ARKATANA

Për shefin e SHIK’ut të Vetëvendosjes, Dardan Molliqajn

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Berat Buzhala – Me një fjalë Molliqaj shihet, ose shihej, si një lloj “Kadri Veseli” në Vetëvendosje. Udhëheqës i shërbimit të nëntokës në ketë subjekt politik, para të cilët kanë arsye të mjaftueshme të frikësohen edhe zyrtarët më seniorë në LVV. Sipas legjendave urbane Molliqaj është truri prapa koktejëve të mollotovit, gazit lotsjellës etj.

Sekretari i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, Gazetën Express dhe Klan Kosovën i quan media të regjimit. Si është e mundur që Molliqaj, Kurti, Ymeri etj., nuk rendin së dhëni intervista tek Baton Haxhiu?

Sot në një konferencë të hareshme për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosja, po i thoshte lamtumirë Ilir Dedës, deri dje deputet i kësaj partie politike. Dukeshin më të qeshur e më të lumtur, se vetë ditën kur Deda kishte aderuar në LVV.

Cila ishte nevoja e këtij spektakli bizar?

Nëse janë kaq të afërt me njëri-tjetrin, nëse dallimet janë margjinale, atëherë përse po largohej Iliri prej atje?

Ja shpjegimi im:

Reputacioni i Molliqajt, edhe vetë brenda LVV’së, pas ngjarjeve të dhunshme të fillimvitit kishte pësuar një goditje të rëndë, posaçërisht në Prishtinë, terren në të cilin ky subjekt politik i ka apetitet më të mëdhatë. Pamjet e Molliqajt duke e nxjerr nga vetura zyrtar qeveritar, si përfaqësues i far milicie revolucionare amerikano – latine, e kishin shndërruar atë në djaloshin e keq të Lëvizjes.

Dhe jo vetëm kaq. Imazhi i Molliqajt kishte qenë mjaft kundërthënës edhe para këtij incidenti. Për të flitet me frikë në qytet, posaçërisht nga ata që kanë kaluar nëpër dorën e tij, si bie fjala Ajnishahe Halimi, e cila kishte kaluar nëpër disa nivele të bisedave informative, të udhëhequra nga Molliqaj.

Me një fjalë Molliqaj shihet, ose shihej, si një lloj “Kadri Veseli” në Vetëvendosje. Udhëheqës i shërbimit të nëntokës në ketë subjekt politik, para të cilët kanë arsye të mjaftueshme të frikësohen edhe zyrtarët më seniorë në LVV. Sipas legjendave urbane Molliqaj është truri prapa koktejëve të mollotovit, gazit lotsjellës etj.

UBT

Dhe befasisht ky “djalë i keq” i LVV’së, pra Molliqaj, plot shend e verë, po i thoshte lamtumirë Dedës. Mungonte vetëm muzika në këtë konferencë për shtyp, sepse po ndaheshin vetëm për shkak të disa nuancave. Në anën tjetër fytyra e Dedës dukej e palënduar. Skaj tij Molliqaj. Mesazhi ishte i qartë: Molliqaj nuk është i dhunshëm. Përkundrazi është i qeshur. Është shumë i lumtur, edhe nëse dikush largohet nga partia.

Pra, ky është një moment i ri politik. Sekretari i Përgjithshëm i LVV’së është në rrugë e sipër për të përmirësuar reputacionin e tij, për t’u dukur më shumë përfaqësues politik, se sa përfaqësues ushtarak – siç ishte menduar.

Nuk ka këtu asgjë të keq. Madje kjo është shumë mirë. Ndonëse për mua do të vazhdoj të mbetet enigmë e madhe se si Molliqaj është shndërruar bindshëm në personin e dytë më me së shumti ndikim në këtë parti politike. Gjenialiteti i tij politik mbështillet në jo më shumë se disa qindra fjalë. Thellësia e tij intelektuale është mjaft modeste. Ai do të notonte shumë mirë në ujëra të mediokritetit. Por jo le të mbetet çështje e brendshme e kësaj partie.

Ajo çfarë më bëri përshtypje tjetër nga konferenca e përbashkët për shtyp e Molliqajt dhe Dedës, ishte dëshira e të parit për t’u marrë me mediat, ose dy mediat, duke i etiketuar ato si “media të regjimit”. Është fjala për Klan Kosovën dhe Gazetën Express.

Dëshiroj ta bëj të qartë, se këtë qeverisje dhe këto institucione nuk i konsideroj ‘regjim’ sipas botëkuptimeve të Molliqajt. Sipas meje kjo qeverisje është e korruptuar, është e dobët, por jo autoritare, e as totalitare. Ndërsa përse kjo qeveri është e tillë, e dobët, e korruptuar, e pa ide, është edhe meritë e LVV’së, e cila assesi të krijojë një moment të ri politik. Assesi të shndërrohet në një alternativë serioze.

Është shumë çështje relative se si ne shihemi. Ndoshta me syzat e LVV’së jemi të tillë.

Ajo çfarë më bëri përshtypje ishte mënyra se si e futi në një thes me Gazetën Express edhe televizionin Klan Kosova, që udhëhiqet nga gazetari Baton Haxhiu. Te ky gazetar, te Haxhiu, pothuajse çdo javë, çdo muaj po se po, defilojnë fytyrat kryesore të LVV’së. Kohëve të fundit e kam parë Kurtin, Molliqajn, Shpend Ahmetin, Visar Ymerin etj. Nëse Klan Kosova është platformë e regjimit, si është e mundur që e njëjta me kaq dashuri shfrytëzohet nga e gjithë LVV’ja.

(Pas botimit të këtij shkrimi, pres nga militantët e LVV’së që të m’i rikujtojnë nga e para të gjitha skandalet e mia në jetë, si bie fjala gurthyesi dhe bashkëpunimi me serbët, pagesat e rregullta nga Pacolli etj. Jam i përgatitur emocionalisht për një fushatë)