Pensionistët e Gjilanit kësaj radhe e kanë seriozisht?

Gjilan – Sindikata e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të ënjtën ka organizuar protestë një orësh në qendër të qytetit duke u solidarizuar kështu me kërkesat e përgjithshme të pensionistëve të Kosovës. Muharrem Bajrami dhe Ragip Abazi thanë se gjendja e pensionistëve tashmë është e mjerueshme dhe i ka tejkaluar të gjithë kufijtë.
Pensionistët gjilanas janë tubuar të enjten për të protestuar dhe kërkuar kushte më të mira për këtë kategori.
Pensionistët të cilët marshuan nëpër qendër të qytetit me Pankartat: “Nuk duam lëmoshë, duam djersën tonë” edhe njëherë kanë bërë me dije se nuk do të heqin dorë deri në realizimin e plotë të kërkesave të tyre, raporton rajonipress.
Muharrem Bajrami kryetar i Sindikatës së Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës(SPIP) në Gjilan tha për rajonipress se kësaj radhe pensionistët e kanë përnjëmend dhe janë të vendosur. “Mjaft jemi maltretuar e torturuar. Durimit i ka ardhur fundi dhe jemi të vendosur që të shkojmë deri në fund. Një javë do të ketë protesta të përditshme dhe ne do të shkojmë edhe para zyrës së kryetarit të Komunës për të kërkuar nga ai sqarime se sa herë e ka vizituar Sindikatën e Pensionistëve. Sa është interesuar kreu i komunës për djersën e kësaj kategorie, sa herë është diskutuar në Kuvendin Komunal për pozitën e pensionistëve” etj.
Kurse Ragip Abazi në emër të Këshillit Organizativ tha se kjo protestë nuk është e luksit , por ka ardh si rezultat i neglizhencës së krijuar nga vetë institucionet tona qendrore.
Abazi tha se duam pensionin e fituar me punë e djersë 40 vjeçare sepse pensioni edhe është buka e jonë.
Abazi tha se ka 14 vite që nuk ka ligj për pensionistët derisa ne si kategori e shoqërisë jemi shndërruar në lypsa.
Abazi ka lexuar kërkesat e përgjithshme të pensionistëve që të nxirret Ligji i ngjashëm me vendet e rajonit që siguron pensionet bazë të punës dhe të kontributeve. Protestat e pensionistëve vazhdon për gjashtë ditë radhazi në të njëjtin orar nga ora 11.00 deri ora 12.00 dhe mbahet para Teatrit të Qytetit në Gjilan. /rajonipress/