Për një vit, 4 persona të dënuar për korrupsion
Ka shpërfillur të gjitha ligjet e prokurimit në fuqi, ka keqpërdorur pozitën zyrtare, me dhënien e një tenderi në vlerë prej 42 mijë euro. Bëhet fjalë për një person në Kuvendin Komunal të Prizrenit, i cili të mërkurën (dje) është arrestuar nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsion në Prizren, njofton Policia e Kosovës.
“Pas analizimit të tenderit, hetuesit policorë e kanë vërejtur se Komisioni për vlerësimin e ofertave nga Kuvendi Komunal në Prizren ka shpërfillur ligjet e prokurimit në fuqi. Vlera e këtij tenderi kap shumën prej 42 mijë euro. Në konsultim me prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ky është një ndër qindra raste që hetuesit kapin persona duke bërë keqpërdorim të detyrës zyrtare. Por dallimi mes numrit të atyre që keqpërdorin detyrën zyrtare, është shumë i lartë në krahasim me të arrestuarit. Prej rreth 700 rasteve në Kosovë, të identifikuara nga Policia e Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të cilët janë zënë qoftë duke marrë, apo edhe dhënë ryshfet, apo duke keqpërdorur në mënyra tjera pozitën e tyre, vetëm 19 u janë shqiptuar dënime me burg
90 zyrtarë duke marrë ryshfet
Ryshfeti është një prej dukurive më të përhahapura në Institucionet e Kosovës. Sipas Agjencisë Kundër Korrupsion, në krye të së cilës është Hasan Preteni, prej rreth 700 rasteve, të vitit 2012, të personave që kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, prej tyre 90 janë zënë duke dhënë/marrë ryshfet.
Sipas këtij Agjencioni, Policia e Kosovës vitin 2012 ka identifikuar dhe punuar mbi 85 raste për marrje dhe dhënie të ryshfetit. Prej tyre 3 raste janë nën hetime, 39 raste i ka dërguar në prokurori me kryerës të njohur dhe kundër 43 personave ka ushtruar kallëzim penal.
Gjykatat e Kosovës për dhënie dhe marrje të ryshfetit kanë shqiptuar, 31 dënime me gjobë, 6 dënime me kusht, 3 dënime tjera, 3 janë zgjidhur në mënyra tjera, 5 aktgjykime liruese dhe 4 dënime me burg, që gjithsej i bie që janë marrë 52 vendime.
“Nuk ka progres në sanksionimin e veprave penale kundër korrupsionit. Kemi të bëjmë me regres mes raporteve të Prokurorisë dhe Gjykatës”, thotë Preteni.
Ky agjension në qershor ka dal edhe me një raport, thotë ai, ku thuhet se prokuroritë e Kosovës kanë stagnuar në menaxhimin e statistikave rreth rasteve të trajtuara.
“Derisa në vitin 2011 prokuroritë kanë raportuan në mënyrë më specifike për rastet dhe personat e akuzuar, vitin 2012 kanë raportuar vetëm për persona.
Në vitin 2011 janë raportuar propozim akuza dhe aktakuza të ngritura kundër 616 personave, që kanë të bëjnë me raste të ndryshme korruptive, ndërsa në vitin 2012 vetëm kundër 296 personave.
Ndërsa Gjykatat e Kosovës për vitin 2011 kishin shqiptuar 20 dënime me burg, ndërsa në vitin 2012 kanë nxjerr vendime për dënime me burg në 19 raste, për të gjitha rastet korruptive.
Sidoqoftë, departamentet që merren me hetimet e krimeve, vlerësojnë se po bëjnë punë të mirë.
Sipas përgjigjeve marrë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike në policinë e Kosovës, veprimet e tyre përkojnë sipas strategjisë dhe planit të veprimit kundër korrupsionit të nxjerrë nga Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Kosovës dhe institucioneve tjera Qeveritare.
“Kjo drejtori ka pasur një angazhim të madh në hetimet e rasteve të paraqitura gjatë periudhës së poshtëshënuar si dhe ka pasur një bashkëpunim të mirë me komponentën ekzekutive të EULEX e sidomos bashkëpunim me prokuroritë e Qarkut të prokurorëve të EULEX-it “, është përgjigjja e marrë nga ta.
Ryshfeti, pjesë e institucioneve publike
Doganat e Kosovës janë konsideruar si vend ku dhënia e mitove nga tregtarët tek punonjësit është përdorur shpesh, në mënyrë që biznesmenët e shumtë t’i ikin kontrollit dhe tatimeve.
Një gjë të tillë e kanë pranuar edhe vetë zyrtarët doganorë, edhe pse sipas tyre është e vështirë që një doganier të zihet direkt duke marrë mito.
Por meqë një fenomen i tillë ka qenë prezent, atëherë Doganat e Kosovës kanë ndryshuar sistemin e kontrollimit të mallrave që futen në Kosovë, bën të ditur Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës.
“Pas vitit 2007, është ndryshuar sistemi i kontrollimit të mallit që hyn në Kosovë, duke e shpërndarë tek disa kontrolla, derisa më herët ka qenë vetëm një. E tani me shpërndarje të kontrollës, nga një në tjetër e vështirëson dhe e pamundëson që një tregtarë të korruptojë një doganier, pasi që ke punë me shumë prej tyre”, tha zëdhënësi i Doganave Adriatik Stavileci.
Ndryshe, doganat e Kosovës, kanë dhënë disa shifra për gazetën ‘Zëri’, të përgjithshme për shpërdorim të detyrës zyrtare të doganierëve.Krahasimi i vitit 2011 me 2012, është shumë i madh.
Në vitin 2011, sipas këtyre të dhënave, janë identifikuar plot 257 raste, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të identifikuar si: keqpërdorim i detyrës, dyshim për keqpërdorim të detyrës, dëmtim të pronës, sjellje jo të mirë etj. Ndërsa për vitin 2012, Doganat e Kosovës raste të reja të tilla kanë identifikuar vetëm 9./zeri/


