UBT

Për çka u ankua Qëndron Kastrati tek Hykmete Bajrami, cilat janë ankesat e kreut të Kamenicës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kamenica njëmend nuk ka numrin e madh të banorëve, mirëpo është një nga komunat me territorin më të madh në Kosovë. Kamenica është sa 5 herë Fushë Kosova. Kamenica mbulon territor 40 herë më të madh se Mamusha. Kjo do të thotë që kostoja e shërbimeve që ofrojmë është shumëfish më e lartë, si në shëndetësi, në arsim, shërbime publike e në të gjithë sektorët të cilët i mbulojmë. Kjo nënkupton jetë më të shtrenjtë e më të vështirë për qytetarët tanë. Kjo nënkupton një vëmendje më të shtuar nga niveli qendror. Jo, anashkalim e fyerje për komunitetin tonë ka thënë Qëndron Kastrati në takimin me Hykmete Bajramin.

Fjalimi i Qëndron Kastratit në takim me ministren e Financave Hykmete Bajrami dhe kryetarët e Regjionit:
E nderuar ministre Bajrami,
Për shumë organizata buxhetore, ky vit është i zakonshëm në raport me kërkesat e përvitshme për investime kapitale. Për Komunën e Kamenicës nuk qëndron një situatë e tillë. Për 20 vite me radhë Kamenica ka pranuar një trajtim të pabarabartë në raport me investimet e përfituara nga niveli qendror. Formula e padrejtë e ndarjes së Grantit të Përgjithshëm; anashkalimi nga ana e Ministrive për arsye të investimeve të motivuara nga përfitimi elektoral; të qenit komunë kufitare pa qarkullim dhe ndërlidhje me projektet strategjike kombëtare; e kanë lënë Kamenicën të pazhvilluar, të paperspektivë dhe të pashpresë. Për të ardhur në këtë gjendje nuk ka mjaftuar një vit, dhe për ta ndërruar këtë gjendje nuk do të mjaftojnë as 10 vjet. Mirëpo, duke shpresuar në korrektësinë e motiveve tuaja të qeverisjes dhe duke besuar që sot është koha, në mos shumë vonë, ju drejtohem me këtë kërkesë për kthimin e vëmendjes nga ky komunitet i shmangur.

E nderuar ministre Bajrami,
Kamenica njëmend nuk ka numrin e madh të banorëve, mirëpo është një nga komunat me territorin më të madh në Kosovë. Kamenica është sa 5 herë Fushë Kosova. Kamenica mbulon territor 40 herë më të madh se Mamusha. Kjo do të thotë që kostoja e shërbimeve që ofrojmë është shumëfish më e lartë, si në shëndetësi, në arsim, shërbime publike e në të gjithë sektorët të cilët i mbulojmë. Kjo nënkupton jetë më të shtrenjtë e më të vështirë për qytetarët tanë. Kjo nënkupton një vëmendje më të shtuar nga niveli qendror. Jo, anashkalim e fyerje për komunitetin tonë. Ndërsa në vitin 1960 Kamenica ka regjistruar 1760 lindje, në vitin 1990 – 775 lindje, vitin e kaluar kemi shënuar 228 lindje. Kjo shifër është brengosëse. Dhe nuk është vetëm shifër, është tregues i jetës së vështirë, humbjes së shpresës e në fund largimit nga vendi i lindjes, i gjyshërve, i stërgjyshërve.

Mobi Casa

E nderuara Ministre Bajrami,
Kërkesa ime për ju nuk është për diskriminim pozitiv apo trajtim të veçantë, edhe pse kjo do të duhej të ndodhte. Kërkesa jonë është që Kamenica të ketë trajtimin e barabartë me komunat e tjera. Në mënyrë që jetesa e banorëve të kësaj ane të lehtësohet, migrimi të mos jetë problem kronik, e vështirësitë në menaxhimin e investimeve të ulëta ofenduese të mos jenë problem i papërballueshëm për qeverisjen.

Propozimet për investime kapitale nga Komuna e Kamenicës janë vetëm trajtim i dinjitetshëm, më e pakta që kjo qeveri mund të bëjë. Andaj shpresojmë në seriozitetin e trajtimit të kërkesës sonë.
Për fund, ne ju jemi mirënjohës për bashkëpunimin e deritanishëm.
Faleminderit!