Hidromorava

Pensionistët kosovarë ‘këmbëngulin’ për kthimin e Fondit Pensional nga Serbia

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Çështja e kthimit të Fondit Pensional të Kosovës nga Serbia, po kërkohet të jetë temë diskutimi me Serbinë, raporton “Zëri.info”.

Artan Mustafa, prezantoi në pika të shkurtra një hulumtim të realizuar me titull “Politika pensionale e Kosovës në kontekst të bisedimeve me Serbinë. Trashëgimia nga Jugosllavia dhe qëllimi për politikë bashkohore të njehësuar në territorin e vendit”.

Autori i hulumtimit përmendi disa mangësi në lidhje me çështjen që po diskutohet.

“Pensionet financohen prej taksave të konsumit. Ka mungesë të solidaritetit që buxheti financohet prej shtetit të varfër. Ka varësi nga disponimi i tregut. Pensionet kanë me qenë të varura prej disponimit të tregut. Qëllimi i shtetit është me nxit zgjidhjet individuale. Kjo temë po shtrohet edhe në bisedime me Serbinë. Ne kemi luajtur bast duke u bazuar vetëm në kursimet e obligueshme. Politika jonë pensionale duhet t’i kontribuoj barazisë, solidaritetit dhe universalitetit”, ka thënë Mustafa në prezantimin e raportit.

Në anën tjetër panelistja, Besa Baftiu e cila njëkohësisht është edhe kryetare e Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale tha se janë duke kërkuar në vazhdimësi që tema e kthimit të Fondit Pensional nga Serbia të jetë temë diskutimi në dialogun me shtetin serb.

“Kjo temë nuk ka arritur të diskutohet ende në dialogun Kosovë-Serbi. Ne si deputetë dhe komision jemi dëshmitar që dialogu ka qenë jo transparent dhe ka sjell mospajtime edhe nga ana e deputetëve për shkak se marrëveshjet që janë arritur në Bruksel janë sjell në Kuvend pasi janë nënshkruar. Në njërën nga mbledhjet e Qeverisë po përgatitet një platformë e re e bisedimeve dhe neve po na përjashton nga pjesëmarrja që edhe ne të japim kontributet tona. Kërkohet që kjo temë të jetë kyçe në bisedimet me Serbinë” ,ka shtuar kryetarja e këtij komisioni, raporton më tutje “Zëri.info”.

UBT

Bahri Xhaferi udhëheqës i departamentit të pensioneve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka përmendur disa marrëveshje të arritura me disa vende.

“Ne kemi filluar të zbatojmë marrëveshje nga Maqedonia, Mali i Zi. Me Serbinë nuk kemi shkëmbime, Serbia nuk pranon kërkesa. E kanë karakterin më shumë politik. Është barrë e madhe e buxhetit”, është shprehur Xhaferi.

Ndërkohë, më i zëshmi është treguar kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi i cili po pretendon se Serbia ka grabitur fondin pensional të kosovarëve.

“Pse pushteti i Serbisë ndërpreu pensionet e shqiptarëve duke iu grabitur Fondin Pensional. Ata na kanë grabitur Fondin. Lidhja e Pensionistëve s’ ka lënë gur pa lëkundur për kthimin e Fondit Pensional nga Serbia. Sa i pamëshirshëm dhe jo human është pushteti i Serbisë. S’ duhet të heqim dorë për kthimin e Fondit Pensional nga Serbia”, ka shprehur shqetësimin e tij mes të tjerash, përfaqësuesi i pensionistëve kosovarë.

Kjo çështje u organizua nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Komisionin parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me Statusin e Fondit Pensional të Kosovës në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi”.