PDK: Viti 2016 do të jetë vetëm thellim i hendekut pushtet-qytetarë

Gjilan – Të gjithë parametrat e qeverisjes komunale, tregojnë se qytetarët e Gjilanit do të kenë një vit edhe më të rëndë se sa vitet e kaluara. Mungesa e investimeve kapitale, rritja e papunësisë dhe e problemeve socio-ekonomike, përballje me kaosin dhe krimin urbanistik, keqmenaxhimi i buxhetit dhe korrupsioni, mungesa e mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore dhe me shumë probleme të tjera do të ballafaqohen Gjilanasit, nga kjo qeverisje e dështuar komunale, e cila nuk është e aftë për t’i zgjidhur dhe e cila nuk ka për qëllim mbrojtjen dhe realizimin e interesave qytetare, por vetëm të interesave të klasës politike thuhet në reagimin e degës së PDK-së në Gjilan.
“Të vetmin ndryshim që ne si opozitë e presim gjatë këtij viti është, thellimi i hendekut pushtet-qytetarë. Jemi të sigurtë se pushtetarët do të pasurohen, ndërsa qytetarët do të varfërohen, këtë fakt nuk mund ta mohojnë as vet pushtetarët. Sepse të gjithë parametrat ekonomik dhe mentaliteti i kësaj udhëheqje komunale, janë të orientuara në këtë drejtim”, shprehet Riad Rashiti nga dega e PDK-së.
Mirëpo, ne për asnjë moment nuk presim se do të ketë mungesë të premtimeve ndaj qytetarëve të Gjilanit, sepse për këto dy vite tashmë është dëshmuar, se kjo qeverisje komunale, është e specializuar për të blerë kohë, për të bërë premtime të parealizueshme, profesionale për të mashtruar qytetarin në secilën fushë, normalisht edhe për ta manipuluar opinionin më shifra bombastik, si në aspektin e buxhetit, investimeve dhe punësimeve.
Mungesa e vullnetit dhe e kapacitetit profesional në qeverisjen komunale si dhe njeti i klasës politike për tu pasuruar shpejtë dhe lehtë nën petkun e pushtetit, nuk lejon dhe nuk mundëson që gjatë vitit 2016, të ketë ndonjë ndryshim pozitiv në interes të qytetarëve dhe alternativë për ndryshimin e gjendjes së kaosit në Gjilan. Fatkeqësisht, qytetarët e Gjilanit duhet të presin edhe një vit për babadimrin e vitit 2017, i cili së paku do ta sjell autostradën e Anamoravës thuhet në reagimin e Degës së PDK-së./rajonipress/