Mobi Casa

Pensionohet Hamijete Pira, infektologia e parë e Anamoravës, që punoi tërë jetën me ndërgjegje profesionale, e në shërbim të pacientëve

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Doktoresha Hamijete Hajrullahu Pira është pensionuar këtë të shtunë pas një karriere të suksesshme si infektologe në spitalin e Gjilanit. Ajo gjatë këtyre viteve shërbeu me nder, krenari, profesionalizëm, gjithnjë në shërbim të Betimit të Hipokratit. Puna e saj profesionale dhe kontributi i saj jane vlera të pamohueshme në ngritjen profesionale në shëndetësinë e Anamoravës.

Të gjithë e kanë njohur si mjeke e zellshme, e edukuar dhe gjithnjë në shërbim të pacientëve. Pas një karriere të gjatë e të bujshme të shtunën është pensionuar edhe një kuadër me vlera profesionale e akademike dr. Hamijete Pira infektologe.

Hamijete Pira ndryshe është femra e parë infektologe në rajonin e Anamoravës dhe edhe me këtë epitet ajo ka ndihmuar shumë kuadro, që sot janë pjesë e repartit të Infektives.

Ka shërbyer me shumë krenari dhe ka treguar disiplinë në punë e përgjegjësi, në punën e saj.”Jam përpjekur që në karrierën time të shërbej me nder e përgjegjësi, duke shërbyer tërë kohën për pacientët dhe për shumë raste që i kam trajtuar dhe shëruar. Për mua gjithmonë disiplina në punë, korrektësia me pacientët kanë qenë primare” shprehet Pira për rajonipress.

Po si e kujton ajo kohën e saj si studente, si mjeke dhe tani si pensioniste.

“Kemi kaluar si shoqëri nëpër situata të ndryshme dhe shpesh të pakëndshme. Ishim gjeneratë e parë ku duhej shumë punë, angazhim e djersë për të fituar dituri në Prishtinë e Beograd. I kam tejkaluar me shumë maturi e gjeturi dhe kriter në jetën time ka qenë puna, puna dhe vetëm puna. Nuk jam dorëzuar asnjëherë dhe edhe pse në moshë, kam arritur ta kryej edhe Fakultetin Juridik” shton Hamijete Pira.

Pira thotë se ka pasur një entuziazëm të paparë edhe si studente, kurse si mjeke kishte nderin që të ishte femra e parë në Anamoravë që po punonte si infektologe.

“Ta përfundosh misionin e mjekut pa asnjë problem, pa asnjë shkelje etike e mjekësore vërtet është kënaqësi dhe lumturi për mua. Kemi qen ekip i mirë dhe jemi mirëkuptuar përherë sepse synim kryesor i yni ishte shëndeti i pacientëve dhe i poullatës” shton Pira.

Tani e pensionuar, doktoresha Hamijete thotë se me shumë meritë ndodhet në këtë kategori sepse pas shumë vitesh është koha për familje e pushim.
“Sigurisht pensionimi i ka atributet e veta, por unë besoj se do të vazhdoj të punojë akoma sepse i kam dy profesione të ndryshme ku mund të japi akoma kontribut” tha Pira.

Eco Higjiena

Ndryshe dr. Hamijete Pira është lavdëruar nga të gjithë kolegët e saj të punës duke nisur nga Xhevat Demiri, Selvete Shurdhani, Enver Sylejmani të cilët kanë thënë se ishte nder dhe kënaqësi të punosh me kalibrin e Hamijete Pirajt./rajonipress/

Po kush është dr. Hamijete Pira në fushën akademike:
Hamijete Hajrullahu Pira ka lindur më 03.06.1958, në Gjilan. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu ne Gjilan, ndërsa studimet në fakultetin e Mjekësisë – Drejtimi mjekësi e Përgjithshme i filloi në vitin akademik 77-78 në Universitetin e Prishtinës .

Pas përfundimit të Fakulteti punësohet ne Shtëpinë e Shëndetit në Gjilan ku pas 3 viteve merr specializimin nga drejtimi i infektologjisë, ku në vitin 1992 përfundon specializimin në Qendrën Klinike Universitare të Beogradit dhe merr titullin specialiste e sëmundjeve infektive – Infektologe, ku e vazhdon punën në spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit në Repartin e infektologjise.

Është infektologia e parë në Rajonin e Anamoravës. Gati rreth katër dekada punoi në këtë institucion me shume pacient e ngjarje të rënda, e në veçanti ku u ballafaqua me dheniën e ndihmës gjatë helmimit të nxënësve në vitet e 90 -ta, për çka ishte ftuar disa herë në Shërbimin e Sigurimit shtetëror të atëhershëm në bisedë informative për shkak të dhënjes së ndihmës mjekësore.

Dr. Hamjete Pira ka dhënë kontribut edhe në kohën e pandemisë të njohur si Covid 19, ku për dy vite ishte në krye të detyrës në mjekimin e pacientëve të cilët kërkonin ndihmë pikërisht në këtë repart.

Ajo shkollimin e vazhdoi edhe më aftësime profesionale si brenda ashtu edhe jashtë shtetit. Ka qenë kryeshef i Departamentit Internistik në Spitalin Rajonal të Gjilanit në periudhën 2004-2008.

Diçka që konsiderohet karakteristike është se doktoresha Hamijete ka vazhduar studimet në fakultetin Juridik ku ka diplomuar para disa viteve. Është e martuar dhe ka tre fëmijë. Jeton në Gjilan.