“PEMA” qendra e kujdesit ditor që përkujdeset për 111 fëmijët gjilanas

Gjilan – Qendra e Kujdesit Ditor me seli në Gjilan, është një qendër ditore e themeluar nga organizata “PEMA” në mars të vitit 2013. Kjo qendër ofron shërbime ditore për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe fëmijët viktima të dhunës në familje dhe mbulon grupmoshën nga 5 deri në 18 vjeç brenda komunës së Gjilanit. Edhe pse e hapur prej pak kohësh, kjo qendër ofron shërbime për rreth 111 fëmijë të kategorive të lartpërmendura, të cilët vinë në baza të rregullta javore në qendër dhe marrin shërbimet e nevojshme. Ajo është një qendër e hapur për të gjithë fëmijët e komunës së Gjilanit dhe mirëpret të gjithë ata që mund të përfitojnë nga këto shërbime thotë menaxherja ekzekutive Klevis Voqari.
Edhe pse i kanë mbushur vetëm një vit të punës që nga themelimi Qendra e Kujdesit Ditor “PEMA” është bërë e njohur, e dashur dhe e afërt për shumë familje që në ambientet e tyre familjare kanë fëmijë me aftësi të kufizuara apo edhe ata që janë viktima të dhunës.
Menaxherja ekzekutive e kësaj qendre Klevis Voqari me krenari flet për punën e qendrës gjatë kësaj periudhe një vjeçare dhe është e kënaqur që ka pasur mundësi që me stafin profesional tu shërbejë familjeve gjilanase që kanë nevojë të përhershme për këshillat dhe udhëzimet që marrin nga “PEMA”.
Voqari thotë për rajonipress se “PEMA” është themeluar në mars të vitit 2013. “Kjo qendër ofron shërbime ditore për fëmijët me aftësi të kufizuar dhe fëmijët viktima të dhunës në familje dhe mbulon grupmoshën nga 5 deri në 18 vjeç brenda komunës së Gjilanit” thotë ajo.
Kurse shërbimet që ofrohen në këtë qendër janë, aktivitete psikosociale me fëmijë, të cilat kanë si qëllim zhvillimin e aspekteve dhe aftësive bazike të kujdesit të vetes, zhvillimin e potencialeve që posedon fëmija si dhe zhvillimin e shqisave dhe koordinimin mes tyre, seanca këshillimi individuale dhe familjare me fëmijë e prindër të cilat kanë qëllim rritjen e vetëbesimit, vetëvlerësimit dhe pavarësimit, seanca fizioterapie, lojëra dhe aktivitete të ndryshme rekreative për socializim mes bashkëmoshatarëve, rritje të bashkëpunimit dhe ndërveprimit me të tjerët, ekskursione dhe aktivitete verore.
Voqari thotë se në kuadër të qendrës zhvillohen edhe takime të grupeve vetë-përkrahëse të prindërve për të siguruar më shumë përkrahje e mbështetje, për të shkëmbyer eksperienca mes tyre si dhe për të siguruar më shumë informacion rreth vështirësive që ata mund të kenë në këtë kontekst. Vizita dhe ofrim të shërbimeve në familje me qëllim që në rast të pamundësisë së frekuentimit të qendrës nga fëmijët, ata të mos përjashtohen nga marrja e shërbimeve.
Ndryshe Voqari thotë se Qendra e Kujdesit Ditor përbëhet nga një staf profesionistësh të cilët kanë përgatitjen e duhur akademike si dhe përvojë të konsiderueshme në punën me fëmijë, duke filluar nga koordinatorja e qendrës, 4 këshillues psikosocial që punojnë drejtpërdrejtë me fëmijët në kryerjen e këtyre aktiviteteve, recepcionistja dhe shoferi i cili ofron transportin e fëmijëve për ardhjen dhe largimin nga qendra.
“Në mënyrë të vazhdueshme, stafi i qendrës merr edhe trajnime adekuate nga eksperte vendor dhe ndërkombëtar, me qëllim të rritjes së vazhdueshme të kapaciteteve për të siguruar ofrimin e shërbimeve sa më cilësore dhe të qëndrueshme për këta fëmijë. Qendra e Kujdesit Ditor bashkëpunon ngushtë edhe me partnerët lokal siç janë Komuna e Gjilanit, Qendra për Punë Sociale, shkollat, Qendra e Aftësimit Profesional dhe Spitali Rajonal i Gjilanit. Në kuadër të këtij bashkëpunimi dhe kontakteve me profesionistët e tjerë që punojnë në ofrimin e shërbimeve për fëmijë, qendra siguron një qasje multidisiplinare ndaj secilit rast dhe garanton shërbime të dizajnuara për nevojat specifike të secilit fëmijë” thotë Voqari.
Ajo shton se edhe pse e hapur prej pak kohësh, Qendra e Kujdesit Ditor, ofron shërbime për rreth 111 fëmijë të kategorive të lartpërmendura, të cilët vijnë në baza të rregullta javore në qendër dhe marrin shërbimet e nevojshme. Ajo është një qendër e hapur për të gjithë fëmijët e komunës së Gjilanit dhe mirëpret të gjithë ata që mund të përfitojnë nga këto shërbime.
“PEMA” financohet nga Komisioni Evropian dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale derisa ka katër qendra në nivel të Kosovës. Qendra thotë se ndihmesa e madhe e ish kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafa ka mundësuar që kjo qendër të jetë e akomoduar edhe në një objekt që i plotëson të gjitha standardet e kërkuara./rajonipress/