Fundamenti

Përfshirja e komuniteteve lokale e përmirëson sigurinë publike në Kosovë

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean Claude Schlumberger tha të premten në Gjilan se vet fakti që po themelohen më shumë Komitete Lokale të Sigurisë Publike është një dëshmi që përfshirja e komuniteteve lokale, dialogu ndër-komunitar dhe bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve lokalë, policisë, shkollave dhe zyrtarëve komunalë është një mënyrë e mirë, nëse jo më e mira, për ta përmirësuar sigurinë publike në Kosovë.

Tridhjetë e tri (33) Komisione Lokale për Siguri Publike (KLSP) kanë mbajtur të premtën në Gjilan takimin e 9 të të këshillit ekzekutiv për të koordinuar punën e tyre dhe për të ndarë praktikat më të mira në bashkëpunimin me palët e interesit lokal dhe ndërkombëtarë.

KLSP-të, që mbështeten nga OSBE-ja, përbëhen nga pjesëtarë të komuniteteve lokale, policë, zyrtarë komunal, si dhe përfaqësues të shkollave, grave dhe rinisë të cilët punojnë së bashku për të ndihmuar në përmirësimin e sigurisë së komunitetit dhe cilësinë e jetesës.

Në këtë takim ishte edhe shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean Claude Schlumberger, Ambasadori norvegjez Jan Braathu, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Kosovës, Naim Rexha dhe Omer Daku nënkryetar i Gjilanit.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean Claude Schlumberger tha se takimi i sotëm është shumë i veçantë sepse na janë bashkuar katër Komitete Lokale të Sigurisë Publike nga Fushë Kosova, Istogu, Vushtrria dhe Gracanica. “Fakti që po themelohen më shumë Komitete Lokale të Sigurisë Publike është një dëshmi që përfshirja e komuniteteve lokale, dialogu ndër-komunitar dhe bashkëpunimi ndërmjet përfaqësuesve lokalë, policisë, shkollave dhe zyrtarëve komunalë është një mënyrë e mirë, nëse jo më e mira, për ta përmirësuar sigurinë publike në Kosovë” ka thënë Schlumberger.

Hidromorava

Sipas tij projektet siç është ai për krijimin e lidhjeve ndërmjet të rinjve nga komunitetet e ndryshme në komunat e Vitisë dhe Kllokotit, ose aksioni për pastrim në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, adresojnë brengat e përditshme jetësore të njerëzve dhe efektet e tyre janë pozitive, të prekshme dhe të menjëhershme. “Kjo është ajo që ju po e bëni dhe kjo është arsyeja pse takimi i sotëm çon peshë. Të parat Komitete Lokale për Siguri Publike janë themeluar në vitin 2006. Falë entuziazmit tuaj dhe mbështetjes së ofruar nga OSBE dhe organizatat tjera donatore, siç është Ambasada e Norvegjisë, sot ne kemi 33 Komitete Lokale të Sigurisë Publike në Kosovë. E gjithë puna juaj për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetet tuaja lokale dhe përkushtimi e përpjekjet tuaja meritojnë lëvdata” tha shefi i OSBE-së.

Ai tha se takimi i sotëm është mundësi për ne të gjithë që të shkëmbejmë përvoja, mësojmë nga njëri- tjetri, koordinojmë punën tonë dhe të bëjmë plane për të ardhmen.

Izmi Zeka ndërkaq e ka vlerësuar lartë punën e këtyre komisioneve lokale publike derisa ka thënë se në Gjilan është arritur e bërë mjaft në avancimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve pa dallim.

Kurse Omer Daku, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, tha se në Komunën e Gjilanit kemi një klimë shumë të mirë në mes të të gjitha komuniteteve dhe se komuna e Gjilanit mund të merret si shembull. Daku po ashtu përshëndeti edhe hapat që ka ndërmarre MPB me rastin e nxjerrjes se udhëzimit të ri administrativ për KKSB dhe se në atë udhëzim është përcaktuar edhe përbërja e këtij këshilli dhe se edhe aty është bërë tani një ndërlidhje e plotë në mes të mekanizmave përkatës të kësaj fushe.

Daku tha se KKSB në Gjilan ka hartuar edhe strategjinë e saj të cilën e ka aprovuar edhe në Kuvendin Komunal./rajonipress/