Për 6 muaj mandat, Kryeministria nuk i ka emrat për dy pozita në AKP
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sipas Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve, që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, do të duhej që t’ia propozonte Kuvendit të Kosovës dy emra, njërin për pozitën e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Pronës (AKP) dhe tjetrin për zëvendësdrejtor të kësaj agjencie.
Pozita e parë është e zbrazët që nga gushti i vitit të kaluar, ndërkohë që pozita e zëvendësdrejtorit nga korriku i vitit 2014 ushtrohet nga një ushtruese e detyrës së zëvendësdrejtorit ekzekutiv, që sipas rregulloreve në fuqi mund të zgjasë vetëm tre muaj. Mandati, ushtrueses së detyrës së zëvendësdrejtorit ekzekutiv, Florije Kika, i ka përfunduar para gati tetë muajve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që kur është mandatuar Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa, por ende emrat për t’i zënë këto pozita nuk i janë dërguar Kuvendit e Kosovës nga Kryeministria. Në AKP kanë thënë se për arsyet e vonesës së emërimeve në këto pozita duhet pyetur Qeveria, ndërkohë që kjo e fundit nuk ka dhënë kurrfarë përgjigje lidhur me këtë.
http://koha.net/?id=27&l=63264


