Pensionistët e Gjilanit kërkojnë tretman institucional

Gjilan-Për 13 vite ishim të anashkaluar,meqë të drejtat tona po shkelen në mënyrë flagrante. Përpjekjet e sindikatave për ta realizuar të drejtën e sigurimeve pensionale e invalidore nga ana e tyre nuk kanë munguar, por ka munguar dëshira e institucioneve që ky problem të zgjidhet thotë Muharrem Bajrami.
“Pensionistët dhe invalidët e punës në Kosovë, aktualisht janë më të varfëritë në Evropë. Nuk e kemi merituar këtë poshtërim institucional sepse edhe ne ishim pjesë e kontributit të madh kombëtarë”,kështu shprehet i revoltuar Muharrem Bajrami kryetar i Sindikatës së pavarur të pensionistëve dhe invalidëve të punës në Gjilan (SPPIP).
Bajrami vazhdon të kritikojë institucionet lokale dhe ato qendrore për faktin se ato shumë pak kanë bërë që gjendja e tyre të përmirësohet dhe që problemet e tyre materiale dhe sociale të zgjidhen në vijën institucionale.
Sipas, Bajramit gjendja e pensionistëve edhe pas 13 vitesh pas luftës vazhdon të jetë e rëndë.” Për 13 vite këto institucione fare nuk u interesuan për kushtet e mjerueshme të pensionistëve. Rreth 4000 pensionistë të Gjilanit kanë mbetur nën mëshirën e askujt dhe pa përkujdesje të duhur” shprehet ai.
Sindikata e pensionistëve të Gjilanit gjatë këtyre viteve ka punuar pa asnjë cent dhe pa kushte elementare për punë. Bajrami ua tërheq vëmendjen pushtetarëve se nëse në një afat të shkurtër kohor nuk përmirësohet gjendja e pensionistëve atëherë revolta e tyre do të jetë e paparashikueshme.
Sipas tij pushteti lokal dhe ai qendror po ua shkel pensionistëve në mënyrë flagrante të drejtat e deklaratës universale të OKB-së mbi të drejtat e njeriut. “Kërkesat e pensionistëve dhe të invalidëve të luftës janë kërkesa sociale e jo politike “shprehet ai.
“S`i të mos revoltohemi kur ka shumë invalidë të luftës të cilët kanë dhënë gjymtyrët e trupit të tyre për një të ardhme me të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës e sot këta njerëz dhe kjo kategori ka mbetur pa dorën e ngrohtë të institucioneve kosovare”.
Bajrami është i bindur se fushata demagogjike e partive politike do të përfundojë kurse reagimi i pensionistëve do të shkaktojë radikalizim dhe destabilizim të situatës politike në Kosovë. “Edhe ne punuam e kontribuuam për një Kosovë të lirë e të prosperuar dhe nuk e kemi merituar këtë degradim.
Është koha e fundit që qeveritarët të zgjohen nga gjumi dhe ta mbështesin këtë shtresë e cila nuk po kërkon lëmoshë,por tretman të drejtë dhe të barabartë në shoqëri”, tha Bajrami.
“Ne asnjëherë nuk kemi kërkuar ekstra kushte, vetëm kemi kërkuar një të drejtë e cila do të duhej të ishte e garantuar me ligj”.Bajrami ka edhe kërkesa konkrete drejtuar institucioneve qendrore dhe atyre lokale .Sipas tij kjo kategori vazhdon të kërkojë kujdes shëndetësor dhe shërim pa pagesë,kompensim dhe rehabilitim shëndetësor, lirim të pensionistëve nga taksat e ndryshme në pagesat e ujësjellësit,rrymës,bërllokut,transportit, kontrollime mjekësore falas etj.
Janë mbi 200 familje skamnore të kategorive të pensionistëve dhe të invalidëve të cilët duhet të ndihmohen me ndihma materiale sepse një pjesë e kësaj kategorie jetojnë në kushte të mjerueshme dhe varfëri ekstreme.
Qemajl Mustafa thotë se respekton kontributin e pensionistëve.”Ka qindra raste sociale që kërkojnë intervenime urgjente, ndërsa pensionistëve të paktën u kemi ndihmuar edhe materialisht dhe nuk do të mungojë kjo ndihmë asnjëherë” tha Mustafa. /rajonipress/