RCCOLA

Për milionin e parë mos më pyet të tjerat ju tregoj vetë

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Shkruan :Ismet Kryeziu- Kjo thënie më së miri i përshtatet Draftligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, draftligj i propozuar nga Ministria e Drejtësisë.

Tentativa që ky draftligj të shndërrohet në ligj dhe të aplikohet nga dita kur hyn në fuqi, por jo dhe për periudhën para miratimit të ligjit, do të ishte mbrojtje edhe amnisti e krimit, korrupsionit dhe pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme.

Kjo thënie më së miri i përshtatet Draftligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, draftligj i propozuar nga Ministria e Drejtësisë. Tentativa që ky draftligj të shndërrohet në ligj dhe të aplikohet nga dita kur hyn në fuqi, por jo dhe për periudhën para miratimit të ligjit, do të ishte mbrojtje edhe amnisti e krimit, korrupsionit dhe pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme.

Krijimi i pasurisë së paligjshme nuk i përshkruhet vetëm partisë aktuale në Qeveri, por të gjitha partive pjesëmarrëse në qeverisje në Kosovë. Këto keqpërdorime, këto pasuri të krijuara në mënyrë të paligjshme janë krijuar nga shumë individë dhe parti, kjo nuk fillon sot as me një parti e as me një qeveri e as me dhjetë individë.

Qytetarët moti kanë filluar t’u paguajnë haraçe partive, individëve dhe formacioneve të ndryshme, të cilët kanë vepruar në emër të kauzës për liri, në emër të patriotizmit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Vendet në transicion sistemesh dhe sidomos ato të dala nga konfliktet janë një mundësi e mirë për zhvatje të qytetarëve dhe të shtetit, përmes pasurimit nga zyrat publike. Brenda natës, sa çil e mbyll sytë, po ngrihen multimilionerë, megabiznese, shumica nga to nga pasuria e paligjshme. Pikërisht këta individë e grupe synojnë më pas të hartojnë korniza ligjore që mundësojnë legalizimin e milionave të pista të tyre.

Shoqëria kosovare nuk bën përjashtim, por ndoshta, përkundrazi, bazuar në numrin e banorëve, mund të jetë vendi ku më së lehti është krijuar pasuria e paligjshme dhe atë jo vetëm nga kosovarët, por dhe nga shumë shtetas të shteteve fqinje, investitorë ndërkombëtarë me biznese inekzistente e me të kaluar kriminale. Kësisoj, Kosova jo vetëm që vlerësohet si vend i krimit e i korrupsionit, por dhe strehë e veprimtarisë kriminale për vendet fqinje.

Për dallim nga vendet e rajonit të dala nga lufta si Kroacia, Bosnja etj., Kosova është një shembull tjetër, sepse atje, megjithatë, derisa janë përfshirë në luftë, këto vende kishin administratë, legjislacion dhe funksionim, jo ndoshta më të mirin, por, megjithatë, atje kanë funksionuar institucionet.

Derisa Kosova për dallim nga këto shtete, dhjetë vjet para luftës ishte nën okupim të egër, prandaj kishte mungesë totale të zbatimit të ligjshmërisë. Shoqëria kosovare jetonte kryesisht nga fondet paralele vetjake, të krijuara nga qytetarët brenda vendit dhe në diasporë.

Fillimi i luftës së armatosur dhe fondet e krijuara për armatim dhe mbështetje të luftës, fondi i 3-përqindëshit i krijuar nga Qeveria në eksil, pastaj fondi “Vendlindja thërret”, kishin mbikëqyrje të dobët ose s’mbikëqyreshin fare. Prandaj Kosova kishte një gjendje të dallueshme dhe më lehtë të mundshme nga vendet fqinje, për individë dhe grupe që mendjen e shpirtin e kishin tek milionat e paligjshëm.

UBT

Jo vetëm deri në përfundimin e luftës, por edhe pas vitit ‘99, është vazhduar trendi i njëjtë dhe më i përshtatshëm, vend ku ka vazhduar sundimi i paligjësisë! U rrit mundësia për të ardhur te paratë, jo vetëm nga qytetarët jashtë vendi, por dhe nga taksapaguesit kosovarë nga bizneset vendore e të huaja, nga fondet kombëtare e ndërkombëtare.

Pra, u krijuan rrethana për mundësi shumë më të mëdha për individë, subjekte politike, grupe, mekanizma legalë e ilegalë, “tokësorë” e nëntokësorë. U bënë dhe vazhdojnë të bëhen aktivitete kriminale, përmes trafikimit të naftës, duhanit, armëve, qenieve njerëzore, kidnapimeve me qëllim zhvatjen, tjetërsimin e pronave shoqërore, zhvatjes së bizneseve dhe keqpërdorimit te tenderëve dhe buxhetit publik.

Nuk mjaftuan vetëm këto, por ndodhën vjedhjet edhe në dhomat e dëshmive në zyrat policore, 50 kilogramë drogë në Prishtinë, 24 kilogramë ari në Pejë, e ku e di kush përveç ‘’shtetit’’ se kur do të ndodhë njëjtë, gjatë muajve të ardhshëm, në Prizren, Gjilan, Mitrovicë apo në të gjithë Kosovën!?

Këto rrethana kanë krijuar individë të shumtë të fuqishëm falë këtyre veprimtarive. Ata krijuan pasuri të paligjshme dhe tani udhëheqin me pushtetin politik, institucional, ekonomik, përmes bashkëpunimit me krimin. Dhe tani kjo klasë politike, këta njerëz që lejuan, përkrahen dhe u bënë pjesë e këtyre veprimtarive, vështirë se mund të ndalen, vështirë se janë ngopur nga lakmia e tyre e pangopur.

Shumë qytetarë gjatë etapave të ndryshme e kishin humbur besueshmërinë se Kosova do të bëhej ndonjëherë, por pati dhe të atillë që mbollën shpresën se ky vend do të bëhej! E sot qytetarët më shumë se kurrë janë të zhgënjyer, sot qytetarët kanë besueshmërinë më të vogël në institucionet shtetërore dhe klasën politike. Ata sot kanë humbur shpresën se Kosova do të bëhet vend me demokraci funksionale, shtet i së drejtës me zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, siç e kanë dashur dhe ëndërruar dikur.

Prandaj, zoti ministër, ndryshojeni këtë draftligj. Ky draft duhet të përmbajë: emër tjetër: pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme, duhet të parashohë që barra e të provuarit të bjerë mbi të dyshuarin, të parashohë veprimin retroaktiv, së paku nga viti 2000, duhet të parashohë mekanizma të veçantë brenda institucioneve ekzistuese etj. Zoti ministër, mos lejoni që përmes ligjit të bëni mbrojtjen dhe amnistinë e krimit, korrupsionit dhe pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme.

Ministër, krijoni ligje të qëndrueshme që ndalin dhe jo ligje që amnistojnë krimin dhe korrupsionin, këtë virus kanceroz shtetngrënës!

Zoti ministër Kuçi, e keni mundësinë që qytetarëve t’ua riktheni shpresën se ky vend do të bëhet.

Ministër, jepi shpresë këtij vendi!

(Autori është drejtor ekzekutiv në Institutin Demokratik të Kosovës, KDI)