Për sulmin në veri, serbët fajësojnë shqiptarët
Persona të panjohur kanë hedhur lëndë plasëse “koktej molotovi” në ish-ndërtesën e komunës paralele të Mitrovicës së veriut, e cila ndodhet në zonën e “Tre soliterëve”, të dielën rreth orës 19:00, bëjnë të ditur burime nga veriu i Mitrovicës. Lënda plasëse “koktej molotovi” është hedhur para një veture të organizatës së sigurisë të ashtuquajtur “Civilna Zastita”, e cila tani shfrytëzon objektin e ish-komunës veriore.
Të lënduar nuk ka pasur, ndërsa në momentin e hedhjes së lëndës plasëse, në objekt ndodheshin pjesëtarët e sigurimit të objektit. Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe është duke hetuar për personat që kanë kryer veprën kriminale.
Sipas medieve lokale serbe në veri, objekti i ish-komunës veriore të Mitrovicës është sulmuar me gurë edhe në orën 22:30 minuta. Pas incidentit, në vendin e ngjarjes gjatë gjithë natës ka qëndruar një patrullë e Policisë së Kosovës, ndërsa aty ndodheshin edhe dy xhipa të EULEX-it.
Zhelko Bojiq, shef i operativës në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në veri, ka konfirmuar se gjatë natës së mbrëmshme, të dielën mbrëma dy herë është sulmuar ish-ndërtesa e komunës veriore, në të cilën tani është vendosur “Civilna Zastita“/zeri/


