Fundamenti

Për opozitën dhe AKR-në, Besim Beqaj ka dështuar

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Pas shumë shtyrjesh dje i është dhënë Ministria e Zhvillimit Ekonomik partnerit të koalicionit AKR-së. Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka thënë se Besim Beqaj është shpërblyer për punën që ka bërë deri më tash, duke shkuar në Ministrin e Financave, mirëpo për të njëjtin, ashtu nuk mendojnë në AKR, pasi përfaqësues të saj nuk janë të kënaqur me punën që ka bërë deri më tash. Vërejtjet për krejt qeverinë dhe jo vetëm për Besim Beqajn ka dhënë edhe opozita, e cila vlerëson se kjo qeveri nuk ka program të zhvillimit ekonomik dhe se ndryshimet në fjalë janë bërë për interesa të individëve dhe në dëm të atyre shtetërore.

Zëvendëskryeministri Kuçi i pyetur për vlerësimin e punës së ministrit Besim Beqaj, sa ishte në krye të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se këtë vlerësim e bënë kryeministri, por që, sipas tij, emërimi i Beqajt në Ministrinë e Financave është shpërblim.

“Vlerësimin e ministrave e bënë kryeministri, nuk e bëjë unë. Por ajo çka dua të them, zhvendosja e Beqajt nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Ministrin e Financave është shpërblim për atë, nuk është dënim”, ka theksuar Kuçi.

Por kryetarja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejene Selmani ka thënë se nuk janë të kënaqur me punën e Beqajt, të cilën e ka bërë në Ministrinë e Zhvillimit ekonomik.

“Nuk mund të jemi të kënaqur, kur qytetarët nuk janë të kënaqur pse ne jemi brenda kuvendit nuk mund të themi që jemi të kënaqur. Të jem e sinqert, kishte me qenë ndryshe çështja e privatizimit të Distribucionit dhe PTK-së do të ishin në vija krejt ndryshe. Mirëpo ato që kanë shkuar kanë shkuar dhe nuk mund të kthejmë proceset mbrapa se janë kontraktuar marrëveshjet me kompanitë”, ka theksuar Selmani.

Sa i përket çështjes së Trepçës, Selmani ka thënë se AKR-ja ka dal me platformën e vet dhe AKR-ja do të shkon në bazë të ligjeve që i ka miratuar Kuvendi i Kosovës.

Sipas saj, Trepça është në moratoriumin e ri dhe pas kësaj mund të shihen hapat e ardhshëm.

Por deputeti i LDK-së, Arben Gashi konsideron se kjo lëvizje e ministrave është e pa rëndësishme dhe në vazhdën e dështimeve të Qeverisë.

Uji Dea

Sipas tij, ministri i deritashëm i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka rol në dështimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Beqaj ka gisht në gjendjen e ekonomisë së Kosovës. Pjesë e vogël është privatizimi. Ne flasim për tërësinë. Tërësia e ekonomisë së Kosovës është e keqe, zhvillimi ekonomik ka stagnuar dhe kualiteti i jetës së qytetarëve të Kosovës është shumë i keq”, ka thënë Gashi.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu mendon që këto ndryshime në kabinetin qeveritar janë bërë për interesa të koalicionit dhe individëve të caktuar.

“Kjo qeveri nuk ka kurrfarë programi e as koncepti politik. Kjo edhe po dëshmon për faktin që po i shpërndajnë postet shumë të rëndësishme ministrore për shkak të interesave të koalicionit. Pra, po akomodojnë njerëzit nëpër poste ministrore vetëm e vetëm për të realizuar marrëveshjet që kanë me koalicionin. Realisht, po bëjnë një lloj pazari me postet ministrore. Kjo mund të jetë lirisht edhe një zhvendosje e vëmendjes prej çështjeve tjera që po ndodhin në Kosovë, realisht ajo që ka ndodhur së fundi me AKP-në dhe kjo është një padrejtësi e madhe”, ka theksuar Haxhiu.

Njëjtë mendon edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, i cili pohon se ndërrimet e djeshme kanë të bëjnë me asetet e vendit dhe keqpërdorimin e tyre.

“Këto janë procese të ndërlidhura dhe deri sa të arrihen qëllimet individët e caktuar në udhëheqje të Qeverisë po i ndërmarrin veprimet të cilat u duhen edhe për më tutje. Prandaj edhe ndërrimet e tanishme që kanë ndodh janë me prapavijë ashtu siç kanë qenë edhe më herët. Pra, janë në pyetje asetet, ekonomia e Kosovës dhe keqpërdorimi i ekonomisë së Kosovës”, është shprehur ai.

Ndryshe, pas shumë spekulimesh e kërcënimesh nga ana e koalicionit të AKR-së, më në fund ditën e djeshme është arritur pajtim që Ministria e Zhvillimit Ekonomik t’i kaloj kësaj parti, të cilën do të udhëheq Fadil Ismajli.

Ndërsa Besim Beqaj nga MZHE-ja ka kaluar në ministrin e Financave, e cila prej disa muaj ishte pa ministër, pasi ish-ministri Bedri Hazma kishte dhënë dorëheqje muaj më parë, duke kaluar në postin e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës. /kosovapress/