipas tij, cilido që të jetë vendimi, përgjegjësinë më të madhe për garën në Gjilan do ta ketë Hashim Thaçi, të cilit do t’i duhet të vendos midis tij, me të cilin ka fituar dy herë radhazi zgjedhjet në Gjilan, apo ndonjë emri i cili s’ka bërë asnjë kontribut, qoftë edhe më të voglin për degën e PDK-së në Gjilan dhe as për elektoratin kësaj ane.
Ai nuk e quan si shumë të drejtë përpjekjen për ta kontrabanduar për këtë garë emrin e Zenun Pajazitit, siç ndodhi edhe me rastin e zgjedhjes së tij në krye të Degës së PDK-së në Gjilan.
Nëse do të rikandidohej si kryetar i kësaj partie, Mustafa ka thënë se do bëhej mbi një marrëveshje, e cila do të përmbante disa kushte, kjo pasi gjatë dy herëve të mëparshme, përkundër fitores së PDK-së, Gjilani është injoruar në vazhdimësi nga Qendra e cila nuk ka ofruar hapësirë përfaqësimi të kësaj ane në institucionet qeverisëse në Prishtinë, por as nuk ka mbështetur projektet investuese të Gjilanit. /Telegrafi/