Uji Dea

Përfundon pa marrëveshje takimi – bisedimet vazhdojnë të mërkurën

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Takimi ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Dacic, i cili për temë ka pasur planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit, ka përfunduar për të vazhduar të mërkurën.

Thaçi është shprehur optimist se bisedimet e nesërme do të përfundojnë me dakordim në mes të palëve.

“Ka qenë një takim, për të cilin besoj se nesër (të mërkurën) do të përmbyllet me pajtimin për implementimin e marrëveshjes së muajit të kaluar. Besoj se nuk do të humbim kohë. Jemi të vendosur që të arrijmë marrëveshje dhe të fillojmë zbatimin në terren. Definitivisht, kjo marrëveshje do të shënojë një hap përpara për normalizimin e marrëdhënieve tona dhe perspektivën evropiane të vendeve dhe popujve tanë”, ka thënë Thaçi.

Homologu i tij serb, Ivica Dacic, nuk është prononcuar për gazetarët.

Takimit të dy kryeministrave, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, i kanë paraprirë bisedimet veç e veç të baroneshës me Dacicin dhe Thaçin, të cilat kanë zgjatur më shumë seç ka qenë e paraparë.

Marrëveshja e 19 prillit është e para në mes të palëve, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por zbatimi i saj ka ngecur.

Në BE theksojnë se koha po skadon dhe se duhet të arrihet sa më parë pajtimi për zbatim.

Implementimi është kyç, si për Prishtinën, ashtu edhe për Beogradin, që të shënojnë përparime në procesin e integrimit evropian. /Telegrafi/

———————————————-

Ashton, Thaci e Dacic në darkë pune

Ka filluar takimi i përbashkët ndërmjet Baroneshës Catherine Ashton , kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministrit serb Ivica Dacic.

Eco Higjiena

Ashton, para këtij takimi ka mbajtur takime bilaterale me palët në përpjekje për të gjetur një zgjidhje rreth çështjes së implementimit të marrëveshjes.

“Takimi i përbashkëti i Përfaqësueses së Lartë me Kryeministrin Thaçi dhe Kryeministrin Ivica Dacic ka filluar. Ata po takohen në një darkë pune”, ka njoftuar zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijancic. /Telegrafi/

—————————————————

Thaçi në takim me Ashton

Në Bruksel po zhvillohet takimi ndërmjet përfaqësueses për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton dhe kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Një takim të ngjashëm, baronesha Ashton ka mbajtur edhe me kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic.

Takimet e tilla u paraprijnë bisedimeve trepalëshe, të cilat pritet të shqyrtojnë planin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit. /Telegrafi/

———————————————-

Thaçi: Do të arrihet marrëveshja

Pak çaste para fillimit të takimeve dypalëshe në Bruksel, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se është optimist se do të arrihet marrëveshja për implementim.

“Jemi këtu për të finalizuar implementimin e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin baroneshës Ashton. Jam optimist se marrëveshja do të arrihet, koha po ecën, nuk kemi kohë për të humbur. Kemi për të implementuar dhe diskutuar çështjet edhe kohore edhe të aktorëve implementues”, i ka thënë KTV-së kryeministri Thaçi. /Telegrafi/