Për shkak të mungesës së të reshurave, Gjilanin e pret një vit i vështirë

Gjilan – Mumin Murina drejtor teknik në “Hidromorava” thotë se aktualisht niveli i ujit në liqenin e Perlepnices që njëherit është edhe burimi kryesor i furnizimit me ujë për qytetin ka rënë në 14.90 m nga 30.30 m sa është niveli maksimal i liqenit të Perlepnices.
Morina tha se ky nivel është i njëjtë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por në fillim të vitit të kaluar kanë filluar reshjet duke e zbutur problemin në masë të madhe. “Edhe këtë vit shpresa e vetme janë reshjet të cilat mund ta zbusin problemin, në të kundërtën nëse kemi këtë gjendje pa të reshura atëherë situata mund të përkeqësohet edhe më shumë ngase duke u ulur niveli edhe më shumë mund të paraqiten probleme serioze në trajtimin e ujit i cili edhe tani po realizohet me vështirësi të mëdha”, raporton rajonipress.
Sipas Morinës 9 m e fundit të akumulacionit teknikisht nuk mund të përdoren për shkak të kualitetit të tij në fundin e liqenit dhe për këtë arsye ky vëllim i mbetur ndryshe njihet edhe si vëllim i vdekur i akumulacionit.”Niveli i mbetur i ujit për shfrytëzim aktualisht është 5.9 m. Duke u bazuar në faktin se në liqe kemi një ulje afërsisht 10 cm në ditë atëherë kjo sasi e ujit për Gjilanin do të jetë në dispozicion për më pak se dy muaj kuptohet për një periudhë pa të reshura”.
Morina tha se edhe në pikat e tjera të prodhimit të ujit përfshi edhe dy qytetet tjera Viti dhe Kamenicë, sasia e ujit është zvogëluar dhe për këtë arsye kompania shumë shpejt mund të fillojë me masa të rrepta të reduktimeve, me qëllim të kapërcimit të situatës. “Përkundër kësaj gjendje furnizimi me ujë është i mirë pa probleme të mëdha, me përjashtim të pikave të larta të qytetit, por situata mund të ndryshojë për të keq nëse nuk kemi të reshura, sidomos gjatë dy muajve të parë të vitit”.
Morina thotë se për momentin janë marr disa masa preventive në uljen në mas të madhe të ujit të prodhuar gjatë natës sidomos nga FPU në Perlepnice duke e evituar një ulje edhe më të shpejt të nivelit të ujit.
“Është me rëndësi që qytetarët për këtë periudhë të kenë më shumë mirëkuptim në shpenzimin e ujit sidomos për ata të cilët e keqpërdorin ujin dhe ata të cilët janë të kyçur ilegalisht në sistemin e ujësjellësit. Po ashtu është shumë me rëndësi që uji i përdorur të paguhet ngase kompania përkundër vështirësive të mëdha që po përballet me kapacitete të ujit ajo ka probleme edhe me mungesë të inkasimit për ujin e shpenzuar” tha Morina./rajonipress/