Fundamenti

Pensionohet Profesori e Sportisti Selim Muja që edukoi rininë e Anamoravës

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Jeta gjithmonë i ka peripecitë e saja dhe për një moment arrin zenitin dhe kontributin që jep tërë jetën për të mirën e vendit. Profesori dhe sportisti, Selim Muja, i cili plot 41 vite edukoi me ditar në dorë nxënësit e tij, këto ditë i tha lamtumirë nxënësve, sportistëve e ditarit, këtë dëshirë të madhe të jetës së tij ja ndërpreu pensionimi i merituar.

Profesor Muja, rrugëtimin e tij prej profesori të Edukatës Fizike e filloi si 24 vjeçar në vitin 1977 në Kamenicë për 7 vite, në Dobërqan 6 vite dhe 28 vite në Shkollën Fillore “Selami Hallaqi” në Gjilan ku edhe e gjenë pensionimi.

“Janë këto momente tejet të vështira të ndahesh nga nxënësit, kolegët e nga zilja e shkollës, por janë momente tejet të lumtura të kontribuosh për 41 vite të edukosh breza të ndryshëm të rinjësh, është krenari dhe jam shumë i lumtur që tërë jetën time kam pasur të bëj me nxënës ku ata ishin inspirimi më i madhi i imi dhe do ti kujtoj në çdo moment të jetës sime”, bën të ditur profesori Muja.

Profesor Muja, ishte një pedagog mjaft i respektuar kudo që punoi, ai ka një porosi për nxënësit e gjithë gjeneratave të cilat punoi me ta dhe gjeneratave të ardhshme.
“Nga zemra dhe me shumë respekt i falënderohem të gjithë nxënësve që kam pasur rastin të punoj me ta dhe për respektin që kanë pasur ndaj meje, ndërsa për nxënësit e ardhmërisë kam një apel që të mësojnë, të edukohen dhe të kontribuojnë për shoqërinë Kosovare”

Ndërsa për kolegët e tij, Muja ka vetëm fjalë të mira për plot 41 vite.
“Jam shumë krenar që kam pasur rast të punoj me të gjithë ata profesora dhe stafet e shkollave kudo që kam punuar, jam shumë i privilegjuar që kam pasur rastin të jem pjesë e tyre një falënderim i veçantë ju shkon të gjithë prindërve të nxënësve që kanë pasur besim në punën time dhe këto kujtime gjithmonë do të mbesin për ti mos i harruar kurrë”.

Muja përpos që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në edukimin e nxënësve, ai gjithmonë primare e kishte edukimin e rinisë ne frymën sportive dhe këtë e arriti me mjaft sukses.

Sportisti Muja i lindur në fshatin Hogosht të Kamenicës, ishte vizionar i madh, ai ishte ndër themeluesit e parë të KF Kika të Hogoshtit në vitin 1974, i cili djersiti fanellën plot 10 vite gjerë në vitin 1984 në këtë klub.

“Ishin kohë të arta të gjeneratës së të rinjëve të Hogoshtit dhe të Kikës, kishim entuziazëm të madh, ndërsa t’ju kujtoj se në stadiumin e fshatit mblidheshin gjerë 3000 shikues për ta përcjell ndeshjën, gjithcka ishte sportive dhe me dashuri të madhe mbronim ngjyrat e klubit të Kikës”, shprehet Muja.

RCCOLA

Me të përfunduar karrierën si futbollist aktivë, Muja i dashuruar pas lojës së futbollit kalon në zejen e trajnerit në KF Kika gjerë në vitin 1995-96. Muja me KF Kika arrin rezultate kulminante.

Me KF Kika në vitin 1985 arrinë në kualifikime në Ligën e Dytë të Kosovës, ndërsa në vitin 1991-92 nën drejtimin e tij arrin të bëhet nënkampion i Kosovës duke pësuar humbje nga Trepca’89 në finale me penallti, ndërsa të njëjtin fat e kishte edhe në vitin 1994 duke pësuar në finale me penallti nga Liria e Prizrenit.
“Në mesin tonë kishim shumë futbollist cilësor, por fati në dy rastet na ktheu shpinën dhe u deshtë të pajtohemi me titullin e nënkampionit të Kosovës, por lirisht mund të them se KF Kika gjatë këtyre viteve ka bërë revolucion në futbollin e Kosovës”, kujton Muja.

Trajneri Muja në asnjë moment nuk e ndal aktivitetin e tijë futbollistik, Muja është trajneri i parë që formoi Shkollën e Futbollit me emrin Shkëndija në vitin 1991, duke vazhduar gjerë në vitin 1995.

Në vitin 1995 gjerë në vitin 2013, Muja ka drejtuar Shkollën e Futbollit të KF Gjilanit, me këtë Shkollë të Futbollit, Muja sëbashku me trajnerin Veton Xhemajlin arrinë rezultate kulminante duke u shpallur shumë herë kampion të Kosovës në kategori të ndryshme të futbollistëve.

“Jam i lumtur që kam punuar në kohra të vështira por të lumtura me trajnerin Kemajl Halimi, Refik Rexhepaj, Veton Xhemajli, nën petkun e Gjilanit duke e bërë KF Gjilanin një klub me renome dhe të respektuar në futbollin e Kosovës”, thekson Muja.

Trajneri Muja nuk ndalet, ai hap horizonte të reja duke e themeluar Shkollën e Futbollit “Shkëndija”, së bashku me trajnerin Veton Xhemajlin.
“Aspiratat tona së bashku me trajnerin Xhemajlin, ishin që të punojmë të pavarur për të pasur kualitet edhe më të madh në mesin e futbollistëve, dhe së bashku me Xhemajlin ja kemi arritur qëllimin duke nxjerr talent të së ardhmes dhe t’ju them se trajneri Xhemajli është një trajner mjaft i respektuar dhe me kualitete të larta këtë e ka dëshmuar me punën e tijë”.

Trajneri Selim Muja kishte arritur rezultate tejet të kënaqshme me nxënësit e tij të Shkollës Fillore “Selami Hallaqi”, së bashku me trajnerin Xhemajli duke u shpallur tri herë kampion të Kosovës dhe duke marrë pjesë në Kampionatin Botëror në futsall ku nga 24 shtete pjesëmarrëse ishin renditur në pozitën e 6.

Nxënësve e sportistëve, një profesor dhe një trajner çfarë ishte profesor Selim Muja që një jetë të tërë i’a kushtoi rinisë, me punën e tij profesionale që e dëshmon 5 herë ishte përzgjedhur profesori më i mirë i qytetit në Gjilan për Kulturë Fizike, do t’ju mungon por duhet të jenë krenar të gjithë ata që patën mundësi të punojnë me ish-futbollistin, profesorin e trajnerin, Selim Muja./rajonipress/