KKVITI

Për çfarë do ta mbajë në mend Qosja vitin 2012

/ 6 minuta lexim
Fundamenti

Akademik Rexhep Qosja në këtë intervistë ekskluzive shpalos pikëpamjet e tij për vitin 2012 dhe çfarë pritet për vitin që sa kemi hyrë.

Në një moment kulmor të historisë kombëtare të shqiptarëve, sikurse ishte mbyllja e një kapitulli një shekullor të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, bashkëbisedimi me një personalitet të shquar të kulturës sonë, Akademikun Rexhep Qosja, merr një domethënie të veçantë.

Në këtë intervistë ekskluzive në kapërcyell të viteve 12 dhe 13, Profesor Qosja shpalos pikëpamjet e tij se çfarë duhet të mbajmë mend dhe çfarë duhet të harrojmë nga viti që sapo kemi lënë pas dhe ku duhet t’i përqendrojmë synimet tona kombëtare në vitin që sapo kemi hyrë. Si gjithnjë, ai është tej mase kritik ndaj hipokritëve që luajnë me idenë e bashkimit kombëtar dhe parashtron opsionet dhe hullitë në të cilat duhet të ecin shqiptarët për realizimin e aspiratës së tyre kombëtare.

“Profesor Qosja, për çfarë duhet mbajtur mend viti 2012”, ka pyetur GT.

Unë vetë Vitin 2012 do ta mbaj mend për një varg ngjarjesh, një varg të mirash e të këqijash, që kanë ndodhur në jetën tonë në këtë vit.

Do ta mbaj mend vitin 2012 për 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, që na e ktheu në mendje në mënyrë të veçantë të kaluarën e rëndë po të lavdishme të krijimit të Shqipërisë dhe që na nxiti më thellësisht të mendojmë për të sotmen dhe për të ardhmen tonë.

Do ta mbaj mend vitin 2012 sepse në këtë vit ka përfunduar mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës

Mobi Casa

Do ta mbaj mend vitin 2012 për shtimin e dukshëm të vendeve që e kanë njohur Kosovën shtet i pavarur dhe sovran.

Do ta mbaj mend vitin 2012 për lirimin e Ramush Haradinajt e dy bashkëluftëtarëve të tij prej Gjykatës së Hagës. Për Kosovën është ky vendim historik i gjykatës së Hagës.

Do ta mbaj mend vitin 2012 për vetëdjegien e dy protestuesve – ish të përndjekur politikë në Tiranë, ndërsa kryeministri i Shqipërisë nuk pranonte të bisedonte me ta dhe ashtu t’i shpëtonte prej tragjedisë që pësuan. Ky krim i një qeveritari shqiptar në shekullin njëzet e një, si as vrasjet e 21 janarit, si as tragjedia e Gërdecit, nuk guxon të harrohet dhe, në qoftë se Shqipëria do që bëhet shtet normal, nuk guxon të kalojë pa trajtim juridik gjyqësor.

Do ta mbaj mend vitin 2012 për primitivizmin e përshtrirë dhe të përthelluar në Seksionin e Gjuhës e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që tregohet edhe si mosdurim, xhelozi dhe urrejtje ndaj më të talentuarve dhe më të merituarve për t’u pranuar në këtë Akademi. Edhe kësaj here pronarët e Akademisë të mbledhur në këtë Seksion refuzuan të pranojnë krijuesit që kanë varg të gjatë veprash cilësore shkencore a letrare. Ata që e dinë gjendjen në krijimtarinë tonë shpirtërore e kanë të qartë se Adem Demaçi, Ramiz Kelmendi e Rexhep Hoxha, fjala vjen, që moti është dashur të jenë në këtë Akademi.
Ata që e dinë gjendjen në studimet tona albanologjike sot, ata e kanë të qartë se vetëm një vepër historiko letrare e Agim Vincës dhe vetëm vepra e fundit e Shefkije Islamajt për gjuhën e stilin e Gjergj Fishtës vlejnë sa e gjithë krijimtaria e disave bashkë që tani e sa vjet janë pronarë të asaj Akademie.

Do ta mbaj mend vitin 2012 edhe për vetëvrasjen a vrasjen e Dino Asanajt. Vetëvrasja a vrasja e tij, prej njerëzve që mendojnë me kokë të vet, është parë si krim mafie i përgatitur më gjatë dhe ka sjellë pasiguri në Kosovë. I kemi lexuar gazetat që i kanë bërë shumë shantazhe të poshtra! I pamë, edhe njerëzit që po ashtu i kanë bërë shantazhe. Tragjedia e tij, megjithatë, po harrohet! A në kësi shteti që i mbulon, i fsheh, krimet dhe kriminelët duhet të jetojmë, a?

Do ta mbaj mend vitin 2012 edhe për rënien politike dhe shoqërore që në institucionet politike e shtetërore tregojnë ish të burgosur politikë duke i kaluar në heshtje edhe disa të këqija të rënda që po ndodhin në jetën tonë, në njërën anë, kurse duke u kapardisur me privilegjet e shumëllojshme, që po gëzojnë edhe vetë, në anën tjetër.

Besoja se ata nuk do t’i heshtin të këqijat që mund të ndodhin në Kosovë; besoja se ata nuk do të pajtohen që kuadro të Millosheviçit, e tani kuadro politike e shtetërore të Kosovës, do të arrijnë të bëhen edhe anëtarë të Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës; besoja se ata nuk do të lejojnë që vetje me jetëshkrime të dyshimta politikisht, që asnjë të mirë s’ia kanë bërë Kosovës, të bëhen deputetë, këshilltarë zyrtarësh më të lartë apo, madje, edhe diplomatë; besoja se ata nuk do të lejojnë që zyrtarë të regjimit të Millosheviçit në Kosovën e pas 1981-it dhe “luftëtarët” e paepur kundër UÇK-së dhe luftës çlirimtare, të arrijnë të “pastrohen” rrënjësisht dhe të bëhen “shpëtimtarë” të Kosovës prej atyre që e kanë çliruar dhe bërë shtet! Dhe, ky besim që kisha në ta, në ish të burgosurit politikë, dikur më bënte t’i mbroja prej atyre që u vinin gjithfarë etiketash dhe shkruanin kundër tyre si kundër armiqve të popullit! E shoh se paskam pasur shumë iluzione për ta, për përkushtimet e tyre ndaj të drejtës, të vërtetës dhe demokracisë!/Indeksonline/