Pensionistët, peng i mosmarrëveshjeve Kosovë – Zvicër

Mosfinalizimi i Marrëveshjes për Sigurimet Shoqërore ndërmjet Kosovës edhe Zvicrës, vazhdon të jetë pengesë e madhe për shumë të moshuar kosovarë të cilët kanë punuar për shumë vite në Zvicër, por vazhdojnë të mos i marrin pensionet. Ata që dolën në pension nga viti 2010 e këndej po u pamundësohet përfitimi i pensioneve të rregullta deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje të re, ndërmjet autoriteteve kosovare dhe helvetike.
Sipas Ambasadës së Zvicrës në Kosovë, ende është shumë herët që të flitet për një marrëveshje të re me Kosovën. “Ende është shumë herët për të dhënë një prognozë
për fillimin e negociatave për një marrëveshje të re. Prandaj ende nuk mund të japim asnjë deklaratë rreth asaj se kur do të mundë të zbatohej një marrëveshje e tillë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Zvicrës për gazetën “Zëri”.