Përçahet opozita

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Darka që Baronesha Catherine Ashton shtroi për Kryeministrin Hashim Thaçi dhe atë të Serbisë, Ivica Dacic, ka përçarë opozitën kosovare. Lëvizja Vetëvendosje goditi LDK’në dhe AAK’në në Parlament për bashkëpunim me Qeverinë në procesin e dialogut. Zyrtarët e PDK’së nuk hynë në këtë debat, por thanë se marrëveshjet e arritura do të fillojnë të zbatohen shumë shpejt.

Tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës janë kapur mes vete se kush po kundërshton dhe kush po përkrah më shumë takimet e Kryeministrit Hashim Thaçi me Ivica Dacicin.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e vetme për të kundërshtuar takimin e dytë të Kryeministrit të Kosovës dhe atij të Serbisë, që u zhvillua një ditë më herët.

Në emër të VV’së, Glauk Konjufca i ka quajtur LDK’në dhe AAK’në nënshtruese ndaj Qeverisë dhe Hashim Thaçit.

Në seancën e Kuvendit, Konjuca ka përdor figurën e ujkut dhe lepurit për t’u treguar dy partive opozitare se kujt ia kanë lënë në dorë dialogun.

“T’ia besosh këtij njeriu mbrojtjen e interesit të Kosovës është sikur t’ ia besosh ‘ujkut se do të i ruajë delet’. Kësi opozite do të kishte ëndërruar lider qeveritar autoritar, tipi i Llukashenkos, një opozitë që e përkrah Qeverinë bllanko dhe gratis. Opozitë e cila nuk e sfidon Qeverinë, por i nënshtrohet asaj”, ka thënë Konjucfa në seancën e Kuvendit.

Debatit i është bashkuar edhe Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili ka kundërshtuar deputetin e VV’së sa i përket ndihmës së opozitës për dialogun me Serbinë. Ai ka thënë se opozita nuk i ka kryer shërbime gratis pozitës.

Partia e Isa Mustafës dhe ajo e Ramush Haradinajt i kanë dhënë mbështetje dialogut me Serbinë dhe kanë votuar edhe Rezolutën në Kuvend për këtë qëllim.

Këto dy parti nuk kanë lëshuar ndonjë qëndrim të ri edhe pas takimit të fundit mes Hashim Thaçit dhe Ivica Dacicit, por se takimin e parë e kanë mbështetur krejtësisht.

Megjithëkëtë, ndaj akuzave të Vetëvendosjes ka reaguar vetëm LDK’ja, ndërsa deputetët e AAK’së kanë heshtur.

Ismet Beqiri ka thënë se deklaratat e Vetëvendosjes janë fyese dhe të pavërteta.

“Dola të reagoj për një diskutim edhe spekulativ edhe fyes, edhe të pavërtetë që u bë nga zotëri Konjufca”, ka thënë Beqiri.

Ai ka kërkuar nga Partia e Albin Kurtit të mos i tregojë LDK’së se si të sillet në raport me Hashim Thaçin dhe PDK’në. Edhe në këtë fjalim, Beqiri e ka mbështetur dialogun që po bëhet mes Qeverisë se Kosovës dhe asaj të Serbisë.

“LDK e ka thënë vazhdimisht që dialogu është pjesë e jetës edhe shtetërore, por me obligime të caktuara, që e kemi thënë vazhdimisht të mos preket sovraniteti, integriteti, rregullimi i brendshëm”, ka thënë Beqiri.

Deklaratat e zyrtarëve të pjesës më të madhe të opozitës janë mirëpritur nga Partia Demokratike e Kosovës. Nënkryetari i PDK, Bajram Rexhepi, e ka falënderuar opozitën që është distancuar nga Vetëvendosja dhe është rreshtuar “në anën e interesit nacional”.

“Kemi opozitë konstruktive dhe kur është fjala për interesin nacional, rreshtohen në anën e duhur. I përgëzoj dhe ashtu duhet të veprojnë. Edhe ne kur kemi qenë në opozitë, kemi qenë shumë konstruktivë”, ka shtuar Rexhepi për Klan Kosova.

Ai ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është e guximshme për retorikë dhe fjalë boshe, por jo edhe për interesin e Kosovës.

Ministri Rexhepi ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për zbatimin e menaxhimit të integruar të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë në katër pika kufitare.

“Janë katër pika kufitare që do të nisë zbatimi i IBM’it gjatë muajit dhjetor. Dy që janë për kalim të njerëzve do të jenë në fazë të mëvonshme”, ka thënë Rexhepi.

Mobi Casa

Ai ka thënë se edhe Kosova, edhe Serbia po përfitojnë në dialogun që po zhvillohet me ndërmjetësimin e europianëve.

“Njohja është diçka që do të ndodhë në faza të mëvonshme”, ka thënë Rexhepi.

E Glauk Konjufca ka thënë se Kosova nuk po përfiton asgjë nga dialogu, por vetëm po humb.

“Në darkën e mbrëmshme është servuar vetëm një ushqim, ky ushqim është Kosova. Këta njerëz frikësohen një dite ku nuk do të kenë pushtetin dhe shtrohet pyetja pse frikësohen ata kaq shumë pa pushtet. A frikësohet njeriu i pastër, i ndershëm dhe i pakorruptuar”, ka theksuar Konjufca.

Ndryshe, në takimin e ndërmjetësuar nga Baronesha Ashton, Thaci dhe Dacic kanë deklaruar se janë pajtuar që IBM të fillojë të zbatohet në dhjetor, të bëhet transparent financimi i strukturave të Serbisë në Kosovë, të largohen ato si dhe të gjendet fati i të pagjeturve.

Veç kësaj, Thaci dhe Dacic kanë folur edhe për mundësinë e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Nish, për të cilën kanë kërkuar që BE ta financojë.

Është paralajmëruar se në fillim të dhjetorit do të ndodhë takimi i tretë mes Thacit dhe Dacicit, për të shikuar zbatimin e marrëveshjeve të arritura më herët dhe zbatimin e

pajtimeve të reja që do të arrihen.

Vllasi i përgjigjet Vetëvendosjes

Ish-funksionari në Lidhjen Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi u është përgjigjur akuzave të deputetëve të Vetëvendosjes, të cilët e krahasuan politikën e ish-komunistit me veprimet e Kryeministrit Hashim Thaci.

Vllasi ka thënë se nëse Thaçi po vepron sikur ai, atëherë Kryeministri i Kosovës e paska mësuar politikën.

Por, Glauk Konjufca, derisa ka folur në Kuvendin e Kosovës për takimin me Ivica Dacicin, ka thënë se Kryeministri i Kosovës po e emiton politikën e Azem Vllasit.

Sipas Konjufcës, Vllasi në kohën kur është dashur ta mbrojë Republikën, nuk e ka mbrojtur as autonominë, ndërsa Thaçi kur po duhet ta mbrojë Republikën, nuk po e mbron as Pakon e Ahtisaarit.

“Thaçi është një lloj Azem Vllasi i kohës tonë. Ju e mbani mend Azem Vllasin, kur ishte koha të mbronte autonominë, ai nuk e mbrojti as Republikën. Në këtë mënyrë Thaçi nuk po e mbron planin e Ahtisarit e lëre Republikën e Kosovës”, ka theksuar Konjufca.

Me gjuhë të njëjtë është përgjigjur edhe Vllasi këtyre krahasimeve. Ai ka thënë se Partia e Albin Kurtit nuk di çka janë konceptet politike dhe shtetërore.

“Vetëvendosje nuk e di as çka është Republika, as autonomia. Ata si ekstremista i kanë do pikëpamje dhe kanë marrë qëndrim vetëm me i sulmu kondo që është në pushtet aktualisht. Kështu që deklaratave të tyre nuk ua vnoj veshin dhe s’ më interesojnë për asnjë gram”, ka shtuar ai.

Ky ish-funksionar i Lidhjes Komuniste ka ironizuar me krahasimet e Vetëvendosjes.

“Nëse është bërë Thaçi si unë, atëherë nuk është keq se e paska mësua politikën. E këta të Vetëvendosjes nuk mësojnë politikën as dej në zog të këmbës nuk më bien mua. Si të bëhet Thaçi si unë, as atij nuk i vijnë deri në zog të këmbës”, ka thënë Vllasi për Express.