Uji Dea

Përbërja e re e Kuvendit në Viti nis punën, aprovohen disa rregullore të rëndësishme

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Viti – Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Vitisë, kanë mbajtur mbledhjen e parë të kësaj përbërje, me që rast janë diskutuar dhe shqyrtuar disa pika me rëndësi, ndër to edhe formimi i Komitetit për Politik dhe Financa (KPF), si dhe ai për komunitete.

Fillimisht këshilltarët kanë adresuar pyetje udhëheqjes komunale dhe drejtorëve të drejtorive, respektivisht asaj për arsim.

Ndër pikat që më së shumti u diskutua dhe që hasi në pakënaqësi mes pozitës dhe opozitës, ishte ajo e formimit të Komitetit për Politikë e Financa, ku pati propozime të ndryshme në përbërjen e këtij komiteti në numrin e anëtarëve.

Pas disa orë diskutimi, u miratua propozimi që KPF të përbëhet nga 3 anëtar të LDK-së duke përfshirë kryesuesin, ndërsa PDK dhe VV të kenë 2 anëtar për dy vite me rrotacion dhe nga 1 anëtar, kurse AAK me 1 anëtar.

Zhvillim tjetër i kësaj seance ishte edhe aderimi i këshilltares së PDK-së Blerina Lubishtani në LDK, e cila tha se këtë kalim e bënë për arsye personale.

Uji Dea

Pikë tjetër që po ashtu zgjoi interesim, por edhe ngjalli diskutime, ishte ajo e pasqyrave financiare të buxhetit komunal për periudhën janar-dhjetor 2017, ku nga drejtori i Drejtorisë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik Ibrahim Rama, u tha se shpenzimi i buxhetit për vitin e shkuar ka arritur në 98.49 %.

Në këtë seancë dha betimin anëtari i ri i Kuvendit Zekirja Zuka, ndërkaq u aprovua propozim vendimi për formimin e Komitetit për Komunitete, propozim vendimi për formimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), propozim vendimi për formimin e komisionit vlerësues dhe zbatimin e procedurave për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim.

Gjithashtu u miratua propozim rregullorja për taksa, ngarkesa dhe gjoba, propozim vendimi për formimin e komisionit për shqyrtimin e ankesave për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme Komunale, si dhe propozim vendimi për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër, pronën e paluajtshme të Komunës, kompanisë KKDFE sha “KEDS” J.S.C. për vendosjen e trafove elektrike.

Ndërkohë që pikë tjetër e cila nuk ishte paraparë, por për shkak të afatit të shkurtër për përcaktimin e lokacionit për fushë ndihmëse të futbollit, hyri si pikë e rendit të ditës, me që rast, Drejtoria për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë prezantoi para këshilltarëve propozim vendimin për ndërtimin e kësaj fushe ndihmëse në zonën kadastrale në Sadovinë të Jerlive, e cila pati pakënaqësi nga disa këshilltarë, por që me shumicë votash u miratua./rajonipress/