RCCOLA

Për shkak të mungesës së kuorumit dështon seanca e jashtëzakonshme

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Gjilanit, e thirrur me iniciativë të 15 këshilltarëve të PDK, VV, Vatra dhe këshilltarëve të pavarur, për të diskutuar për lokacionin e ri të varrezave të qytetit, i cili është planifikuar të jetë në pjesën e Zabelit, ka dështuar të mbahet për mungesë të kuorumit.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini, pas konstatimit nga sekretaria e Kuvendit se në sallë janë të pranishëm 16 këshilltarë, ndërsa 19 mungojnë, konstatoi se seanca nuk mund mbahet për shkak të mungesës së kuorumit.

Sadri Arifi, shef i Shërbimit të Kuvendit ka sqaruar se sipas statutit të Komunës dhe Ligjit për qeverisje lokale, për të pasur kuorumin e nevojshëm duhet të jenë të pranishëm së paku gjysma e anëtarëve të Kuvendit.

Në rastin konkret nuk ka shumicë të mjaftueshme dhe rrjedhimisht nuk janë përmbushur kushtet për mbajtjen e seancës, ka thënë Arifi.

Eco Higjiena

Riza Abdyli (PDK) reagoi duke thënë se kjo seancë duhet të mbahet patjetër, sepse nuk mund të shtyhet në pakufi.

Përndryshe, në sallë ishin të pranishëm nënkryetari i Komunës, Arbër Ismajli si dhe drejtorët komunalë.

Pas kësaj, opozita ka mbajtur konferencë me gazetarë në sallën e Kuvendit, ku janë prononcuar Riza Abdyli (PDK), Nevzat Isufi (VV), Festa Shabani (PSD), Mimoza Kadriu (Nisma) dhe Ibish Ibishi (këshilltar i pavarur), të cilët kanë thënë se do të insistojnë që kjo seancë të mbahet patjetër në ditët e ardhshme, sepse bëhet fjalë për një çështje shumë të rëndësishme, siç është lokacioni për varreza.

Siç dihet, Gjilani, prej vitesh po përballet me mungesën e hapësirës në varrezat ekzistuese dhe ka qenë duke kërkuar një lokacion tjetër për varrezat e reja./rajonipress/