Përfundon takimi i opozitës, Haradinaj thotë se pati vetëm konsultime

Kreu i VV’së, Visar Ymeri dhe bashkëpartiaku i tij, Albin Kurti kanë qenë të parët që kanë dalë nga selia e AAK’së, pas takimit me nikoqirin Ramush Haradinaj dhe të parin e NISMA’s, Fatmri Limaj.
Takimi i liderëve dhe zyrtarëve tjerë të tri partive opozitare, në AAK, ka përfunduar, pas gati një ore e gjysmë diskutim.
Asnjeri nga ta nuk ka pranuar të prononcohet për media. Përjashtuar, liderin e AAK’së, Ramush Haradinaj i cili i tha shkurt Gazetës Express: “Ishte takim pune, konsultë për temat që vinë”.
Por, ai nuk specifikoi nëse janë diskutuar përçarjet mes VV’së, AAK’së dhe NISMA’s, e as për datën e protestës e cila, të premten, u shyte për në kohë të pa caktuar.
___
Liderët opozitarë, Ramush Haradinaj, Visar Ymeri dhe Fatmir Limaj, po zhvillojnë një takim në zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj, i cili ka pohuar se takimi tanimë është duke u zhvilluar dhe se temë diskutimi, është kundërshtimi i mëtutjeshëm opozitar.
“Po takimi është duke u zhvilluar. Ndërsa tema është kundërshtimi i mëtutjeshëm opozitar“, ka thënë Nitaj.
___
Opozita do të takohet gjatë kësaj jave për të vendosur për hapat e mëtutjeshëm. Kështu ka thënë për Gazetën Blic zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi.
“Gjatë kësaj jave opozita do të takohet dhe do të diskutojë rreth zhvillimeve të fundit brenda opozitës”, ka deklaruar ai.
Megjithëkëtë, ai ka thënë se nuk mund të saktësohet ende se a do të vendoset për protestën e radhës në këtë takim.
“Nuk mund të themi qysh tash nëse do të merret vendimi për datën e protestës ose jo, por ajo çka do të diskutohet janë zhvillimet në opozitë dhe koordinimi për vazhdimin e bashkëpunimit të mëtutjeshëm”, ka shtuar Krasniqi.
Ndërsa sa i takon asaj që tha dje AAK-ja, që kjo parti është e gatshme të protestojë edhe pa Vetëvendosjen, Krasniqi nuk ka dashur ta komentojë. Por, ka theksuar se opozita duhet të zgjerohet, duke u përfshirë edhe shoqërinë civile, me qëllimin e vetëm, që siç ka thënë ai, të sillet një alternativë.
“Unë nuk dua ta komentoj deklaratat e AAK-së, por si Lëvizje mendojmë që është shumë e rëndësishme që opozita të konsolidohet edhe më shumë dhe të zgjerohet duke përfshirë edhe shoqërinë civile. Pra të prezantojmë një alternativë qytetare, që do të vihej përballë regjimit antidemokratik dhe antikushtetues”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo alternativë do të rezultonte me protesta edhe më masive.
Ndryshe, Opozita pati paralajmëruar protestë për 26 mars, mirëpo pas një takimi që patën liderët e partive opozitare, protesta qe shtyrë për një ditë tjetër, duke mos u caktuar ende.
Nga ana tjetër, AAK-ja deklaroi dje, se po qe se është nevoja, kjo parti është e gatshme të protestojë edhe pa Lëvizjen Vetëvendosje./GazetaBlic/