KKVITI

Për herë të parë zgjidhen dy shqiptarë në Glattbrugg-Opfikon

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Ibrahim Zahiri (GV) dhe Qëndresa Sadriu (PS) kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet e së dielës, duke u zgjedhur këshilltarët e parë shqiptarë në Glattbrugg-Opfikon.

Komuniteti shqiptar për herë të parë në historinë e komunës Glattbrugg-Opfikon ka fituar dy ulëse në asamblenë komunale të kësaj qyteze.

Gjithsej ishin 7 kandidatë shqiptarë, ku dy prej tyre dolën fitues në këto zgjedhje, kurse Shaban Haliti është zgjedhur në Këshillin e shkollave (Schulpflege) të Glatbrugut.

Qëndresa Sadriu dhe Ibrahim Zahiri janë nga komuna e Gjilanit dhe jetojnë në Glattbrugg. Nga tash këta dy këshilltarë komunalë do të kenë përgjegjësi mbi supet e tyre, sepse janë zëri i shqiptarëve të Glattbrugg-ut.

Ndryshe, Qendresa (SP) është kandidatja më e votuar nga të rinjtë, kurse partia tjetër, GV – Gemeindeverein Glattbrugg Opfikon, ka siguruar dy ulëse në asamblenë e komunës, Ibrahimi Zahiri është njëri prej tyre.

Mobi Casa

Këshilltarja e re shqiptare, Qëndresa Sadriu, për albinfo është shprehur e gëzuar dhe falënderon të gjithë votuesit për mbështetjen dhe besimin e tyre.

“Unë iu falënderohem të gjithë banorëve të Opfikon/Glattbrugg/Glattpark për votat dhe ndihem shumë krenare për besimin që kanë në mua. Unë nuk kam pritur të arrij këtë rezultat dhe shpresoj që shpejt do ta arrij vendin më të lartë dhe ta mar një ulëse definitive në asamblenë komunale. Shumë jam e kënaqur me rezultatin dhe do ta jap maksimumin në katër vjetët e ardhshëm”, thotë studentja Qëndresa Sadriu.

Po ashtu edhe Ibrahim Zahiri shpreh falënderimin për mbështetjen që i kanë dhënë të gjithë votuesit në zgjedhjet e së dielës.

“Kjo nuk është vetëm fitore imja, sepse kjo fitore është e të gjithë neve si qytetarë të Glattbruggut“, ka thënë këshilltari i ri në asamblenë komunale të kësaj komune me 16000 banorë.

7 kandidatë shqiptarë kanë kandiduar në zgjedhjet lokale të 30 marsit në Glatbrugg./V.K/albinfo/