Për “bishtin e Gjarprit” nuk duhet të digjet Kosova

Disa javë më parë, pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e vizitoi Kanadanë dhe mediet atje janë aktivizuar me lajme tepër negative, që flasin për të kaluarën dhe të tashmen e Hashim Thaçit, si president i shtetit të Kosovës dhe ish-figurë e lartë e UÇK-së. Arsyeja e vetme është historia e dyshimtë e tij, e lidhur fort gjithandej me krimin e organizuar. Në një editorial të shkruar nga redaktori i revistës “Esprit De Corps”, Scott Taylor, të publikuar në gazetën kanadeze “The Hill Times”, theksohet se Hashim Thaçi është i akuzuar për kriminel dhe bandit.
Analistët politikë e shtrojnë pyetjen se çfarë imazhi po i jep vendit presidenti Hashim Thaçi, i cili është edhe një ndër të akuzuarit kryesor nga Dik Marti, akuzat e të cilit edhe u bënë bosht i krijimit të Gjykatës Speciale, se për çfarë imazhi të shtetit të Kosovës mund të flitet kur presidenti i shtetit njihet si i dyshuar për krim? Sipas njohësve të zhvillimeve politike, nga kjo situatë po dëmtohet Kosova tepër seriozisht me këtë imazh që kanë pushtetarët tanë në krye të tij, kur kemi parasysh faktin e hidhur se politikanët janë të lidhur thellë me krimin e organizuar dhe kjo gjendje po raportohet edhe në mediet e huaja. Analisti politik Gani Qarri konstaton se, fatkeqësisht, kohët e fundit, të gjithë jemi dëshmitarë se si Hashim Thaçi ka zgjedhur rrugën e gabuar të shfaqjes së inateve personale ndaj ambasadorëve të vendeve të Quintit, duke i dëmtuar rëndë kështu raportet e mira shumëvjeçare edhe me aleatët më të mëdhenj të Kosovës.
Presidenti u kthye kokulur
Sipas Qarrit, presidenti, duke u distancuar në mënyrë të heshtur dhe injoruese nga këto shtete, para disa javësh, qëndroi një javë në Kanada, ku me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të stafit të tij për të aranzhuar ndonjë takim sado të shkurtër, qoftë edhe për një minutë të vetme dhe fotografim simbolik me kryeministrin apo udhëheqësit e tjerë më të lartë të këtij shteti fqinj, të SHBA-së, ai jo vetëm se dështoi keq, por u kthye tërësisht i injoruar, kokulur dhe pa asnjë takim bilateral me homologun e atjeshëm. “Për aq më keq, shkaku i historive të dyshimta, që tash e sa kohë atë kudo dhe pareshtur e përcjellin, për lidhjet e forta dhe të gjithanshme me krimin e organizuar, mediet e atjeshme jo vetëm se janë aktivizuar me lajmet më të këqija për të, por edhe në editorialin e shkruar nga redaktori i revistës së njohur “Esprit De Corps”, Scott Taylor, të publikuar në gazetën kanadeze “The Hill Times”, theksohet me shkronja të mëdha se si “Hashim Thaçi është i akuzuar për kriminel dhe bandit”. Madje, së fundmi bie hapur në sy se Thaçi, me sjelljet e tij frustruese dhe aspak diplomatike jo vetëm që kritikon vend e pa vend, ashpër dhe pareshtur, vendet ndërkombëtare pa dallim, lidhur me reagimet e tyre për tendencën e shfuqizimit të Gjykatës Speciale nga ai, por tanimë ky ka nisur një ofensivë konfrontimi edhe me miqtë më të mëdhenj të shtetit tonë, për qasjet e tyre kritike kundër udhëheqjes së inkriminuar të Kosovës”, u shpreh analisti Gani Qarri për “Kosova Sot”.”Sjelljet dhe qëndrimet e tij, me veprime kaq joparimore, cinike dhe fare të pamatura, edhe ndaj fuqive botërore nga të cilat kryekëput varet ekzistenca dhe perspektiva jonë si popull, jo vetëm se po e shkatërrojnë tërësisht imazhin e vendit tonë ende të brishtë dhe në shtetndërtim, por, megjithatë, Thaçi po bën edhe sikur po harron se pikërisht vetë ai është një ndër të akuzuarit kryesor nga Dick Marti, kundër të cilit me gjithë premtimet e bujshme nuk ngriti padi asnjëherë. Akuzat e Martit, siç është e njohur, u bënë boshti determinues i krijimit të Gjykatës Speciale, të cilën vetëm para dy vitesh, ai me dëshirë e votoi vetë dhe u bëri presion edhe deputetëve që ta votonin, kurse tani ngrihet kundër të gjithëve dhe me një akt klandestin përpiqet që ta shfuqizojë tërësisht dhe krejt atë, brenda vetëm një nate”, vijoi më tutje ai.
Dorëheqja e domosdoshme
Edhe analisti politik Reshat Badallaj pohon se deshëm apo s´deshëm ne kjo që shkruhet dhe flitet, e dhe mbi të gjitha kur zyrtarisht Hashim Thaçi, president i Republikës se Kosovës, mund të akuzohet nga Gjykata Speciale, e dëmton tepër rëndë imazhin e vendit. Badallaj konsideron se tani është momenti kyç kur presidenti Thaçi, në të mirë të shtetit të Kosovës, për ruajtjen e imazhit të tij, do të duhej dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. “Për të treguar veten dhe burrërinë, për të treguar se ai vërtet e do vendin e vet, për të treguar veten se vërtet Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar një luftë të pastër si loti, bashkë me NATO-n që mori pjesë ai menjëherë duhet të dorëhiqet. Të dorëhiqet deri në atë moment që Gjykata Speciale ta shpallë të pafajshëm. Këtu nuk po flas për luftën e pastër të UÇK-së se dihet se nuk ka mundësi jo vetëm kjo gjykatë por askush në botë nuk mund ta njollos, sepse UÇK-ja, ka zhvilluar luftë brenda territorit të saj, duke e mbrojtur pragun, vendin nga barbarët më të tmerrshëm në tërë Evropën, banditët e Drazh Mihajlit, çetnikut famëkeq dhe se nuk mund të njolloset se ishte në luftë kundër hordhive çetnike bashkë me NATO-n dhe dua të them po u njollos UÇKja, njolloset edhe NATO-ja, por diçka tjetër është kur akuzohesh si individ”, u shpreh ai. “Pastaj, për të mos e humbur imazhin e Kosovës dhe për të mos e barazuar me Kolumbinë, që flitet se ka bashkëpunuar edhe si NARKOMAN, po ashtu duhet të japë dorëheqjen deri në zbardhjen e rastit, sepse në qoftë se i digjet ‘bishti Gjarprit’ nuk do të thotë që të digjet krejt Kosova”, theksoi Badallaj për “Kosova Sot”.
VETTING-u në vend të Speciales
Analisti Skënder Kapiti thekson se nëse Gjykata Speciale ngrihet vetëm për të ndëshkuar disa individë si Hashim Thaçi për shembull, e disa të tjerë, kjo është një gjë shumë e dëmshme për imazhin dhe për autoritetin e shtetit të Kosovës.
Ai preferon që si zëvendësim për Specialen të miratohet urgjentisht Veting-u, model i ngjashëm me atë në Shqipëri.”Kjo jo për faktin se nuk duhet gjykuar dhe ndëshkuar individë si ky presidenti, por edhe të tjerë, të cilët akuzohen publikisht e mediatikisht, por kjo për faktin se si ka mundësi që drejtësia kosovare dhe EULEX-i e UNMIK-u dështuan në vendosjen e sundimit të ligjit njëlloj për të gjithë qytetarët e Kosovës. Unë jam kundër Gjykatës Speciale, pasi mendoj se edhe ajo mund të dështojë dhe për këtë unë do të isha dakord që ajo të shfuqizohej, por ama urgjentisht të miratohet një ligj VETTING, i monitoruar dhe drejtuar nga profesioniste amerikane, ashtu si në Shqipëri. Kjo do të ishte zgjidhje më e drejtë dhe më me rezultat që ka nevojë Kosova dhe jo Gjykatë Speciale apo me ndonjë emërtesë tjetër”, u shpreh ai. “Mungesa e vullnetit politik të të gjitha partive politike në Kosovë për miratimin e një ligji VETTING tregon se ato janë të gjitha të kapura nga krimi, hajnia dhe korrupsioni. Gjykata Speciale ka shkaktuar edhe një çoroditje të opinionit, ku ata të cilët duhet të paraqiten prej saj spekulojnë me vlerat dhe me luftën heroike të UÇK-së, prandaj këtë e kapin si arsye pse ata e kundërshtojnë atë”, potencoi Kapiti për “Kosova Sot”. Sipas tij, ka nga ana tjetër shumë nga ata që janë entuziastë, pasi e shohin forcimin e tyre për karrierë politike, sepse mundet që të largohen rivalët e tyre edhe brenda partive që u përkasin, por ka edhe nga nostalgjikët e ish-regjimit sllavo-serb, të cilët nuk e kanë shumë hallin vetëm te ndëshkimi i atyre që akuzohen për krime, por më shumë ata entuziazmohen pasi urrejnë luftën dhe luftëtarët e UÇK-së, sepse lufta e saj dhe NATO-ja ua prishën rehatinë dhe kumbarinë që ata kanë pasur në atë regjim dhe në ato kohëra, si puthadorë dhe si shërbë- torë të tij.
(Kosova Sot)