Mobi Casa

Përfundon kampionatin Liga Shqiptare e Futbollit

/ 5 minuta lexim
KKVITI

Në fshatin Prottes, periferia e Vjenës, Liga Shqiptare e Futbollit përfundoi me sukses garat, të dytat me radhë në Austri. Tani me përvojë, çdo gjë ishte mirë e planifikuar nga organizatorët e Ligës, futbollistët dhe veprimtarët.

Shiu i vjeshtës nuk ka penguar aq shumë rrjedhën e garave, ku morën pjesë mes tjerash edhe ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli dhe Dr.Sabri Kiqmari, ambasador i Republikës së Kosovës në Austri, Anton Marku, këshilltar i parë në Ambasadën e Kosovës dhe mysafirë vendës.

Ndërsa në fjalën e tij ministri i Diasporës, Makolli, i ka përgëzuar organizatorët e këtij manifestimi festiv të futbollit.

“Kam ardhur me kënaqësi të shoh talentet e reja të futbollit që po shkëlqejnë gjithandej botës në këtë kuadër edhe këtu në Austri, ku talentet po u bëjnë nder shqiptarëve kudo që janë. Do të dëshiroja që këta ta vazhdojnë rrugën e Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës, e shumë të rinjve futbollistë të talentuar”, tha Makolli.

Në vazhdim fjalën e rastit e mori Dr.Sabri Kiqmari, ambasador i Kosovës në Austri.

“Në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës ju përshëndes përzemërsisht. Liga Shqiptare e Futbollit në Austri është njëra nga organizimet tona më funksionale këtu. Jam krenar me ju dhe gjithë stafin e juaj që nga lojtarët, trajnerët, gjyqtarët. Ju dëshiroj suksese në mbajtjen e këtij hapi pozitiv edhe në vitet e tjera. Gjithashtu, ekipi i parë shqiptar „Albania“ në ligën rajonale të vendit do ta ketë përkrahjen time të vazhdueshme. Urime skuadrës kampione ‚Vllaznimit’,“ tha Kiqmari.

Ndërsa kryetari i FSH të Futbollit në Austri, Qani Sulejmani, ka vlerësuar lart të gjithë ata të rinj që e përkrahën Ligën shqiptare.

“Shpresoj se ky bashkëpunim yni me të gjithë të interesuarit dhe përkrahësit tanë do vazhdojë edhe në të ardhmen. Porosia ime është për ata të rinj që nuk ishin pjesë jona të na bashkëngjiten dhe le të shikojnë nga rezultatet e këtyre të rinjve sot këtu”, tha Sylejmani.

Ai e falënderoi në vazhdim gjithë stafin që i dha jetë Ligës, gjyqtarët, anëtarët e komisioneve, trajnerëve, lojtarëve, e në veçanti donatorët.
Paraqitjen komunikuese me publikun rreth ecurisë dhe programit e udhëhoqi veprimtari me përvojë dhe sekretari i Ligës, Januz Saliuka.

Mobi Casa

Ai në veçanti e përshëndeti Walter Danis, menaxher i stadiumit, i cili gjithmonë gjeti mirëkuptim ndaj kërkesave të tyre. Dhe në shenjë nderimi atij iu nda mirënjohje.

Rreth disiplinës dhe rrjedhës së garave raportin e paraqiti veprimtari Halil Jashari, arkëtar i Ligës.

“Garat sollën kampionin e këtij viti, ekipin e futbollit „Vëllaznimi“, i cili grumbulloi 52 pikë nga ndeshjet e zhvilluara gjatë kampionatit.

Nënkampione doli KF “Struga“ me 41 pikë, e pasuar nga KF „Megi“ (34), „Timi“(34), “Shqiponja” (33), “Lahuta e Malësisë”(29), “Afrim Zhitia” (13), “Mërgimi” (11), “Bish” (8) dhe në fund ekipi “Gostivari” me 6 pikë. Për fituesit u ndanë kupa dhe medalje.
Futbollisti më i mirë i ligës ishte Ambroz Malaj, i ekipit të „Vëllaznimit“. Lojërat u karakterizuan me një disiplinë të lartë dhe respekt të ndërsjellë”.

Ekipi më i disiplinuar u shpall FC „Timi“, i menaxhuar nga Mexhid Bislimi. Komisioni disiplinor i përbërë nga Pal Lekaj, Rrustem Rrustemi, Robert Gjini, Musa Tahiri e Ridvan Limani nuk pati shumë punë në ndëshkimin e shkelësve të rregullores së garave.

Haki Ramadani, fiziatër i përfaqësueses së LShF-së, ishte krenar me ecurinë e kampionatit. Po ashtu gjyqtarët Avdullah Avdullahu e Xhevat Xhemajli u shprehën me optimizëm edhe për të ardhmen se lojërat do jenë brenda rregullave dhe respektit të ndërsjellë. Golashënuesi më i mirë ishte Mendim Maloku, me 28 gola (KF „Timi”).

Një ndihmë të madhe në komunikimin elektronik dha Amir Jonuzaj, i cili mbikëqyr faqen e internetit, komunikimin e informimin. Solokëngëtari i njohur Nikollë Gjini këndoi këngë nga melosi popullor e argëtues, duke e bërë ambientin vërtet festiv.

Meloditë vallëzuese në fushën e gjelbër u shoqëruan me vallëzimet e motrave Edmonda e Rajmoda Spaqi, dy talente në recitim e vallëzim që ndritnin fushën me kostumet kombëtare.

Ditën akoma më madhështore e bënë gatimet e grave të vyera shqiptare nga kuzhina tradicionale. Torta e përfundimit u nda në qindra pjesë, duke ëmbëlsuar shpresën tonë për nesër.