Mobi Casa

Për 11 muaj shuhen 934 biznese në Kosovë

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Mungesa e politikave zhvillimore dhe qasja e kufizuar në financa, vlerësohen të jenë disa nga barrierat që çojnë në vështirësi të mëdha bizneset dhe të cilat mund të jenë si faktorë kontribuues në falimentimin e shumë ndërmarrjeve.

Nga 8.826 biznese të regjistruara në Kosovë që nga fillimi i këtij viti, deri më tani janë shuar 934 prej tyre. Kryeshefi ekzekutiv në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmend Mejzini thotë se numri i biznese të cilat janë shuar nuk është brengosës, kur kihet parasysh numri i madh i bizneseve të regjistruara. “Ne nuk i dimë shkaqet e tyre, por një numër prej 934 bizneseve të shuar është numër normal. Këto praktika janë në të gjitha vendet e botës. Duke i krahasuar numrin e bizneseve të regjistruar, mbi 8 mijë, me atë të shuar që është 934 nuk është ndonjë numër shqetësues”, thotë ai.

Numri i bizneseve të shuara, ndërkohë, nga përfaqësues të shoqatave ekonomike vlerësohet të jetë më i lartë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë se numri i bizneseve të shuara në Kosovë nuk është i saktë nga ajo që paraqitet nga institucionet shtetërore për arsye se, siç thekson ai, procedurat e shuarjes së bizneseve janë të vështira. “Bizneset shuhen realisht por ligjërisht nuk shuhen për shkak se procedurat janë shumë të vështira. Sipas të dhënave të AKB-së, në Kosovë numri i bizneseve të shuara është trefish më i lartë se sa i atyre që paraqiten zyrtarisht në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë”, shprehet Shahini.

Procedurat e përcaktuara për shuarjen e bizneseve, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë janë të domosdoshme. “Procedurat e shuarjes së biznesit janë të qarta dhe të paraqitura edhe në ueb faqen zyrtare. Për të shuar një biznes duhet plotësimi i një formulari, por më e rëndësishmja është që nga biznesi kërkohet një vërtetim nga Administrata Tatimore e Kosovës që biznesi i ka kryer të gjitha obligimet tatimore, dorëzohen në ministri dhe më pas fillon mbyllja e biznesit”, sqaron Gazmend Mjezini, kryeshef i Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve.

Eco Higjiena

Për të ndihmuar bizneset, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, vazhdimisht kanë deklaruar se kanë bërë reforma të shumta.

Reformat e bëra, sipas tyre, kanë qenë eliminimi i lejes, reduktimi i numrit të dokumenteve për eksport. Po ashtu, njëra nga lehtësirat që iu është bërë bizneseve, ka të bëjë edhe me regjistrimin e bizneseve, i cili tani bëhet pa pagesë.

Sidoqoftë, përfaqësues të bizneseve thonë se në mungesë të përkrahjes institucionale, bizneset në Kosovë po shuhen. “Faktet se mbyllen bizneset në Kosovë është se aktiviteti i bizneseve çdo ditë po tkurret nga mundësia e vogël e mbështetjes institucionale dhe institucioneve financiare. Po ashtu, konkurrenca e ashpër e cila në Kosovë shumë herë është e pakontrolluar, ndikon në shuarjen e bizneseve”, bën të ditur Mjezini.

Sidoqoftë, sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, prej vitit 2000 e deri më tani, janë regjistruar mbi 100 mijë biznese private. /Rel/