Eko Higjiena

Për një ekonomi të lirë – kundër diktatit

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Adrian Çollaku- Distribucioni i Korporatës Energjetike të Kosovës, të mërkurën edhe zyrtarisht u privatizua, me nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit “Limak & Çalik”.

Duke u munduar që ta pengojë një marrëveshje të tillë, u arrestuan mbi 60 pjesëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës. Në mesin e tyre pati të arrestuar edhe deputetë të kësaj lëvizjeje në Kuvendin e Kosovës.

Qeveria, megjithatë, ia arriti qëllimit. Privatizimi i pronës publike të Kosovës po shtyhet përpara me dajakun e Bajram Rexhepit. Në fakt gjithçka ka mundur të jetë më ndryshe, edhe pse nuk është. Megjithatë, nuk ka dhunë që mund të na ndalojë që ta kërkojmë një privatizim transparent, i cili do të ishte në funksion të zhvillimit të vendit.

Vetëm një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe konzorciumit “Limak & Çalik” për shitjen e distribucionit të KEK-ut, gazeta “Zëri” do të publikojë “pazaret politike” që po bëhen për shitjen e PTK-së. Ballina e sotme e gazetës e titulluar “PTKLeaks”, flet për mënyrën se si do të privatizohet kjo ndërmarrje publike. Për mënyrën se si korporatat e mëdha ndërkombëtare detyrohen të ecin nga një korridor politik te tjetri, që dikush të mos ua bëjë me hile apo që të fitojnë një punë.

Pra, jo ashtu siç po kërkojmë të bëhet, që të fitojë më i miri e që këto korporata të enden nga një korridor në tjetrin për të bërë ofertën më të mirë. Kjo nuk u vlen, dhe detyrohen të shpenzojnë para në lobim e takime me politikanë e miq të tyre. Kështu nuk ndërtohet një ekonomi e lirë, një ekonomi e tregut dhe aq më pak një ekonomi e qëndrueshme.

U shokova atë ditë kur pashë me sytë e mi, letërkëmbimin, i cili më kishte rënë në dorë, e që në detaje përshkruan mënyrën se si do të privatizohet PTK-ja. Se si investitorët detyrohen të kërkojnë mbështetje politike, për një proces i cili duhej të përcaktonte vlera ekonomike. Gjera që janë thënë, e dëgjuar të gjitha, por që nuk janë parë e argumentuar asnjëherë më parë.

Letërkëmbimi flet në detaje për bisedat sekrete të lobuesve me ndikim të njërës kompani amerikane me kryeministrin Hashim Thaçi, dhe liderët e opozitës për të kërkuar përkrahje politike për ofertën e tyre ose për të shpëtuar nga kurdisjet të cilave ata i frikësohen gjatë privatizimit të Postë Telekomit të Kosovës. Sipas letërkëmbimit, Thaçi u kishte thënë lobistëve amerikanë se e ka të vështirë të zgjedhë mes kompanisë së Albright dhe Pardew.

Mobi Casa

Pyetja është a duhet që kjo punë të jetë përzgjedhje e një politikani? Nëse duhet atëherë pse kemi një tender të hapur? Dhe nëse nuk duhet, atëherë çka është kjo gjë më shumë se një konflikt i pastër i interesi dhe shkelje ligji? Meqenëse tender të hapur kemi, nuk do mend se përgjigja fshihet në dilemën e fundit.

“Përzierja” e kryeministrit Thaçi dhe konsultimi i liderëve të opozitës në garën për privatizimin e PTK-së, flet për atë se në Kosovë çdo gjë diktohet nga ata që aktualisht janë në krye të politikës.

Ky letërkëmbim më së miri flet për atë se në Kosovë asnjë kompani, qoftë edhe më e forta në botë, nuk mund të fitojë në garë për privatizimin e ndonjë ndërmarrje pa lobuar paraprakisht në qarqet politike.

Pushtetarët tanë kanë krijuar asi sistemi dhe imazhi, saqë kompani shumë të fuqishme botërore, duhet të angazhojnë lobistë të fortë dhe të shpenzojnë miliona euro, vetëm e vetëm që të fitojnë në garë për blerjen e ndonjë ndërmarrjeje.

Gazeta “Zëri ” që nga fillimi e ka mbështetur fuqimisht privatizimin në Kosovë. Por, jo një privatizim si ky që po ndodh në Kosovë, me kurdisje, kurthe e shantazhe, i cili në asnjë mënyrë nuk na çon drejt një ekonomie të lirë të tregut, ku dominon konkurrenca. Në Kosovë, në fakt po ndodh e kundërta. Në Kosovë po ndodh privatizimi i diktuar nga politika e politikanët. Ky privatizim, jo që nuk do të na sjellë një ekonomi tregu dhe një zhvillim ekonomik të vendit, por do të na fusë edhe më shumë në krizë ekonomike.

Në vend të një ekonomie të lirë, do të kemi një ekonomi të diktuar. Ne duam të shohim një Kosovë, vend të lirë për të zhvilluar politikë, ekonomi e biznes. Një Kosovë ku investitorët do të çmohen, ku atyre do t’u krijohen lehtësime e jo një vend ku këta të fundit detyrohen të shpenzojnë para në lobime e gjëra të tjera jashtë procedurave të tenderit. Ne sot pra jemi me investitorin privat, dhe kundër atyre që u qesin barriera. Ata nuk i fajësojmë, sepse janë të detyruar.

Për një ekonomi të lirë. Kundër diktatit.