Fundamenti

Për një moment…”No comment”!

/ 4 minuta lexim

Nga Astrit Gashi- Për një moment dua të mendoj se jeta, megjithatë, është e bukur. Se ndoshta po jetojmë e përjetojmë kohëra, që kështu siç janë, mund të quhen edhe historike. Se ndoshta të qenit pjesë e historisë është edhe qejf edhe siklet. Por, që sido që të jetë është të paktën një përvojë- që nuk guxoj ta them me plot mendje- se dua që asnjë të mos mbetet pa e përjetuar.

Për një moment dua të mendoj se diku ndonjëri sot nuk ka qasje në barnat kundër Sidës, se një pacient diku në glob sot ka njehur tik-taket e fundit të jetës si pasojë e kancerit, se atje diku sot dikush mund të ketë arritur fundin nga mungesa e një gjëje kaq elementare sa uji. E te duash të mendosh se, nga fati, rasti apo çfarëdo tjetër ti nuk je njëri nga ta.

Për një moment dua të mendoj se diku-dikush sot ka prerë shiritin e një fabrike të re, që sot diku-dikush ka regjistruar kompaninë e tij të parë, që sot diku-dikush ka shpikur një patentë të ri, që diku dhe dikush sigurisht është duke punuar në ndonjë koncept të ri veture, telefoni mobil, kompjuteri. Për një moment dua të mendoj se dikush është duke menduar e bërë diçka të këtillë edhe në rrethinën tonë.

Për një moment dua, para së gjithash, ta bëj veç një “No comment”! Sepse për 364 ditë kemi folur, madje edhe bërtitur- e sot duam të heshtim. Një vit të tërë kemi shpalosur të këqijat- korrupsionin, nepotizmin, varfërinë politike, shoqërorë e ekonomike.

Jemi marrë me të keqen dhe ajo është marrë me ne. Jemi mërzitur se jemi ndër vendet më të varfra në Evropë, ndër vendet më të korruptuara në planet e që kemi ecur fare pak përpara në secilën lëmi.

Jemi gëzuar me sukseset aty ku ka pasur sikur ai i Rita Orës. Dua megjithatë “No comment”, sepse vitin 2013, nuk dëshiroj ta nisim njëjtë ! Sepse pasi që të gjitha janë thënë e shkruar viti 2012 është vërtet veç një No Comment!

Për një moment, dua t’ju kursej të gjithëve qoftë edhe duke mos ua përmendur emrat e asnjërit nga ilustrimi i ballinës.

KKVITI

Për një moment, po ashtu, dua të mendoj se, megjithatë, sot jemi të lirë. Se sot kemi një shtet tonin. Që atyre që të parëve iu ka rënë ndërmend për ta pasur duhet t’ua u dimë për nder. Për një moment dua të mendoj përjetësisht se shteti ynë do të bëhet e zhvillohet dhe se stagnimi e varfëria nuk do të jenë kryeemër nëpër vite.

Për një moment, me tërë pasigurinë e brendshme, me të vërtetë dua të mendoj se këtë gjë përnjëmend e duam të gjithë!.

Për një moment dua të mendoj se 2013 mund të jetë ndryshe. Se ndryshimi mund të ndodhë veç si produkt i ballafaqimit të dy realiteteve- atij pozitivit dhe atij negativit, dhe se një realitet i vetëm nuk ekziston.

Dua që të mendoj se 2013 mund të jetë një “kthim i faqes”- një ecje përpara, thyerje e status-quos së pazhvillimit. Nëse më të vërtetë e duam, të gjithë.

Dua të mendoj se po hyjmë në vitin e ndryshimit.

Dhe dua t’ju them të gjithëve Gëzuar 2013, qoftë edhe vetëm për një moment!