Për çfarë akuzohet menaxhmenti i spitalit të Gjilanit
Gjilan – Aktakuza e ngritur nga departamenti për krime të rënda i ngarkon Besim Gudën dhe Hazir Hazirin për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës ose autoritet zyrtar”.
Aktakuza e ngritur nga prokurori Agron Uka e ngarkon Besim Gudën se në cilësi të personit zyrtar, si drejtor ekzekutiv në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t`i shkaktojë dëm personit tjetër dhe me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, ashtu që edhe përkundër faktit që Ilir Selimi pronar i objektit Kantina”Vitamina”, nuk ka pasur fare kontratë për shfrytëzimin e hapësirës së një pjese të oborrit të spitalit regjional në Gjilan për gjatë vitit 2015, i njëjti nuk ka ndërmarrë kurrfarë masash për ndalimin e veprimtarisë, përkatësisht mbylljen e lokalit deri në përfundimin e procedurave të ligjit mbi prokurimin, por ka vazhduar që të kryej pagesat për shpenzimet e rrymës dhe ujit, ashtu siç kanë qenë të specifikuara në kontratat e mëhershme, pra për vitet paraprake deri në dhjetor të viti 2014 dhe me këtë ka dëmtuar buxhetin e spitalit në shumën prej 7000 eurove.
Edhe Haziri Haziri akuzohet se ka qenë në dijeni se objekti Kantina “Vitamina” ka qenë i vendosur në oborrin e spitalit.
Aktakuza gjithashtu e ngarkon Besim Gudën edhe se gjatë pranimit të aparaturës “Grafi Digjitale OE” i kanë lëshuar mjetet operatorit ekonomik “Kosova Med’ me datën 16 janar 2016 shumën prej 55 mijë eurove, edhe pse paraprakisht është dashur që të bëhet testimi dhe pranimi teknik i aparatit në fjalë e më pas t`i lëshohen mjetet operatorit ekonomik./rajonipress/


