Eko Higjiena

Për gjashtë muaj punësohen 356 punëtorë

/ 5 minuta lexim

Numri i qytetarëve që po arrijnë ta gjejnë një vend pune në sektorin publik në vend, edhe më tej vazhdon të jetë shumë i vogël, në raport me kërkesat që ka vendi.

Për gjashtë muaj, përmes ndërmjetësimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në Institucionet Publike në vend kanë arritur të hyjnë në punë vetëm 356 qytetarë. Ndërkaq, në sektorin privat, gjatë gjysmës së parë të këtij viti janë punësuar 1730 punëtor.

Ndërkaq gjatë periudhës së njëjtë të vitit të kaluar në sektorin publik kanë arritur të gjejnë punë 353 punëtorë, e në atë privat 2399 punëtorë.
Viktor Mehana, këshilltar në MPMS tha se në periudhën gjashtëmujore të vitit 2012 kanë qenë të ndërmjetësuar gjithsej, 2752 punëkërkues, ndërkaq, këtë vit në të njëjtën periudhë janë ndërmjetësuar 2086 punëkërkues. Sipas tij, gjatë vitit të kaluar është realizuar programi i punëve publike, ku sipas tij, ka rezultuar me një numër me të madh të ndërmjetësuarve ne punësim.

”Programi i punëve publike është realizuar në bashkëpunim me komunat e Kosovës, ku janë realizuar një numër i madhe projektesh dhe në bazë të kësaj janë gjeneruar më shumë vende pune gjatë vitit te kaluar. Ndërsa gjate vitit 2013 ky program i punësimit nuk është realizuar”, ka thënë ai.

Ndërkaq, përfaqësues të institutit GAP, thonë se gjendja sociale në vend tregon se gjetja e një vendi të punës në Kosovë është shumë e vështirë. Sipas tyre, statistikat e përmendura se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013 janë ndërmjetësuar më pak vende në krahasim me atë të vitit 2012, tregon se strategjitë e Qeverisë së Kosovës për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe uljen e papunësisë nuk janë duke funksionuar.

27 konkurrentë për një vend pune

Në anën tjetër Jeton Mehmeti, nga Instituti GAP thotë se sipas raportit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS-së) mbi 90% e të papunëve të regjistruar në Kosovë janë të papunë afatgjatë, të cilët janë në kërkim të një vendi të punës për më shumë se një vit.
Sipas tij, gjatë vitit 2012 në shërbimet publike të punësimit janë ofruar vetëm 9.434 vende të lira pune, prej të cilave 6.166 vende pune janë ofruar nga sektori privat dhe të tjerat nga ai publik.

Ai tha se gjatë vitit 2012, një vend i lirë pune ka qenë në dispozicion për 27 të papunë, ku sipas tij për një vend pune është dashur të konkurrojnë mbi 343 të papunë për çdo muaj.

Uji Dea

Mehmeti thotë se të dhënat nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) tregojnë se në vitin 2012 rreth 9.800 kontribuues të rinj janë regjistruar në FKPK, ku sipas tij Kosova nuk po mund të krijojë më shumë se 9.000 vende pune në vit.

”Kjo do të thotë se Kosova nuk po mund të krijojë më shumë se 9.000 vende pune në vit. Kjo është e pamjaftueshme kur shihet se mes 22.000 deri në 30.000 persona i shtohen tregut të punës çdo vit, dhe për faktin se 259.341 personat e regjistruar si të papunë dihet sigurt se janë në kërkim të një vendi të punës”ka thënë ai. Sipas tij, me ketë trend te punësimit, Kosova do të vazhdojë të mbetet vendi me papunësinë më të lartë në rajon edhe për vite me radhë.
Mehmeti tha se Qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë një strategji më konkrete të punësimit, të cilat mbështeten në praktika reale të krijimit të vendeve të punës , ku mbi të gjitha tregojnë synimet konkrete të Qeverisë se sa vende pune do të krijohen për çdo vit.

“Zgjidhja e duhur mund të jetë tek sektori privat me ç’rast kërkohen politika më të favorshme për themelimin e bizneseve të reja, zgjerimin e bizneseve të mesme ekzistuese, si dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Kjo kërkon tejkalimin e disa problemeve ekzistuese që ndërlidhen me qasjen në zonat industriale dhe inkubatorët e biznesit dhe qasje më të lehtë në financa për bizneset e vogla e sidomos për bizneset rurale”shtoi ai.

Haxhi Arifi, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) tha se të dhënat e MPMS-së, mund të jetë reale. Mirëpo, sipas tij, duke e parë përditshëmirnë, numri i të punësuarve, mund të jetë edhe më e madh.

Arifi: Bujqësia hap vende pune

Haxhi Arifi thotë se BSPK-ja i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që në Ministrinë e Bujqësisë të ketë më shumë buxhet, sepse aty janë vendet e punës, aty mund të hapen vendet e punës, pasi që sipas tij sektori i bujqësisë gjeneron vende të punës.

Sipas tij, nuk është vetëm Qeveria që duhet të mendojë për hapjen e vendeve të punës dhe ku duhet të shpenzojë buxhetin, por sipas tij, edhe partitë tjera, opozita, duhet të planifikojë se ku duhet të investohet në mënyrë të hapjes e vendeve të punës./zeri/