Fundamenti

Pensionet, të paditet Serbia

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandime për kthimin e pensioneve gjatë kohës se Jugosllavisë, e që Serbia i ka grabitur më 1999. Planifikohet krijimi i një komisioni për mbledhjen e dokumentacionit për secilin pensionist dhe inicimi i rasteve në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Nga vlerësimet paraprake del se Fondi Pensional serb ua ka borxh pensionistëve kosovarë shumën deri në 5 miliardë euro.

Kthimi i pensioneve të grabitura nga Serbia gjatë kohës se Jugosllavisë për herë të parë ka marrë formë institucionale.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash kanë miratuar rekomandimet për zgjidhjen e problemit të pensioneve të grabitura nga Serbia. Njëherësh kanë inkurajuar qytetarët që kanë pensione në shtetin serb ta padisin atë në Gjykatën Evropiane dhe të kërkojnë të drejtat e tyre.

Debati parlamentar për kompensimin e pensionistëve për kontributet e dhëna deri në vitin 1999, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka zgjatur për disa orë, e që nganjëherë ka qenë mjaft i ashpër.

Deputetja e LDK-së, Teuta Sahatqija ka akuzuar ministrin e Punës dhe Mirëqenies, Nenad Rashiq, se po i udhëzon qytetarët për mosmbledhje të dokumentacioneve.

“Ministria e Punës po i udhëzon qytetarët që të mos mbledhin dokumentacionin dhe se kjo do të zgjidhet me bisedime Kosovë-Serbi. Ne mendojmë se kjo gjë mund të dëmtojë rëndë pensionistët”, ka thënë Sahatqija.

Ajo ka përmendur edhe tri raste të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë fituar në Strasburg dhe kanë marrë kompensimin e tyre.

Por, me këtë nuk është pajtuar ministri Rashiq, i cili ka insistuar që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut Kosova-Serbi.

“Nëse mendojmë se secili pensionist të merret vetë me pensionin e tij, gabojmë rëndë. Mund të mendojmë se sa zgjat vetëm shqyrtimi i një aplikacion. Zgjidhja më e mirë për këtë çështje është nëpërmjet dialogut”, ka thënë ministri Rashiq.

Por, akuzat ndaj ministrit nuk janë ndalur me kaq. Deputetja tjetër e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se ministri ka nevojë për leksion se si shkojnë punët në Gjykatën e Strasburgut.

Madje, ajo i ka thënë ministrit se është ministër në Kosovë e merr ndihmë sociale nga Serbia.

”Mos i mashtroni pensionistët. Ju buzëqeshni sepse ende merrni ndihmë sociale nga Serbia përkundër asaj që jeni ministër në Kosovë”, ka thënë Osmani.

ARKATANA

Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Shaip Muja ka qenë kundër kësaj, duke kërkuar që kjo çështje të ngrihet në aspekt institucional dhe jo individual.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se çështja e të drejtës së pensioneve është diçka e panegociueshme.

“Kur të flitet për të drejtën e pensioneve, duhet të jenë kusht negociatat dhe jo të bëhet temë negocimi me Serbinë dhe nga kjo temë të del njëfarë kompromisi”, ka theksuar Aliu.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi ka thënë se nuk janë grabitur nga një hajdut fondet pensionale, por, siç ka thënë ai, janë grabitur nga një shtet që ka bërë krime të rënda në Kosovë.

“Shteti i Kosovës ka obligim para qytetarëve që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë ligjore për të drejtën e qytetarëve. Jo vetëm pensionet, por edhe kursimet e qytetarëve janë grabitur gjithashtu. Nuk mundet kjo çështje të zgjidhet individualisht”, ka thënë Isufi.

Pas përfundimit të debatit me 73 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim janë miratuar rekomandimet.

Në mesin e rekomandimeve të miratuara kërkohet edhe formimi i Komisionit Profesional, të përbërë nga juristë me njohuri për Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky komision duhet të mbledhë dokumentacionin e nevojshëm dhe të ofrojë këshilla juridike falas për të gjithë pensionistët që kërkojnë kompensim nga Serbia për kontributet e dhëna pensionale duke iniciuar raste në Gjykatën Evropiane.

Po ashtu kërkohet që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë mos të rezultojë me mohimin e të drejtave individuale të pensionistëve për të kërkuar kompensim nga Serbia, duke shfrytëzuar të gjitha mjetet juridike e gjyqësore vendore e ndërkombëtare.

Në bazë të të dhënave që kanë dhënë deputetët e Kuvendit të Kosovës, del se kontributet pensionale të qytetarëve të Kosovës deri në luftën e 1999 janë derdhur në Fondin Pensional të Jugosllavisë, fond ky të cilin e ka trashëguar Republika e Serbisë.

Sipas deputetëve, pagesat e pensioneve për qytetarë të Kosovës janë ndërprerë në qershor të 1999 me përfundimin e luftës, ndërsa nga vlerësimet paraprake del se Fondi Pensional serb ua ka borxh pensionistëve kosovarë shumën prej 1.5 deri 5 miliardë euro.(express)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.