Për të investuar duhet dhënë haraç për pushtetarët e të dyja niveleve!
Mjedisi për të bërë biznes është me shkallë shumë të lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, dhe me shkallë tepër të ulët të zbatueshmërisë së ligjit.
“Nëse një biznesmen i huaj vjen në Kosovë të ndërtojë ndonjë fabrikë apo për ta hapur një biznes, ku do të punësojë shumë punëtorë, pushteti komunal i kërkon edhe 10 për qind për xhepin e tyre. Që nga kontakti i parë i drejtpërdrejtë i të dyja palëve, kërkesa e parë e pushtetarëve tanë ndaj investitorëve të huaj është kërkesa e tyre për marrje të mitës, por edhe zhvatja e tyre, në formën e kërcënimit, ndaj investitorëve të huaj. Prandaj, edhe me këtë Qeveri lirshëm mund të thuhet se kushti për të hyrë në Kosovë dhe për të investuar është që fillimisht të japësh haraç për pushtetarët e të dyja niveleve dhe vetëm më pastaj mund të vijnë investimet serioze”, thotë deputeti Salih Salihu për “Kosova Sot”
Gjatë një takimi që e kanë pasur ditë më parë me drejtuesit e Odës Ekonomike Amerikane, drejtuesit e Qeverisë “Haradinaj” u mburrën se viti 2019 do të jetë një viti i ekonomisë së Kosovës. Por, deputetë e opozitës dhe njohësit e kësaj fushe thonë se nga ajo çfarë kanë parë deri tani që sa kohë është në pushtet kjo Qeveri, është e vështirë se do të ndodhë kjo. Deputetët e opozitës dhe analistët vlerësojnë se edhe Qeveria “Haradinaj” ka pasur synim të vetëm trashjen e luksit qeveritar dhe mafisë rreth tyre dhe pa pasur asnjë përfitim qytetarët nga zhvillimi i ekonomisë si dhe zgjerimi i monopoleve antikushtetuese. Ata pyesin se si mund të jetë viti 2019 një vit i ekonomisë, kur shumica e parave shkojnë për luks qeveritar dhe nuk ka kurrfarë ambienti për të zhvilluar biznes. Brenga e analistëve është se a do të vazhdojë edhe viti 2019 me monopole antikushtetuese, me shpenzim të parasë së taksapaguesve pa kontroll, dhe me vazhdim të papunësisë dhe largim të qytetarëve nga vendi për shkak të mosperspektivës. Investimet e huaja kanë rënë ndjeshëm, ndërsa deficiti tregtar është mbi 3 miliardë. Ekonomia prodhuese është e dobët, ndërsa korrupsioni pengon biznesin të afarojë në mënyrë konkurruese në tregun e kapur nga mafio- oligarkët. Kosova të krijojë kushte për investitorët
Ndërsa, lideri i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB ) Agim Shahini, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se si AKB e kanë mirëpritur premtimin e Haradinaj që thotë se për Qeverinë prioritet në vitin 2019 duhet të jetë zhvillimi më i shpejtë dhe stabil i ekonomisë. Sipas tij, ajo që duhet bërë është edhe stimulimi i prodhimtarisë vendore, me qëllim që shumë mallra që tani importohen të prodhohen në kuadër të ekonomisë kombëtare . “Veç saj, detyrë e madhe dhe prioriteti ekonomik, por edhe problem shoqëror është luftimi i ekonomisë informale që po e ngufat zhvillimin, po ashtu po pengon veprimin e konkurrencës që do të mundësonte arritjen e rezultateve më efikase. Nga zvogëlimi i pjesëmarrjes së ekonomisë informale besoj që në masë të konsiderueshme do të rritnin mundësitë që të luftohet korrupsioni, i cili duhet të jetë prioritet në periudhën e ardhshme”, vijoi më tej Shahini. “Sektori i prodhimit në Kosovë ndërkohë vazhdon të mbetet ende në një shkallë të pakënaqshme, kjo ngase bizneset prodhuese në Kosovë gjatë vitit që lamë pas janë ankuar në vazhdimësi për një ambient jo të favorshëm biznesor.Kjo, sepse institucionet e Kosovës kanë bërë disa lehtësira fiskale gjatë vitit 2018, që si të tilla kanë pasur efekte pozitive në prodhim, por që institucioneve u mbetet ende punë për të bërë. Por, kjo nuk mjafton, sepse Kosova që të arrijë të ketë një sektor më të qëndrueshëm dhe më të fuqizuar të prodhimit, duhet të krijohet një ambient i përshtatshëm afarist, Atë çka e ofrojnë vendet e rajonit duhet ta kemi edhe ne”, ka vlerësuar ai. Shahini potencon se për të tërhequr investitorë duhet të krijohen kushte të mira për këta që janë këtu dhe sigurisht ata të tjerët pastaj do të vinin. Administrata, me qasje refuzuese ndaj investimeve private Bankieri Milazim Abazi tha për “Kosova Sot”, se duhet përkrahur nismën e kryeministrit Haradinaj se ky vit do të jetë vit i ekonomisë së vendi, sepse ai ka një qëndrim miqësor ndaj investimeve private si të vendit, ashtu edhe të huaja, por kjo porosi e kryeministrit, fatkeqësisht, ende nuk ka depërtuar sa duhet tek ministrat, entet rregullatore, Autoriteti i Konkurrencës dhe te vetë komunat.
“Kjo, ngase ende Administrata Publike e Kosovës nuk e ka kuptuar nevojën për një qasje miqësore ndaj investimeve private. Administrata Publike e Kosovës akoma po vazhdon me avazin e vjetër të neglizhimit të kërkesave të investitorëve”, theksoi ai. “Qeveria duhet që krahas angazhimit në zgjedhjen e problemeve politike dhe të dialogut me Serbinë të punojë shumë më tepër në përmirësim të klimës së biznesit dhe të investimeve. Derisa në vendet fqinje fondet e Bashkimit Evropian kanë depërtuar në çdo ndërmarrje prodhuese deri në 60 për qind të investimeve, në Kosovë këto fonde ende kanë depërtim minimal, kjo edhe për fajet e opozitës që nuk po i aprovojnë pakot e nevojshme të përafrimit me BE-në. Kur është në pyetje shfrytëzimi i fondeve përkrahëse për ekonominë e vendit duhet të harrohen inatet politike dhe të gjithë të bëhen unik”, potencoi Abazi. “Kosova nuk është keq me ligje të aprovuara, e as me pakon fiskale sa i përket përkrahjes së investimeve. Por, atyre ligjeve duhet t’u përmbahen institucionet”, u shpreh më tej ai.
Fuqia punëtore po ikën
Analisti Dardan Grapci, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se largimi i qytetarëve nga vendi vetëm ka filluar përsëri, para disa ditëve nga Kosova, kur dy autobusë me të rinj kanë filluar udhëtimin në drejtim të ndonjë vendi evropian. “Qeveria ‘Haradinaj’ mund të mburret vetëm me një gjë, e ajo është rritja e taksës ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja në 100 për qind, por sa u përket investimeve në sektorët shtetërorë ku qytetarët të punësohen, në këtë pikë kanë dështuar. Shpresoj që në këtë vit, 2019, të jenë më transparentë dhe vigjilentë, dhe të fillojnë me investime tek të rinjtë e Kosovës, të bëjnë një plan për punësimin e gjeneratave të reja, e jo që me para të buxhetit të Kosovës të bëjnë luks apo të paguajnë hotele me 5 yje, sepse nëse vazhdohet me këtë ritëm si në vitin 2018, atëherë mendoj që deri në fund të këtij viti do largohen me mijëra qytetarë nga Kosova. Qeveria e Kosovës gjithashtu duhet t’i stimulojë bizneset e vogla dhe të mesme, ku këto biznese ta rrisin numrin e punëtorëve, por jo në baza partiake, por t’i punësojë ata që me të vërtetë janë të shkolluar dhe që i kanë përfunduar studimet në ato drejtime për të cilën shpresojnë që të gjejnë punë”, theksoi Grapci.
Ambienti biznesor, i përkeqësuar
Eksperti i fushës së financave, i shkolluar në Angli, Xhevat Meha, për gazetën “Kosova Sot”, tha se shpreson se do të jetë një vit i ekonomisë viti 2019.”Por, kam frikën se investimet në Kosovë nuk mund të rriten me çfarëdo mase fiskale që Qeveria mund të ndërmarrë për faktin se shkaqet për mungesë të investimeve nuk janë masat fiskale.Shkaqet pse nuk kemi investime në Kosovë është mjedisi për të bërë biznes.Mjedisi për të bërë biznes është me shkallë shumë të lartë të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, dhe me shkallë tepër të ulët të zbatueshmërisë së ligjit.Ka mbi 10 vjet që e kemi këtë mjedis për të bërë biznes.Mosndryshimi i këtij lloji mjedisi për të bërë biznes është e lidhur me faktin tjetër që kemi individë të njëjtë në krye të institucioneve më të larta të shtetit, që dëshmon për konsolidim të kontrollit të institucioneve tona nga individë dhe struktura të organizuara”, vlerësoi ai.
Salihu: Trashet luksi, forcohet mafia
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se është shumë skeptik se viti 2019 do të jetë viti i ekonomisë.”Kjo Qeveri nuk është e denjë që ta bëjnë këtë, ngase nga çfarë kemi parë deri tash, ka qenë vetëm trashja e luksit qeveritar dhe grupeve mafioze rreth tyre dhe nga këto veprime ekonomia e vendit nuk ka pasur asnjë përfitim, sikurse që nuk kanë pasur asnjë përfitim as qytetarët e vendit”.Prandaj, me këtë rast edhe duhet shtruar pyetjen se si mund të jetë viti 2019 një vit i ekonomisë, kur shumica e parave të taksapaguesve tanë po shkojnë për luks të qeveritarëve tanë dhe veç saj edhe nuk ka kurrfarë ambienti për të zhvilluar biznes të ndershëm, nëse nuk je pjesë e ndonjë klani apo grupacioni politik”, u shpreh ai.”E keqja më e madhe e kësaj Qeverie është se edhe kjo Qeveri, sikurse qeveritë paraardhëse, ka hyrë në vitin 2019 me monopolet antikushtetuese, me shpenzim të parasë së taksapaguesve pa kontroll, dhe me vazhdim të papunësisë dhe largim të qytetarëve nga vendi për shkak të mosperspektivës.Prandaj, të gjitha këto janë mungesa e mangësi të kësaj Qeverie që na bënë pesimistë se do të mund të realizojnë diçka nga premtimet e bëra”, vijoi më tej Salihu.”Edhe Qeveria ‘Haradinaj’ , por edhe ato të mëparshmet, kanë dështuar plotësisht në aplikimin e masave të reja fiskale.Prandaj, jam i mendimit se Qeveria aktuale duhet të fillojë aplikimin e këtyre masave, nëse dëshirojnë që investimet e huaj nga investitorë të huaj dhe shqiptarët që jetojnë në Diasporë të investojnë lirshëm dhe pa kurrfarë frike ose rreziku nga falimentimi ose haraçi”, vijoi më tej ai. Sipas Salihut, edhe me këtë Qeveri investitorët e huaj janë ata që gjithmonë po dalin viktimë e pushtetit.
Pa ryshfet, nuk ka biznes
Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës Enver Hoti (Nisma ), për gazetën ” Kosova Sot”, tha se është i saktë vlerësimi injohësve të kësaj fushe, që thonë se në fakt investitorët e huaj dhe as ata vendorë, nuk mund ta mendojnë biznesin e tyre në Kosovë pa bërë hisedarë oligarkët e pushtetit, pasi, sipas tyre, në të kundërtën po qe se pushtetarët nuk janë aksionarë të fshehtë, nuk ka asnjë shans për zhvillim të asnjë lloj të biznesit në Kosovë. “Deri më tash çdo Qeveri në Kosovë ka dështuar në masat e reja fiskale që nxitnin investimet e huaja. Që të realizohet synimi i z. Haradinaj që viti 2019 të jetë një vit i ekonomisë, e para punë që duhet bërë është që të kemi një sundim të mirëfilltë të ligjit dhe pa këtë parakusht është shumë e vështirë që të vijnë investimet e huaja. Prandaj, edhe nuk duhet që të çuditemi fare se përse në ekonominë e Kosovës mungojnë investimet e huaja në sektorë të ndryshëm. Nga hulumtimet e shumta të bëra nga shoqatat e bizneseve dhe atyre ekonomike, është vlerësuar se barrierat në të bërit biznes, siç është niveli i lartë korrupsionit, mungesa e politikave më të favorshme fiskale, si dhe evazioni fiskal, kanë ndikuar që shumë investitorë të mos shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë. Andaj, kjo është edhe arsyeja se përse viteve të fundit kemi pasur një rënie drastike të investimeve”, theksoi Hoti.
(Kosova Sot)


