Për shtetin, sigurinë dhe demokracinë
Nga Burim Ramadani – Kosova ka nevojë për ndërrimin e politikës, jo ndërrimin e shtetit! Shteti është yni. Nuk na vyen gjë ndërrimi i personave dhe grupeve duke dëmtuar shtetin. Dhe, nuk na vyen gjë as mbajtja me domosdo në pushtet e personave dhe grupeve duke dëmtuar shtetin. Nuk duhet lejuar që grumbullimi i pakënaqësive në Kosovë të shpërthejë me valë të dhunës dhe as të keqpërdoret me vendimmarrje jodemokratike.
“Ne po duam shtet, por s’po e respektojmë atë. Ne po duam siguri, por po e rrezikojmë shpesh atë. Ne po duam demokraci, por vendimet publike i marrin vetëm si na përshtatet personalisht apo partiakisht.
Kështu jemi ne!”
Ky do të ishte reflektimi i vërtetë i udhëheqjes institucionale të Kosovës për vite të tëra, që nuk janë të pakta. Ky do të ishte tregimi që do t’i bënin vetes nëse seriozisht do të mendonin të mos fshehin asgjë, së pari nga vetja e më pas edhe nga publiku.
Politika e sëmurë – ta ruajmë shtetin!
Sëmundja e ka kapur thellë politikën kosovare. E qartë, besoj! Trendi negativ nuk ka të përfunduar. Kurba e negativitetit tregon për zvogëlimin e fuqisë blerëse të qytetarit dhe familjeve kosovare, sikurse edhe të mundësive për vende të reja pune, iniciativës së lirë, privatësisë, lirive civile, sigurisë humane.
Në realitet, sëmundja është më shumë e ndërlidhur me trendin e zhvillimeve. Nëse brenda një organizmi janë përbiruar viruset, atëherë organizmi domosdoshmërisht që fut në funksion anti-trupat. Ky është reagimi i parë, i dhënë nga funksionaliteti i organizmit.
Mirëpo, funksionimi i anti-trupave është i përkohshëm dhe me fuqi të kufizuar. Duhet patjetër diagnostifikuar sëmundja dhe trajtuar profesionalisht. Dhe, e vërteta jonë e hidhur është se nuk ka ndodhur asnjëra plotësisht. As nuk është diagnostifikuar sëmundja plotësisht dhe, rrjedhimisht, nuk është gjetur mënyra për të trajtuar diagnozën e munguar.
Nëse shoqëria kosovare ka funksionar për disa vite me anti-trupat kundër viruseve, tashmë mund të vlerësohet se ky imunitet ka humbur ose është në prag të humbjes së plotë.
Një gjendje e tillë e vazhdueshme për vite të tëra nuk po rrezikon më vetëm individin, por edhe kolektivitetin. Sepse, tek e fundit, individi dhe kolektiviteti më nuk mund të shihen si të ndarë. Nuk ka kolektivitet të sigurt me individ të pasigurt. Nuk ka individ të sigurt me kolektivitet të pasigurt.
Porse, gjithçka që ka të bëjë me politikën e sëmurë, nuk përkthehet tek sëmundja e shtetit. Kosova ka nevojë për ndërrimin e politikës, jo ndërrimin e shtetit! Shteti është yni. Nuk duhet të identifikohet me persona dhe grupe. Nuk na vyen gjë ndërrimi i personave dhe grupeve duke dëmtuar shtetin. Dhe, nuk na vyen gjë as mbajtja me domosdo në pushtet e personave dhe grupeve duke dëmtuar shtetin.
Është e qartë se sëmundja e politikës në Kosovë ka shkaktuar efekte të rënda jetësore për qytetarin.
Kosova nuk ka ekonomi të tregut të lirë, në kuptim e plotë të fjalës. Ka një ekonomi të tregut të monopolizuar, që shfrytëzon korrupsionin dhe krimin e organizuar si pjesë esenciale të të bërit biznes.
Kosova nuk ka shkurtime buxhetore, të domosdoshme për të tejkaluar krizën. Shkurtimet buxhetore patjetër se ndërlidhen me shpenzimet qeveritare, të cilat jo vetëm që nuk janë ulur, por janë rritur në mënyrë të vazhdueshme ndërvite.
Kosova nuk ka politika zhvillimore. Për vite të tëra po përballeni me vendime ad hoc, pa planifikime afat-gjata dhe pa ndërtimin e sistemit të qëndrueshëm.
Kosova nuk ka politika energjetike. Familjet kosovare ballafaqohen me detyrime për pagesën e çmimeve astronomiketë energjisë elektrike, derisa flejnë më thëngjill. Kosova blen rrymë me paratë e taksa-paguesve, derisa mund të ishte qendra rajonale e prodhimit të enegjerisë elektrike.
Kosova nuk ka politika bujqësore. Është fatkeqësi e natyrës së veçantë fakti se Kosova nuk mund të ushqejë as gjysmën e nevojave të popullatës së vet.
Kosova nuk ka politika anti-korrupsion. Në të vërtetë, politika e vetme ekzistuese praktike në Kosovë është korrupsion, nepotizëm, klientalizëm, militantizëm partiak.
Kosova nuk ka drejtësi. Është vendi me mangësitë më të mëdha në rajon dhe Evropë në çështjet e drejtësisë. Qytetari nuk ka barazi para drejtësisë, derisa Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor kanë arritur në shkallën e denoncimeve publike nga vet anëtarët e këtyre këshilleve se “po kontrollohen nga bandat!”.
Kosova nuk ka Kushtetutshmëri. Është e qartë dhe e dëshmuar jo vetëm njëherë. Kushtetuta është kthyer në një Kontratë të Thyer e të Nëpërkëmbur!
Kosova nuk ka politika të sigurisë nacionale. Fatkeqësisht, neglizhencat e natyrave të ndryshme na kanë sjellë në një situatë kur vendi nuk ka ende asnjë program kombëtar parandalues për ekstremizmat e llojeve të ndryshme, qoftë lokale, rajonale apo globale.
Kosova nuk ka politika ri-integruese. Edhe më tutje, nuk ka program kombëtar për rehabilitimin dhe ri-integrimin e shtetasve të Kosovës që kanë përjetuar radikalizim, përfshirje në krim apo përjetime tjera të rënda.
Siguri dhe demokraci!
Për të gjitha këto ia vlen të ngritet zëri. Të ngritet argumentimi i domosdoshëm i përmirësimit të trendit. Përmirësimit të situatës së përgjithshme.
Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të qartë dhe të prerë se siguria dhe demokracia janë obligim yni i përbashkët. Paraqesin nevojën e domosdoshme për të ndërtuar diçka të mirë. Jo për të rrezikuar edhe këto, sado që janë të brishta.
Siguria duhet të ruhet në secilin moment dhe secilën situatë. Është përgjegjësi jona e të gjithëve, pa asnjë dallim, të ruajmë sigurinë nacionale dhe sigurinë individuale. As grumbullimi i pakënaqësive nuk është dhe nuk duhet të jetë argument për të shkatërruar, dëmtuar apo prishur sigurinë e shtetit.
Tek e fundit, situatat mund të keqpërdoren dhe të shfrytëzohet nga çdokush. Të tillë duhet ta shohin edhe qeveritarët, edhe opozitarët, edhe shoqëria civile, edhe qytetarët. Nuk duhet në asnjë moment të lejohet që grumbullimi i pakënaqësive në Kosovë të shpërthejë me valë të dhunës. Dhe, as të shfrytëzohet nga aktorë të ndryshëm shtetërorë apo joshtetërorë për të rrezikuar sigurinë nacionale të Kosovës në të gjitha dimensionet.
Prandaj, është e qartë se përfaqësimi i cilitdo interes publik dhe në cilëndo formë qoftë, në rrugë institucionale apo në protestë, duhet të ruajë interesat tona nacionale, sigurinë nacionale dhe ekzistencën e sistemit shtetëror në Kosovë. Sikurse, edhe duhet të jetë e qartë se mbivlerësimi i rrezikut të sigurisë që zakonisht bëhet në rast të protestave nuk është profesional, nuk përkon me neutralitetin institucional dhe as me përfaqësimin e interesit publik nga ana e institucioneve të zgjedhura.
Demokracia, në anën tjetër, as nuk po lind vetëm sot në Kosovë dhe as nuk po rrezikohet vetëm sot në Kosovë. Demokracia nuk është vetëm përfaqësim, por edhe respektim i rregullave demokratike. Në të dyja qasjet, Kosova ka deficite të mëdha. Por, edhe keqpërdorime të mëdha, duke u thirrur qoftë në përfaqësimin e popullit, qoftë në vendosmërinë për të vënë kontroll.
Siguria dhe demokracia nuk kanë kuptim pa njëra-tjetrën. Duke e rrezikuar njërën, rrezikohet edhe tjetra.
Duke marrë vendime të korruptuara, rrezikohet siguria. Sikurse, duke rrezikuar sigurinë, merren vendime jodemokratike.
Përgjegjësia për të gjitha këto elemente thelbësore është historike e të gjithë neve.
Për shtet, siguri dhe demokraci duhet të jemi të vendosur dhe të vetëdijshëm në secilin moment dhe secilën situatë.
Të ruhet gjakftohtësia në vendimmarrje! Të zhvillhet shteti, siguria dhe demokracia.
Autori është ish-deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ligjërues i Studimeve të Sigurisë Kombëtare.


