Për avancim të gazetarisë, po edhe në mbrojtje të punës e profesionit

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Në ditën botërore të medieve Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” ka kërkuar nga gazetarët e rajonit të Anamoravës që çdo ditë e më shumë ta avancojnë profesionin e tyre, por njëkohësisht edhe të mbrojnë punën e tyre para kërcënimeve e presioneve. Për ditën e medieve klubi ka marrë urime nga Qemajl Mustafa, Rexhep Kadriu, Arben Mehmeti, Avni Rudaku, Lutfi Haziri, Omer Daku, Flamur Hyseni, Selvete Shurdhani, Ismet Hashani, Elmina Mahmuti, Jetish Maloku, shoqëria civile, shumica e OJQ-ve vendore dhe ndërkombëtare etj.

Edhe në rajonin e Anamoravës dita e medieve po shënohet me aktivitete për të përkujtuar edhe njëherë këtë ditë të veçantë që u dedikohet gazetarëve. Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” nën ombrellën e të cilit me vite kanë punuar dhe ende punojnë shumica medieve e ka quajtur një vit të rëndë dhe me plotë sfida.”Së pari u ballafaquam me një nen famoz (38)i cili pas shumë presioneve deri diku plotësojë kërkesat e gazetarëve. Pastaj pati shumë sfida e telashe ku gazetarët ishin cak i sulmeve, kërcënimeve, shantazheve etj. “ thuhet në një reagim të Musa Sabedinit kryetar i Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu”.

Sabedini ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur më tepër interesim sesa këtë vit për të dënuar dhe gjykuar gazetarët.”Vet fakti se mafia dhe grupet kriminale të interesit kërkojnë kokat e gazetarëve përmes gjykatave apo dëmshpërblimeve tregon qartë se në çfarë pozite ndodhet medie e lirë dhe e pavarur në Kosovë” ka shtuar Sabedini.

Sabedini ka thënë se krahas këtyre sfidave të shumta gazetarët për asnjë moment nuk duhet të dorëzohen, dhe nuk guxojnë të jenë viktimë e asnjë shantazhi a kërcënimi. Përkundrazi këto dukuri e akte kërcënuese duhet të jenë edhe një motiv më tepër për ta avancuar punën e tyre profesionale.

Gazetaria në Anamoravë ka ende nevojë që të jetë e ngritur profesionalisht. Kurse nga institucionet komunale, policia, gjykatat dhe prokuroria kërkojmë që të jenë më transparente dhe mos t`i fshehin burimet. “Realisht ka një progres tek zyrja për informim e Kuvendit Komunal, por ajo duhet të jetë me atraktive në shpalosjen e burimeve që i kërkojnë gazetarët. Prokuroria dhe Gjykata në mungesë të zëdhënësve vazhdojnë të mbesin edhe më tutje “terri” informative për çka ne jemi të interesuar që aty të dominojë transparenca” ka thënë Sabedini.

Ndryshe në ditën botëror të medieve Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” i kanë arritur shumë urime e telegrame duke filluar nga kryetari i komunës Qemajl Mustafa.

Shefik Surdulli zëdhënës i komunës, në emër të të parit të komunës dhe të tij, ka uruar gazetarët për siç tha, që për çdo ditë, për çdo moment, përballen me shumë vështirësi për ta përcjell të vërtetën për zhvillimet në përgjithësi, jo vetëm në komunë, përmes fjalës së lirë, ashtu si e shohin dhe mendojnë.

“Ne, si institucione të komunës, veçanërisht Zyra e Informimit, vlerësojmë lartë punën tuaj profesionale prej gazetari, me ndonjë përjashtim dhe urojme ditë më të mira për ju në mënyrë që ta realizoni misionin tuaj në ploteni, prej mediumi të pavarur e profesional. Ne, me të gjitha mundësitë dhe kapacitetet tona do të jemi në disponimin tuaj sa herë që ju keni nevojë ka thënë Surdulli.

Mobi Casa

Edhe Rexhep Kadriu nga AAK e ka vlerësuar lart dhe çmuar punën e medieve. “Gazetarët janë bërthamë e rëndësishme e çdo shoqërie. Ju urojë për këtë ditë të veçantë dhe urojë që sa më pak telashe e presione të keni në punët e juaj të përditshme” ka thënë Kadriu.

Omer Daku nga AKR e vlerëson tepër të dobishme punën e medieve gjilanase.”Pa media të lira e të mira ne vështirë do të mund të komunikojmë me publikun. Puna e jonë pasqyrohet ekskluzivisht përmes gazetarëve gjilanas dhe unë i jam mirënjohës për përkushtimin e tyre të sinqertë” tha Daku.

Lutfi Haziri nga LDK thotë se as që mendohet demokracia e shëndoshë pa medie të lira e profesionale.”Puna që ju bëni është për çdo admirim e përkrahje. Jam ithtar i gazetarisë profesionale dhe moderne. Gazetarët e Gjilanit përmes Klubit të tyre “Beqir Musliu” kanë treguar se dinë të jenë atraktivë dhe në shërbim të punës së tyre” tha Haziri.

Edhe Avni Rudaku nga VV e vlerëson shumë domethënës punën e medieve të lira. “Mediet në Gjilan kanë treguar një korrektësi dhe profesionalizëm të duhur i cili vërtet meriton të përkrahet” ka thënë Rudaku.

Edhe Selvete Shurdhani nga PD dhe Ismet Hajdini nga PSD e kanë çmuar rolin dhe kontributin që kanë dhënë mediet e Anamoravës.

Flamur Hyseni nga shoqëria civile dhe profesor universitar thotë se gazetarët e Anamoravës vërtet janë të përkushtuar dhe e kryejnë me nder dhe pa qenë anues punën e tyre. “Gjilani dhe në përgjithësi Anamorava ka një kulturë të lartë informimi dhe kjo është arritur falë medieve dhe gazetarëve gjilanas e cila edhe është pjesë e emancipimit shoqëror” vlerëson Hyseni.

Klubit të Gazetarëve “Beqir Musliu” telegrame i kanë arritur edhe nga Sabit Rrustemi nga Ars Club “Beqir Musliu” , Zyra për informim e Policisë së Gjilanit, Prokuroria e Gjilanit, të gjitha zyrat për informim të komunave të Anamoravës.

Urim të veçantë Klubi ka marrë edhe nga Bajrush Ymeri, Shaip Surdulli, Refik Halili, Lulzim Canaj, Abdyl Bajrami, Sindikata e Pensionistëve, Shoqata e Pensionistëve të Gjilanit, si dhe shumë organizata e OJQ gjilanase nduke përfshirë këtu edhe OSBE./rajonipress/