RCCOLA

Për Republikën e Kosovës

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Nga Blerim Shala- Republika e Kosovës, si shtet i pavarur, do të ekzistojë përgjithmonë. Dhe kjo Republikë, tok me Republikën e Shqipërisë, do të jetë anëtare e Paktit NATO dhe e BE-së.

Një reklamë apo një spot publicitar kushtuar 100 vjetorit të ekzistimit të Republikës së Shqipërisë, mbase, ka pasur porosinë më të mirë të mundshme për të gjithë ne shqiptarët, kudo që jemi.

Në te, dy të ri, një djalë dhe një vajzë voziten të gëzuar rrugëve të Shqipërisë. Dëgjohet “Xhamadani…”, flamuri kombëtar është në duart e vajzës, e cila përnjëherësh, hap dritaren dhe hedh një shishe plastike tej saj.

Djali ndalë veturën, ia merr flamurin kombëtar vajzës dhe e lë jashtë veturës.

Nuk mund pra të jesh atdhetar i sinqertë, nuk mund ta duash vendin tënd si shtet, nëse nuk e çmon ambientin ku jeton, dhe mbi të gjitha, nëse nuk respekton rregullat: Qofshin ato të shkruara dhe të tjerat, të pashkruara.

Çfarë patrioti mund të jesh ti nëse për shkak të shfryrjes tënde me armë, plagos apo edhe vret një shqiptar tjetër që po ashtu kremton këtë festë? Ta zëmë.

Çfarë atdhetari dhe pushtetari je ti, nëse madje edhe në një festë të këtij lloji, shumë të rrallë, përpiqesh të marrësh për vete të gjitha meritat për një ngjarje kaq të madhe? Ta zëmë.

Si mund ta duam aq shumë atdheun, e në anën tjetër, si zyrtarë të tij, të shtetit, i bëjmë njëqind të zeza, gati të gjitha duke marrë para prej kuletës së shtetit, prej buxhetit të vendit? Si mund të është dikush Zoti shpije i mirë, nëse dëmton atë shtëpi natë e ditë? Ta zëmë.

Si mund të jemi patriotë të zjarrtë, e kur vjen puna e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike, ato jo që nuk janë të lira dhe as demokratike, por për më shumë, ato shfaqen në trajtë të hajnisë më brutale, në formë të falsifikimit më të vrazhdë të vullnetit të qytetarëve? Ta zëmë.

A e dimë ne që gjithë këtë rajonin ku jetojmë, vetëm në Kosovë dhe në Shqipëri akoma nuk duam dhe nuk dimë t’i mbajmë zgjedhjet si duhet?

Si mund të adhurojmë atdheun, nëse falsifikojmë ditë dhe natë historinë e tij, që prej lindjes së Shqipërisë e deri më sot? Ta zëmë.

Uji Dea

Mirë, do të mund të reagojë dikush menjëherë këtu, ndoshta të gjitha këto pyetje këtu qëndrojnë, janë të arsyeshme, por nuk është tash çasti i duhur të flitet me një qasje të tillë, fare serioze, për telashet që i kemi si komb, në Shqipëri dhe në Kosovë, në dy shtetet e një kombi. Tani duhet të këndojmë dhe të vallëzojmë, e më pas, kur festat të përmbyllen, mund edhe të merremi me to.

Por me një siguri goxha të madhe mund të thuhet që diçka e tillë nuk do të ndodhë. Tekembramja, a nuk kemi pasur kohë para 28 nëntorit të jemi të kësisojt, apo së paku, të përpiqemi të merremi me të gjitha këto tema që spikasin pamundësinë, realisht, të koekzistencës së një atdhedashurie dhe sjelljes sonë të keqe të gabuar, në politikën shqiptare këtu dhe atje, në shtetin e Kosovës dhe të Shqipërisë, këtu dhe atje.

Në fakt, njëmend Jemi Një. Në këto punë.

Flamuri kombëtarë, festa e njëqind vjetorit të ekzistimit të shtetit të Shqipërisë, jo vetëm në këtë rast, njëmend tepër të veçantë, i cili na bën krenarë që jemi shqiptarë, është shfrytëzuar edhe për maskimin e fytyrës së vërtetë të politikës shqiptare (kudo që është ajo).

Për të shkuar edhe më tej në këtë drejtim, si kurrë më parë, gjatë manifestimeve të shumta kushtuar shekullit të parë të ekzistencës së Shqipërisë, janë dhënë mesazhe politike që kanë veçuar idenë e bashkimit kombëtarë, i cili nuk është specifikuar prej shumicës së politikanëve shqiptarë, pos prej atyre që tashmë gdhijnë ditën dhe bëjnë natën me porositë e tyre për bashkimin e trojeve shqiptare, para se të gjithash të Kosovës dhe Shqipërisë.

Të tillët, qofshin pra të kampit të parë të politikanëve zyrtarë që nuk na treguan se si e mendojnë bashkimin kombëtar, apo të këtij të kampit të dytë të politikanëve që mendojnë që ngjyrat kuq e zi mjaftojnë për t’i zgjidhur të gjitha problemet që i kanë shtetet e Kosovës dhe të Shqipërisë, si po duket, kanë probleme me kalendarin, me orientimin në kohë dhe në hapësirë. Ky ishte 28 nëntori i vitit 2012, e jo ai i vitit 1912, megjithëse, çfarë janë shumë prej tyre, nuk i ishin duhur gjë Ismail Qemalit dhe shtetkrijuesve të tjerë të vjeshtës së para 100 vjetëve. Thjeshtë, sepse politika e mirëfilltë, çfarë ka qenë në fuqi në vitin 1912 dhe çfarë është në fuqi në vitin 2012, nuk ka gjë të përbashkët me daullexhinjtë dhe defatorët e sotëm të politikës shqiptare, të cilët ia kanë dhënë të drejtën vetes të interpretojnë të tashmen dhe të shkuarën e kombit shqiptar sipas kutit të vet.

Të tillëve, kudoqofshin, këndejpari në Kosovë apo atje në Shqipëri, duhet thënë troç që ideja e bashkimit kombëtarë sot, në mes të Kosovës dhe të Shqipërisë, do të kishte si pasojë që Kosova të humbë jo vetëm Veriun, por edhe pjesë të tjera të territorit të saj, dhe që në anën tjetër, t’i bjerë shkelm vetvetes dhe gjithë një Lëvizjeje politike e cila me të drejtë synonte që çlirimin nga Serbia ta kurorëzojë me bërjen e shtetit të pavarur të Kosovës.

Të tillëve, kudo që janë, duhet thënë që agjenda e Republikës së Kosovës dhe e Republikës së Serbisë është identike, dhe ajo po dëmtohet më së shumti prej vetë nesh, e jo prej të tjerëve: Anëtarësimi në Paktin NATO dhe në BE.

Vetëm shqiptarët do të kenë dy ulëse në Paktin NATO dhe në BE. Askush tjetër.

Të tillëve, më në fund, duhet thënë në mënyrë të prerë që Republika e Kosovës, si shtet i pavarur, do të ekzistojë përgjithmonë.

(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)