Penda e Përlepnicës për mashalla, arrin rekordin

Gjilan – Reshjet e pandërprera të shiut të ditëve të fundit kanë ndikuar që gjendja me ujë në Komunën e Gjilanit të stabilizohet mjaft mirë. Megjithatë drejtuesit e “Hidromoravës” thonë se uji nuk guxon të keqpërdoret sepse do të vëzhgohet situata gjatë gjithë kohës.
Tashmë penda e Përlepnicës ka arritur në nivelin rekord të mbushjes, sikurse “Guri i Hoxhës”, “Baja” dhe burimi në fshatin Velekincë.
Pavarësisht se Penda e Përlepnicës ka arritur rekordin drejtuesit e “Hidromoravës”, sërish apelojnë për kujdes gjatë përdorimit të ujit të pijshëm.
Mumin Morina drejtor teknik në “Hidromorava” i është gëzuar faktit se tani qytetarët e Gjilanit mund të furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.”Ne jemi të lumtur që e kemi këtë situata pasiqë kishim një krizë të gjatë në mungesë të ujit. Megjithatë qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe mos ta keqpërdorin ujin edhe në ditët në vijim” tha Morina për rajonipress.
Morina thotë se “Hidromorava: ka ofruar projektet konkrete edhe tek Ministrit përkatëse që realisht e nxjerrin Gjilanin nga kriza e përhershme. “Ne kemi dorëzuar projekte konkrete në Qeveri dhe besoj se vlerësimet tona dhe ekspertizat tona do të përkrahen” tha Morina.
Morina thotë se në bashkëpunim të mirë me Komunën kanë arritur që ta menaxhojnë shumë mirë thatësinë. “Gjatë javëve në vazhdim, Morina tha se do të ndërtohet një gyp me kualitete të larta i ri nga qendra e qytetit deri te rruga qarkore, duke shpresuar se me këtë do të evitohen humbjet dhe problemet shkaku i presionit të ujit” ka shtuar Morina.
Edhe udhëheqësi Task Forces, Rexhep Kadriu, ka thënë se prodhimi i ujit në të katër burimet bëhet me kapacitet të plotë dhe furnizimi me ujë të pijshëm do të bëhet pandërprerë për qytetarët e Gjilanit.
Ai ka shtuar se Task Forca do të vazhdoj punën e saj për të vënë në përdorim burimet e reja të ujit, që do të mundësonte një stabilitet të ujit të pijshëm gjatë verës, ndërsa pohoi se Komuna do të jenë në vrojtim të vazhdueshëm për ta përcjell gjendjen me ujë./rajonipress/