Për dy muaj, 16 mijë kosovarë kërkuan azil në Hungari
Shifrat e atyre që zyrtarisht kanë kërkuar azil në Hungari janë alarmante. Zyra për Migracion në këtë shtet ka konfirmuar zyrtarisht për KTV-së se në dy muajt e fundit të vitit të kaluar mbi 16.000 kosovarë kanë kërkuar azil në këtë shtet.
Kjo zyre tregon se kjo shifër është vetëm me ata që regjistrohen e kërkojnë azil aty, kurse shumë të tjerë ikin pa u regjistruar në shtetet e tjera të BE-së.
Është i jashtëzakonshëm numri i kosovarëve që ka ikur nga Kosova dy muajt e fundit të vitit 2014.
Zyra për Migracion dhe Shtetësi e Ministrisë së Brendshme të Hungarisë ka ofruar për KTV-në për herë të parë shifrat zyrtare të lëvizjes së kosovarëve në këtë shtet.
Në një përgjigje të Kiss Attila, zv/drejtor i kësaj zyre thuhet se në dy muajt e fundit të viti të kaluar mbi 16.000 kosovarë kanë aplikuar për azil në Hungari.
“Zyra për Migracion dhe Shtetësi nuk ka informata për të gjithë kosovarët që hyjnë në Hungari, pasi që kjo zyre nuk mbledhë informata për të gjithë imigrantët ilegalë që nuk aplikojnë për azil. Ju informoj se ndërmjet 1 nëntorit dhe 31 dhjetorit 2014, 16,039 qytetarë të Kosovës kanë aplikuar për azil”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre shtetërore hungareze për KTV-në.
Aty më tutje shpjegohet se Zyra vepron sipas provizioneve të ligjit për azilin të vitit 2007 dhe se të huajt vendosen në një qendër pritjeje deri në përfundim të procedurave. Në bazë të rrethanave disa mund të dërgohen në qendra burgimi duke ua kufizuar lirinë në pritje të një përgjigje për aplikimin.
Ende nuk është e qartë sa mund të jetë numri i kosovarëve që pa u regjistruar fare në Hungari arrijnë të kalojnë në shtete të tjera të BE-së, kryesisht në Austri dhe në Gjermani.
Vala e dytë e madhe e ikjes së kosovarëve nga vendi ka nisur në nëntor me ikjet e përnatshme nga Prishtina dhe Ferizaj kryesisht.
Njëri nga ata që kishte hyrë ilegalisht në Hungari ka vdekur nga ngrirja në fund të vitit të kaluar.
Qeveria e Kosovës është munduar vazhdimisht ta minimizojë fenomenin, duke thënë se numri i largimeve është i përafërt çdo vjet.
Disa shtete të BE-së nëpërmjet përfaqësuesve të tyre kanë thënë se nuk do të japin azil për kosovarët.


