Përballje speciale e Berishës

Ndeshja Norvegji – Shqipëri do të jetë e veçantë për Valon Berishën, pasi do të luajë kundër bashkëkombësve. Megjithëkëtë, mesfushori kosovar thotë se do ta japë maksimumin për norvegjezët nëse i jepet rasti. 20 vjeçari synon t’i mposhtë kuqezinjtë.
Përballja ndërmjet përfaqësueses së Norvegjisë dhe Shqipërisë do të jetë e veçantë për mesfushorin kosovar me pasaportë norvegjeze Valon Berishën.
Sulmuesi i ekipit austriak Red Bull Salzburg, e pranon se takimi i së premtes kundër kuqezinjve është special, pasi do të luajë kundër bashkëkombëseve të tij.
Nëse i jepet rasti nga selektori Egil Olsen të luajë në këtë takim, 20 vjeçari me prejardhje nga Besiana e ka bërë të qartë se do të japë gjithçka për Norvegjinë.
“Është paksa emocionuese dhe ndjenjë e çuditshme, mirëpo unë kam luajtur gjithmonë për Norvegjinë që kur isha 15 vjeçar në skuadrën e të rinjve. Natyrisht unë jap gjithçka nga vetja gjithmonë kur luaj për Norvegjinë”, ka thënë Berisha në një intervistë për gazetën norvegjeze VG.
Që nga vitit 2010 Berisha është pjesë e ekipeve të të rinjve të Norvegjisë. Ai fillimisht ka luajtur me ekipin U-17 për të vazhduar me U-19 dhe U-21. Kurse me ekipin A të Norvegjisë, 20 vjeçari ka debutuar në vitin 2012.
“Gjithmonë kam dashur, të ua demonstroj norvegjezëve se edhe ne të huajt që jetojmë këtu dimë të luajmë futboll”, ka theksuar ish futbollisti i ekipit norvegjez Viking.
Edhe në takimin e së premtes kundër Shqipërisë, Berisha dëshiron t’i tregojë aftësitë e tij dhe të shënojë fitore, e cila do të jetë shumë e vlefshëm për kualifikim në kampionatin botëror ‘Brazili 2014’.
“Edhe në ndeshjen ndaj shqiptarëve dua të demonstroj se jam lojtar i mirë dhe të jap çdo gjë nga vetja. Shpresoj që ta kem mundësinë të luaj dhe t’u tregojmë kundërshtarëve që jemi të mirë dhe ta fitojmë këtë betejë”, ka përfunduar Berisha.
Norvegjia dhe Shqipëria janë pjesë e grupit E së bashku me Zvicrën, Islandën, Qipron dhe Slloveninë. Grupit i prin ekipi zviceran me 10 pikë, tri më shumë se norvegjezët që janë të dytë dhe katër më shumë se ekipi kuqezi që renditet i treti.
Hangeland: Jemi gati për betejën me Shqipërinë
Futbollisti norvegjez Brede Hangeland thotë se skuadra skandinave është e gatshme për përballjen e së premtes ndaj Shqipërisë, në kualifikimet për Botërorin 2014.
Ai është i vetëdijshëm se Kuqezinjtë kanë dy sulmues të gjatë si Erjon Bogdani dhe Edgar Çani, mbi 190 centimetra, por është i bindur se ai me shokë do t’i ndalin ata.
“Do të jetë e mundimshme të ballafaqohemi me Shqipërinë”, ka thënë me ironi kapiteni norvegjez. “Do të jetë një përballje e fuqishme në aspektin fizik. Ata kanë lojtarë të gjatë në sulm dhe unë mezi e pres duelin me ta. Do të jetë një betejë e vërtetë, por do t’i mposhtim”, tha futbollisti i Fulhamit për mediet norvegjeze.(express)