UBT

Për dialogun të vendosë Kuvendi, jo Thaçi

/ 9 minuta lexim

Deputetët e opozitës dhe qytetarët e vendit janë kategorikë që presidentit Hashim Thaçi në asnjë mënyrë nuk bën që t’i lejohet përmbyllja e bisedimeve me Serbinë, ngase për të shpëtuar lëkurën e tij ka bërë, po bën dhe do të bëjë kompromise tepër të dëmshme për Kosovën. Sipas tyre, Thaçi po përpiqet që të bëjë pazar Asociacionin e komunave me shumicë serbe e deri te ndarja e Kosovës, me gjoja një ulëse në OKB, dhe që po ia mundëson Serbisë ta marrë pushtetin nga brenda në Kosovë.

Por, nga njohësit e kësaj fushe thuhet se po ashtu është e dukshme qartë se BE-ja po i mbështet liderët e tejinkriminuar kosovarë të shantazhuar, sepse e di që do të pranojnë çdo kompromis në kurriz e në dëm të Kosovës, vetëm e vetëm për ta zgjidhur kontestin me Serbinë. Andaj, analistët e shtrojnë pyetjen se a duhet BE-ja të mos i mbështesë më udhëheqësit e korruptuar e të kriminalizuar kosovarë, që janë përgjegjës për korrupsionin, krimin e organizuar dhe degradimin e shtetit. Politologu Gurakuç Kuçi, në përgjigjen e tij për gazetën” Kosova Sot”, ka thënë se ka shumë mënyra si duhet përfaqësuar Kosovën në dialog me Serbinë. “Nëse Presidenti i Kosovës shkon tash në negociata pa platformën unike dhe përkrahjen e përfaqë- suesve të popullit, shkel Kushtetutën në atë që thirret si përfaqësues i unitetit të popullit. Edhe në rastin tonë, për çështjen e dialogut me Serbinë, për çështje që kanë rëndësi shtetërore me ndikime afatgjata, shtetarët demokratë ligjet i interpretojnë dhe zbatojnë mbi legjitimitetin e nevojshëm, ndryshe autoritaristët ligjoren e shfrytëzojnë për interesa sunduese dhe imponim të subjektivitetit të tij aspak të arsyeshëm”, u shpreh ai.

Dialogu e dëmtoi Kosovën

Sipas Kuçit, dialogu më Serbinë kërkon që edhe nëse këtë dialog e përfaqëson presidenti, të zbatojë pozicionin e tij si përfaqësues i unitetit të popullit, apo edhe nëse e përfaqëson Qeveria, njëjtë duhet të veprohet dhe gjithë klasa përfaqë- suese duhet të shprehë një unitet dhe të përfaqësohet Kosova denjë- sisht. “Interpretimi abstrakt i ligjeve siç po ndodh në Kosovë ku presidenti së pari, por edhe Qeveria bëjnë dialog e marrëveshje krye në vete nuk bën pjesë aspak në diskursin dhe praktikën e vendeve demokratike të botës dhe nuk tregon asgjë me shumë se oligarki dhe sundim duke shmangur plotësisht qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre nga jeta publike shtetërore”, vijoi më tutje ai.

Ndërsa deputeti i Kuvendit të Kosovën nga opozita, Ali Lajçi (LVV), për gazetën ” Kosova Sot”, tha se dialogu Kosovë-Serbi ka shkuar në drejtime të dëmshëm për Kosovën dhe si i tillë po vazhdon edhe më tej. “Ndaj, Asociacioni i komunave serbe në këto bisedime me Serbinë duhet që të kushtëzohet nga pala kosovare me sigurimin e karriges në OKB, që është një shkallë graduale e ndarjes në mënyrë juridike e Kosovës nga Serbia dhe është e rëndësishme, sidomos për veriun e Kosovës, të pasur me resurse që do të mbetej në Kosovë, sepse dhe neve jemi të interesuar për një karrige në OKB, por me një tërësi territoriale, e jo që të bëhen sërish kompromise”, vlerë- soi ai.

Sipas Lajçit, duhet që të definohet roli konceptual dhe politik diplomatik dhe shtetëror i Hashim Thaçit. “Së këndejmi, këto bisedime duhet që t’i mbikëqyrë dhe që t’i menaxhojë Kuvendi ku edhe do të debatohej dialogu me palën serbe dhe kurrsesi nuk duhet lejuar që të formohet një asociacion me përkatësi etnike, sepse kjo nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit, e madje as edhe marrëveshja e arritur me Serbinë e vitit 2013, që u bë në Bruksel, por edhe derivati i saj “Zajednica” e vitit 2015, që të dyja janë antikushtetuese, andaj në këto bisedime duhet që të ruhet territori dhe tërësia e Kosovës”, tha Lajçi.

Duhet konsensus politik

Deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu (i pavarur), tha për ” Kosova Sot”, se dialogu Kosovë- Serbi, që nga fillimi i tij ka qenë një proces i menaxhuar keq dhe tash e tutje duhet t’i ketë qëllime, të cilat Kosova duhet që t’i paraqesë dhe që synon t’i arrijë, që është synimi ynë i parë. “Ndërsa nën dy, duhet që të ketë një konsensus të plotë jo vetëm me spektrin politik, por me tërë shoqërinë e Kosovës me qëllim që çfarëdo forme e vazhdimit të dialogut, ai ta ketë mbështetjen e plotë të qytetarëve të Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk guxon që të udhëhiqet nga ata që nuk kanë mandat as kushtetues, as ligjor, por çdo gjë duhet që të mandatohet nga Kuvendi i Kosovës”, vijoi më tej ai.

Uji Dea

Juristi Sejdiu thotë se ka pasur thashetheme se janë arritur marrëveshje të fshehta në mes të dy vendeve. “Por, tash e tutje çfarëdo që arrihet me dialog me Serbinë dhe një nga këto pika janë edhe të pagjeturit, për të cilët biseduam sot dhe që ende vazhdon të jetë njëra nga plagët e mëdha të shoqërisë sonë, prandaj çdo gjë duhet të bëhet në koordinim të plotë të shoqërisë sonë dhe të mandatuar nga ana e Kuvendit të Kosovës”, theksoi Sejdiu.

Qytetarët nuk i besojnë presidentit

Veç analistëve politikë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitar dhe të pavarur, edhe qytetarët e anketuar thonë se janë ata të pakënaqur me rolin e deritashëm të Hashim Thaçit në bisedimet me Serbinë. Qytetarët vlerësojnë se presidenti po përpiqet që të dialogojë me Serbinë në fazën përfundimtare vetëm për t’u paraqitur kryesori dhe për të shpëtuar lëkurën e tij.

Sipas qytetarëve, ky president në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që të dialogojë me Serbinë pas një mori marrëveshjesh të dëmshme. Qytetari Nuhi Salihu tha për “Kosova Sot” se Hashim Thaçi për të ardhur në pushtet pas lufte ka dhënë para të majme që të vijë në pushtet dhe ka marrë këto këshilla: “Ta dobë- sojë shtetin dhe ta fundosë shtetin dhe ekonominë dhe më pastaj që ta shtrijë fukarallëkun në tërë vendin dhe të poshtërojë qytetarët dhe në këtë mënyrë ai do të ecë përpara”.

Sipas tij, kjo ka qenë agjenda e tij, sepse Kosova tash e 20 vjet po punon vetëm për Hashim Thaçin, për mirëqenien e tij dhe për askënd tjetër. “Vërtet po habitem se si po lejon ky Parlament që Hashim Thaçi të jetë kryetar i shtetit dhe t’i përfaqësojë shqiptarët. Unë nuk e di se si është zgjedhur ai në këtë post, por unë për veten time nuk e pranoj se Hashim Thaçi është kryetar i Kosovës”, potencoi ai.

Edhe qytetari Jakup Shala, për “Kosova Sot”, thotë se në asnjë mënyrë Kuvendi i Kosovës nuk duhet lejuar që në bisedimet me Serbinë të dialogojë vetëm një person, qoftë ai Hashim Thaçi apo kushdo tjetër. “Për fatin e bisedimeve dhe për të gjitha marrëveshjet me Serbinë duhet të vendosë Kuvendi i Kosovës dhe populli duhet që ta dijë se për çka po vendoset për të ardhmen e Kosovës e jo që për Kosovën të vendosë Hashim Thaçi që po e shet territorin e Kosovës dhe po formon enklava sikurse në Bosnjë dhe Hercegovinë”, u shpreh ai.

Ndërsa qytetari Mustafë Halili tha për ” Kosova Sot” se funksionimi i këtij shteti dhe liderët që i mbajnë pozitat e larta shtetërore janë në bazë të Kushtetutës së vendit dhe kështu duhet që të jetë, sepse ajo është votuar nga ana e Kuvendit dhe deputetëve, ngase ata e përfaqësojnë popullin në Kuvend. “Shumë marrëveshje me Serbinë, që janë bërë, nuk kanë kaluar përmes Parlamentit dhe ato na kanë sjellë shumë dëme, e sot po diskutohet se si të riparohen këto dëme të marrëveshjeve që i ka arritur Kosova përmes Hashim Thaçit me Serbinë, ndaj kjo do të jetë shumë e vështirë që të riparohet”, theksoi ai. “Na nevojitet doemos ekipi i unitetit dhe në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që vetëm një njeri të vendosë për Kosovën për asnjë nivel, e posaçërisht për marrëveshjet ndërkombëtare, për të cilat duhet raportuar në Kuvend”, tha Halili. Sipas tij, Serbia tashmë po e kërkon “Zajednicën” dhe njerëzit ende nuk e dinë se çfarë ka nënshkruar Hashim Thaçi në Bruksel për “Zajednicën” serbe.

(Kosova Sot)