PDK-së po i ngutet për të amnistuar edhe Xhabir Zharkun

Kryesia e Kuvendit në një mbledhje të jashtëzakonshme, ka vendosur që pikë e parë e rendit të ditës në seancën e së enjtes të jetë Projektligji i amnistisë.
Shefi i Grupit parlamentar të “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, pohon se askush nuk ka dhënë shpjegim për urgjencën e takimit të dytë dhe se në mbledhje si rrallë ndonjëherë ka qenë një përfaqësues i Ambasadës amerikane.
Ymeri beson se Serbia po e cakton edhe agjendën e Kuvendit, e se PDK-së po i ngutet për të amnistuar midis tjerash edhe Xhabir Zharkun, transmeton KTV.
Ndërkohë, më herët Komisioni për Legjislacionin e kishte kaluar aty Projektligjin… me gjithë kundërshtimet dhe pakënaqësitë. Anëtarët e Komisionit…, kanë vlerësuar se ligji si i tillë amniston të gjithë kriminelët, duke përfshirë edhe ata që kanë bërë vrasje e krime ekonomike.
Përfaqësues të LDK-së, Haki Demolli dhe Armend Zemaj, të cilët abstenuan, kanë paralajmëruar se do të rezervojnë votat e Grupit të tyre parlamentar, nëse projektligji nuk pëson ndryshime. Ndërkohë, Ardian Gjini nga AAK-ja ka thënë se ligji më tepër është politik, se sa humanitar.