PDK tërhiqet nga PTK

Mungesa e numrave në Kuvendin e Kosovës, duket t’i ketë shkaktuar telashe të mëdha partisë së kryeministrit Hashim Thaçi, e cila përfundimisht ka dështuar në përpjekjet e saja që sot (e mërkurë) ta fusë në rend dite çështjen e shitjes së Post-Telekomit të Kosovës.
Një ditë pasi ishte shprehur i bindur se privatizimi i PTK-së do të futet në agjendë në seancën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës, të martën shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci është “dorëzuar” karshi këtij synimi. Për ta arsyetuar pafuqinë e koalicionit qeverisës në Kuvendin e Kosovës për ta shitur këtë kompani publike, ai ka thënë se kjo do të bëhet javën e ardhshme, përkatësisht në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit.
“Në mbledhjen e ardhshme të Kryesisë së Kuvendit do të kërkojmë që çështja e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK-së të futet në rend ditës, pasi që kjo është një çështje e papërfunduar, dhe si e tillë nuk është hedhur fare në votim javën që shkoi”, ka thënë ai për gazetën përmes telefonit.
Grabovci, ndërkaq ka ripërsëritur se koalicioni qeverisës i ka votat e mjaftueshme për ta votuar shitjen e kësaj kompanie publike. “Koalicioni i ka votat e mjaftueshme për të kaluar çdo ligj dhe çdo gjë që kërkohet, e në këtë rast edhe sitjen e PTK-së. Por, meqenëse Kryesia e Kuvendit nuk e ka vendosur këtë çështje në rend dite, atëherë ne do të kërkojmë në mbledhjen e radhës së kryesisë që të futet si pikë e rendit të ditës dhe besojmë se javën që vjen do të votohet për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Post-Telekomit të Kosovës”, ka thënë ai.
Mirëpo, vetëm një ditë më parë, vetë Grabovci ishte shprehur i sigurt se privatizimi i kësaj ndërmarrje publike do të futet në rend dite në seancën e radhës së legjislativit, e cila sipas vendimit të kryesisë është paraparë që të mbahet sot (e mërkurë). “Tash deputetët janë kthyer nga udhëtimet zyrtare dhe në seancën e radhës pavarësisht se kur do të mbahet ajo, patjetër se privatizimi i PTK-së do të hyjë në rend dite se pse është një nga pikat e mbetura të seancës së javës që shkoi”, ishte shprehur ai…(Zëri)