Për blloqet e thyera
Nga Enis Veliu – Partitë e bllokut opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, si duket po i numërojnë ditët e fundit të një “bashkëjetese” shtatëmujore.
Dikur ishin armiq mes vete, akuzonin rëndë njëra-tjetrën për haraç e veprime të tjera të pista. Por, një kauzë e përbashkët, ndonëse jo e sinqertë, ajo për anulimin e Marrëveshjes për Demarkacionin dhe Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë i bashkoi deputetët e tri partive opozitare.
Në fillim “ofensivën” e tyre e nisën, ashtu siç e bën publike paraprakisht, duke kundërshtuar ashpër dhe duke debatuar në Kuvendin e Kosovës, por që në fillim u shfaqën kërkesa të ndryshme.
Ata (opozita) një herë kërkonin nga kryeministri që të raportojë në Kuvend para deputetëve për këto dy çështje, por kur kryeministri bëri një gjë të tillë, ata çuditërisht e kundërshtonin atë, duke e gjuajtur me vezë dhe me ujë.
Pikërisht ishte kjo seanca e parë dhe e fundit, ku nga opozita kërkohej anulimi i dy marrëveshjeve. Më pas gjërat ndryshuan në tërësi, Demarkacioni dhe Asociacioni pothuajse u harruan, por vetëm kërkohej dorëheqja e kryeministrit Mustafa dhe mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend, mundësi kjo që u kundërshtua në mënyrë kategorike nga koalicioni qeverisës, LDK – PDK.
Me kërkesën për dorëheqje të Qeverisë u organizuan edhe protesta masive, ndonëse rezultati ishte zero. Pas protestave të fundit presidentja Jahjaga i ftoi në dialog liderët e opozitës, së cilës ftesë i është përgjigjur vetëm Ramush Haradinaj.
Ndaj veprimit të Haradinajt reagoi ashpër homologu i tij i partisë më të madhe opozitare, Visar Ymeri, i cili deklaroi se Ramushi gaboi që shkoi në takim. Këtu edhe nisën përçarjet e para mes liderëve të opozitës, e cila kulmoi me protestën e planifikuar të 26 marsit, e cila dështoi me mungesë të konsensusit të brendshëm opozitar.
Madje, për dështimin e kësaj proteste Haradinaj akuzoi rëndë Visar Ymerin e LVV-së.
Për shtatë muaj radhazi blloku opozitar përmes përdorimit të gazit lotsjellës disa herë tentoi ta pengojë zhvillimin normal të seancave plenare të Kuvendit të Kosovës. Por, edhe kjo mënyrë në fund rezultoi si e pasuksesshme. Thuajse të gjithë deputetët e opozitës përfunduan në burg e në arrest shtëpiak. Ndaj disave kanë filluar edhe procese gjyqësore.
Të ndodhur para veprimeve të tyre të pasuksesshme, por të neveritshme për masën, ishte lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, që ndërroi qasjen duke tërhequr deputetët e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe duke vazhduar kundërshtimin jashtë objekteve institucionale, por edhe kjo përpjekje rezultoi e dështuar.
Protesta e paralajmëruar për të shtunën e javës që lamë pas nuk u mbajt fare, për shkak të moskonsensusit të brendshëm, por edhe numrit të vogël të personave që kishin shprehur interesim për të protestuar në shesh, jo për anulimin e Asociacionit e të Demarkacionit, por për dorëheqjen e kryeministrit Mustafa.
Por, nuk është hera e parë kjo që po çahet blloku opozitar për interesa të individëve të caktuar. Pikërisht ishte Isa Mustafa, kryeministri aktual i shtetit, që më parë theu bllokun e formuar menjëherë pas zgjedhjeve të fundit nacionale në vend LDK-AAK-LVV, si mundësi e vetme për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve.
E tash si duket lideri AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë këtë mision për t’i zhbllokuar institucionet e vendit.
Deri më tash veprimet e opozitës dhe nganjëherë reagimet e pamatura të pozitës kanë dëmtuar rëndë vendin si në aspektin politik, por aq më shumë edhe në atë ekonomik. Në aspektin politik shteti është dëmtuar në masë të madhe, ngase Kosova më nuk e ka atë përkrahjen e fuqishme të shteteve mike që në masë të madhe kanë punuar për pavarësinë e vendit.
Ndërkaq në aspektin ekonomik, gjatë kësaj periudhe gati njëvjeçare shteti nuk ka pasur asnjë progres të theksuar ekonomik.
Problemet e shfaqura në fillim në Kuvend dhe më pas nëpër rrugë duke kundërshtuar Qeverinë e që gati gjithherë kanë përfunduar me dhunë mes Policisë dhe protestueseve, para biznesmenëve ndërkombëtarë kanë krijuar një pasiguri të madhe, pasi që askush nga ta nuk investon milionat në një vend, ku shteti nuk mund t’u ofrojë siguri sa duhet, por edhe kur situata mund të eskalojë brenda ditës.


