Për pesë muaj mërgimtarët dërguan në Kosovë mbi 445 milionë euro

Kriza ekonomike globale e thelluar pas agresionit rus në Ukrainë nuk i ka ndalur mërgimtarët që të shpenzojnë shuma të mëdha me të ardhur në Kosovë.


Sheshet e kryeqytetit të mërkurën ishin të mbushura me bashkatdhetar nga diaspora.

Disa prej tyre thanë se këtë vit do të harxhojnë edhe më shumë se viti i kaluar, ndonëse e pranojnë se çmimet janë më të larta.

“Më shumë sivjet se e kam marrë femrën me veti prej Suedisë, jena kanë edhe në deti. Pak ma shtrenjtë, ma shtrenjtë pak, pak diçka por jo edhe shumë. Për ne është pak ma lirë, duke i krahasu rrogat tona është lirë për neve”, thotë Qëndrim Gashi, raporton Teve1.

“Vallahi, për mu drejt me thanë njëjtë. Çdo vit kur të vi njëjtë. Shumë keq masi rrogat nuk janë shumë të mëdhaja, krahasim me Slloveninë po tham tash atje shumë ma lirë janë do sene”, thotë Lirigzon Foniqi.

E dikush tjetër tha se këtë vit do të kursejë më shumë.

“Ma pak, diçka ma pak se arsyeja është kriza. Duhet me kursy ma shumë se shumë krizë e madhe po bëhet a pe sheh për qata, edhe çmimet shumë katastrofë”, thotë një qytetar tjetër.

Dërgesat nga diaspora apo siç njihen ndryshe si remitenca, sipas Bankës Qendrore të Kosovës deri në maj të këtij viti kanë kaluar shumën e 400 milionë eurove.

“Vlera e remitencave deri në muajin maj të këtij viti, ishte 445.4 milionë euro. Kjo shumë është pothuajse e njëjtë me vlerën e tyre në të njëjtën periudhë të vitit kaluar, kur ato kishin arritur vlerën e 446.8 milionë euro. Ato kryesisht vijnë nga shtete si Gjermania, Zvicra, ShBA, Austria, etj”, theksoi zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës.

Autoriteti qendror bankar thotë se shumica e të ardhurave nga diaspora destinohen për konsum.

Por profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj vlerëson se qeveria duhet të ndërtojë politika të tilla që remitencat të dedikohen për investime.

“Vlerësoj që qeveritë dhe kjo Qeveri të bëj thjesht politika favorizuese si nga ana e turizmit që të kenë një arsye më shumë mërgimtarët që të vijnë në Kosovë e që t’i kalojnë pushimet sa më mirë dhe po ashtu nëse ka mundësi dhe hapësirë për investime të mundshme që këto mjete të remitancave të kthehen në investime dhe në mundësi të punësimit dhe zhvillimit ekonomik”, bëri të ditur profesori i ekonomisë, Mustafë Kadriaj.

Mbi 500 mijë kosovarë vlerësohet se jetojnë jashtë vendit.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS