Mobi Casa

Penguesit e drejtësisë, nën llupën e hetuesisë

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Jasmina Tolaj mund të renditet në një listë me bashkëshortin e saj. Ajo pritet të akuzohet për përpjekje të paligjshme për ta nxjerrë nga burgu bashkëshortin Ilir Tolaj, ish-sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë. Por jo vetëm ajo. Lista e të akuzuarve mund të zgjerohet edhe me zyrtarë të tjerë që kanë qenë miq të Tolajt.

Këtij të fundit gjatë qëndrimit në burg, miqtë janë përpjekur t’i ndihmojnë për t’u liruar duke tentuar që ta manipulojnë edhe kryegjyqtarin e EULEX-it, Francesko Florit.

Se disa persona kanë tentuar që të manipulojnë në këmbim të lirimit të Tolajt, përshkruhet edhe në aktakuzën 130 faqëshe që është ngritur ndaj Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit, Arbenita Pajazitit, Nexhat Shabanit, Ismet Hysenit, Hajrullah Fejzës, Zenel Kuçit, Bekim Fushësh, Alban Thaçit, Basri Asllanit dhe Imer Ajetit.

Pos bashkëshortes së Tolajt, në aktakuzë, si persona që përmenden se kanë tentuar për të “gjetur lidhje” me qëllim që Tolaj të lirohej nga burgu, përmenden edhe Ejup Kamberi, Selim Tolaj, personi i identifikuar për prokurorinë si njeriu i Kaltrinës (Kaltrina, vajza e Ilir Tolajt), Rexhep Gara, etj.

Pos që kanë tentuar të intervenojnë përmes kryegjyqtarit, Ilir Tolaj përmes tashmë të akuzuarit tjetër Imer Ajetit ka tentuar që të ndikojnë edhe te kryeprokurorja e këtij misioni Jaroslava Novotna, e që përmes saj të ndikojnë te prokurorja e rastit Maria Bamieh, që të ndalen hetimet për këtë rast.

Tashmë kur aktakuza ndaj Tolajt e të tjerëve është ngritur dhe pritet seanca e konfirmimit të saj, EULEX nuk dëshiron të ofrojë detaje se si do të procedohet me personat konkretë që kanë tentuar të pengojnë këtë rast, por burime të gazetës bëjnë me dije se tashmë ka nisur një hetim përkitazi me këta persona dhe se shumë shpejt ata që kanë tentuar të bëjnë lirimin e Tolajt mund të jenë të ulur po ashtu në bankën e të akuzuarve.

Blerim Krasniqi, zëdhënës i EULEX-it, duke mos komentuar emrat konkretë, konfirmon se ky mision nuk do të lejojë të pengohet drejtësia në Kosovë.

“Individët që pengojnë hetimet do të hetohen, dhe nëse mblidhen prova dhe dëshmi të mjaftueshme, sigurisht që kundër tyre do të ngrihet aktakuzë. Ndërhyrja dhe pengimi i provave është një njollë në sistemin e drejtësisë dhe ata që kryejnë vepra të tilla duhet të jenë të përgatitur për pasojat”, thotë zëdhënësi Krasniqi.

E etiketuar në listën e personave që kanë tentuar të ndikojnë në rastin Tolaj, bashkëshortja e Ilir Tolajt, Jasmina, nuk dëshiron të komentojë. Ajo madje ndërpret bisedën vetëm kur kupton se është telefonuar nga ana e gazetës.

“Më falni por nuk dua që të komentoj asgjë”, ka thënë shkurt Jasmina Tolaj.

Mobi Casa

Por, Ejup Kamberi që dikur ka qenë zyrtar në Ministrinë e Bujqësisë, pranon se është takuar me gjyqtarin Francesko Florit, por mohon se ka shkuar tek ai për të intervenuar në rastin Tolaj.

“Unë merrem me hulumtime shkencore dhe kam shkuar ta intervistoj atë. Më ka interesuar rreth kaucionit dhe e kam pyetur atë si është e mundur që të paguhet kaucion e personi të mos lirohet për t’u mbrojtur në liri. Për të ilustruar më mirë pyetjen time e kam përmendur rastin e Ilir Tolajt”, sqaron Kamberi, i cili së paku për gazetën shprehet se është interesuar që të ketë drejtësi në këtë vend e jo ta pengojë atë.

“Jo për Ilir Tolajn, por as për vëllain tim nuk do të shkoja për të intervenuar. Unë Ilirin e kom njour vetëm si fytyrë publike në televizor, e Francesko Florit kah e kam njohur, nëse je e interesuar pyete atë”, ka thënë Kamberi, i bindur se nuk ka gisht në atë çka përshkruhet në aktakuzën tashmë të përfunduar nga prokurorja.

Me gjithë përpjekjet e gazetës, personat tjerë të përmendur në këtë aktakuzë, ka qenë e pamundur të kontaktohen.

Aktakuza e ngritur, ku të akuzuar janë 11 persona, saktëson se në këtë rast ka dyshime për kryerjen e veprave penale të shpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike, lidhje të kontratave të dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, kërkim ryshfeti, përpjekje për të marrë ryshfet, evazion fiskal dhe pengim të provave.

Aktakuza saktëson se Tolaj, pos që ka kryer vepra penale jashtë burgut, ai një vepër penale e ka kryer edhe nga burgu.

“Nga 12 janari 2012 e deri ditën e ngritjes së aktakuzës, Ilir Tolaj dhe Imer Ajeti dhe të tjerë kanë bërë gjithçka për të penguar të provuarit në këtë rast dhe në këtë mënyrë kanë penguar rrjedhën e drejtësisë”, thuhet në aktakuzë.

“Ata kanë dërguar disa letra zyrtarëve të EULEX-it duke përfshirë edhe letrat që i kanë dërguar zëvendësshefit të EULEX-it, shefit të misionit të EULEX-it, shefit të stafit të EULEX-it dhe individëve tjerë në zinxhirin komandues të EULEX-it. Ata i kanë pyetur këta individë për ndërprerjen e procedurës dhe largimin e prokurorit. Ky është një tentim i qartë për të ndikuar politikisht në rrjedhën e drejtësisë”, saktësohet më tej.

Përgjimi i Tolajt nga telefonatat e bëra në burg kanë zbuluar edhe emra të tjerë që kanë ndihmuar hetuesinë.

“Kjo më se shpeshti është bërë duke përdorur ndërmjetësit Ejup Kamberi, Selim Tolaj, njeriu i Kaltrinës, Rexhep Gara dhe Jasmina Tolaj. Ilir Tolaj ka grisur dokumentet për të cilat Prokuroria beson të kenë qenë dëshmi vitale. Ai ka shfrytëzuar Besnik Kenanin, drejtorin aktual të prokurimit në Ministrinë e Shëndetësisë për të shtyrë dhënien e provave prokurorit”, thuhet në dokumentin e organit të akuzës teksa përshkruhet veprimi ku është tentuar që të ndikojnë që gjyqtari Francesko Florit të ndërhyjë në rrjedhën e gjykimit.(zeri)