PDK thërret për dialog dhe për zgjedhje të Presidentit nga radhët e saj

Kryesia e PDK-së ka thënë se do të respektojë marrëveshjen politike me partnerët e koalicionit dhe në pajtim me procedurat kushtetuese do të nominojë kandidatin për President të Republikës së Kosovës, që do të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës, sipas afateve kushtetuese.
Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt në të cilën u diskutua për zhvillimet e fundit në vend.
Në kumtesën me 9 pika, PDK, ka paraqitur angazhimet me të cilat kjo parti synon të merret në vijim, transmeton Koha.net.
Kryesia e PDK-së,sipas kumtesës, ka theksuar nevojën për normalizimin e plotë të situatës politike dhe krijimin e kushteve për funksionimin e institucioneve të vendit, në pajtim me Kushtetutën, ligjet dhe normat demokratike.
Ajo ka shprehur besimin se zgjidhja e situatës aktuale duhet të bëhet përmes dialogut politik në institucionet e Kosovës dhe i bën thirrje gjithë spektrit politik për dialog institucional ndërpartiak, pa përjashtim.
Partia që udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se do të fuqizojë partneritetin ndërkombëtar, në funksion të forcimit të shtetit, si dhe për zbatimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje më ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Udhëheqja e ngushtë PDK konsideron me prioritet të veçantë angazhimin për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, liberalizimin e vizave për qytetarët e vendit dhe proceset e integrimit euro-atlantik.
Ajo angazhohet që sa më parë të krijohen Forcat e Armatosura të Kosovës.
PDK angazhohet për implementimin e programit të Qeverisë dhe fuqizimin e partneritetit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve tanë.
Kryesia e PKD-së ka thënë se do të respektojë marrëveshjen politike me partnerët e koalicionit dhe në pajtim me procedurat kushtetuese do të nominojë kandidatin për President të Republikës së Kosovës, që do të zgjidhet në Kuvendin e Kosovës, sipas afateve kushtetuese.
PDK ka përmendur edhe protestat: “Partia Demokratike e Kosovës kundërshton aktet e dhunës të ushtruara ndaj institucioneve shtetërore dhe organeve të rendit, si dhe fton qytetarët që të distancohen nga të gjitha aktet e dhunës”, ka thënë ajo duke iu referuar protestës së të shtunës.
Në fund të kumtesës theksohet e Partia Demokratike e Kosovës do të zhvillojë aktivitete më të gjera dhe më intensive në terren me të gjitha strukturat e saj, e përkushtuar për të treguar se rruga e vetme e forcimit të sovranitetit, zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të shtetit tonë është respektimi i institucioneve legjitime, thellimi i partneritetit me SHBA-në dhe BE-në, bashkëpunimi me fqinjtë dhe shtetet e tjera demokratike të botës, si dhe integrimi i shtetit tonë në strukturat euro-atlantike.
http://koha.net/?id=27&l=93368