PDK: Raporti Financiar i gjashtë mujorit, rezulton me keqmenaxhim të buxhetit

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit ka miratuar raportin financiar për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Ky raport sipas opozitës (PDK) rezulton se ka pasur keqmenaxhim të buxhetit të komunës së Gjilanit.

Gjatë kësaj periudhe, sipas PDK-së kemi të bëjmë me mosrealizim të të hyrave vetanake nga planifikimi i buxhetit të komunës. Sipas Riad Rashitit, këshilltar komunal, në të gjitha drejtoritë komunale nuk ka pasur angazhim dhe efikasitet për realizimin e planifikimit të të hyrave vetanake, e ku si rezultat i kësaj për këtë gjashtë mujor, janë inkasuar 371,217.37 euro më pak se sa planifikimi buxhetor. Ku me këtë ritëm deri në fund të vitit do të ketë mbi 740 mijë euro më pak inkasim sipas planit buxhetor nga të gjitha drejtoritë komunale.

Poashtu nuk është realizuar asnjë euro, e hyrë nga Partneriteti Publiko Privat, ku për këtë vit kanë qenë të planifikuara si të hyra të përnjëhershme rreth 1.3 milion euro. Çka do të thotë, se viti 2014 pritet të përfundojë me rreth 2 milion euro mos realizim të të hyrave vetanake.

Kjo gjendje është si pasojë e modelit qeverisës të LDK-së, sepse ende pas shtatë muajsh nuk e ka kompletuar udhëheqjen e saj komunale në Gjilan.

Sa i përket shpenzimeve për këtë gjashtë mujor, sipas raportit zyrtar komunal, shihet se në total kemi rritje të shpenzimeve në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2013. Kuptohet që rritja më e madhe e shpenzimeve është bërë për paga e rritura, por kemi rritje të shpenzimeve edhe në disa kategori tjera si te ato për shpenzime komunale, mallra dhe shërbime etj.

Gjatë kësaj periudhe ka pasur keqmenaxhim të buxhetit, sidomos mosrespektim të procedurave për dhënien e tenderëve, ku në shumë raste kemi pasur të bëjmë me rritje enorme të shpenzimeve për shërbime të kontraktuara nga komuna e Gjilanit. Ka pasur rritje deri në 700% shumës së dhënies së kontratës për të njëjtin shërbim, që ka qenë e kontraktuar nga komuna edhe vitin e kaluar, bile edhe me të njëjtin operatorë ekonomik.

Forma e kontraktimit për punët dhe shërbimet komunale nga zyra e prokurimit, ka qenë njëra nga keqmenaxhimet e shpenzimit buxhetor të komunës së Gjilanit. Për këtë periudhë janë dhënë 35 tenderë, prej të cilëve 20 prej tyre, apo 57% e tenderëve janë dhënë përmes formës së kuotimit, pa procedurë të hapur, e që sigurisht ka ndikuar në rritjen e shpenzimeve nga buxheti komunal.

Edhe pse kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, nga fillimi i mandatit të tij qeverisës ka deklaruar në vazhdimësi se tani komuna e Gjilanit ka zero shpenzime, për dreka zyrtare, të telefonit, zero për shpenzime tjera. Në realitet ato nuk janë ndalur asnjëherë.
Sipas raportit financiar të këtij gjashtë mujori, vetëm për shpenzime të udhëtimit dhe mëditje jashtë vendit janë harxhuar 6,716.35 euro. Vetëm zyra e kryetarit ka shpenzuar 2,163.98, ndërsa disa herë është deklaruar se nuk ka bërë asnjë shpenzim për meditje dhe akomodim jashtë vendit. Tani janë vërtetuar të gjitha deklaratat e pavërtetat të këtij pushteti.

Mbi 7 mijë euro janë shpenzuar për vizita studimore jashtë vendit, për të cilat nuk është dhënë asnjë përgjigje, se për çfarë qëllimi dhe teme kanë qenë këto vizita, kush ka qenë përbërja e pjesëmarrësve etj.

Për telefon janë shpenzuar 3,604.38 euro si dhe është dhënë një tender tjetër Telekomit të Kosovës në vlerë prej mbi 34 mijë euro për 2 vite.

Uji Dea

Poashtu ka pasur shumë shpenzime edhe për blerjen e mobileve, kompjuterëve, pajisjeve tjera, për rroba të zyrtarëve komunal, ku ka kaluar shumën e shpenzimeve prej 36 mijë euro.

Ndërsa për zhurmën më të madhe që e ka bërë kryetari i komunës Haziri nga fillimi i qeverisjes së tij, ka qenë lidhur me shpenzimet zero për dreka zyrtare, të cilat ai thoshte se i ka komuna e Gjilanit.

Mirëpo tani sipas raportit financiar, doli krejt diçka tjetër. Sepse vetëm ai ka shpenzuar në 59 fatura në shumën prej 11,120.03 euro, apo mesatarisht mbi 125 euro për një ditë pune.
Ndërsa në total komuna e Gjilanit ka shpenzuar për dreka zyrtare 34,266.93 euro dhe për ushqim e pije 60,770.25 euro, ku në total janë bërë 95,037.18 euro shpenzime.

Mesatarisht për një ditë punë kjo qeverisje ka shpenzuar 760.29 euro.
Edhe te subvencionet kemi të bëjmë me shpenzime në vlerë prej 252,252.86 euro, ka disa dhënie të subvencioneve të paarsyetuara për destinimin e tyre. Për çfarë projekti dhe për çfarë qëllimi janë ndarë këto subvencione, disa prej tyre janë ndarë duke mos e respektuar rregulloren e Kuvendit Komunal të Gjilanit.

Investimet kapitale për këtë periudhë janë zvogëluar në krahasim me vitin e kaluar. Edhe pse qeverisja aktuale nga fillimi është ankuar se ka trashëguar borxhe të mëdha, por kjo sigurisht që nuk mund të arsyetojë aspak nivelin e ulët të projekteve të cilat po realizohen nga komuna tani.

Sepse po të kishte një angazhim më të madh për të rritur inkasimin e të hyrave vetanake, vazhdimin e projekteve përmes Partneritetit Publiko Privat, vazhdimin e bashkëpunimit me donatorët, do të kishte pasur shumë më shumë investime në projekte zhvillimore për Gjilanin.

Analiza e jonë përfundimtare si opozitë (PDK) ka konstatuar se për këtë periudhë gjashtë mujore të raportit financiar, komuna e Gjilanit ka pasur mos realizim të planifikimit të të hyrave buxhetore, rënie drastike të investimeve kapitale, mosefikasitet në punën e të gjitha institucioneve komunale, në total ka rritje të shpenzimeve, mungesë të menaxhimit të duhur të parasë publike, Zvogëlim të subvencioneve në bujqësi, stagnim të plotë të zhvillimit ekonomik, keqpërdorime dhe keqmenaxhim të tenderëve dhe ankandeve publike.

Me një fjalë, ne e vlerësojmë se qeverisja komunale e Gjilanit, është totalisht e ç’orientuar, ku LDK e papërgatitur ka filluar mandatin e saj qeverisës, ku ende nuk e ka kompletuar udhëheqjen e saj. Përveç që nuk ka as program qeverisës për komunën, LDK nuk po zbaton as strategjitë të cilat janë hartuar me profesionalizëm nga qeverisja e kaluar në bashkëpunim me donatorë të jashtëm dhe agjensione profesionale.

Për këtë periudhë, qytetarët e Gjilanit sigurisht që kanë pritur më shumë nga kjo qeverisje e cila kishte premtuar jashtëzakonisht shumë në fushatë elektorale, ndërsa deri më tani asnjë të vetmin premtim të tyre nuk e kanë realizuar. Sot zhgënjimi tek qytetarët po vërehet dukshëm, ku vetëm për disa muaj, këtë qeverisje e kanë dënuar mbi dy mijë qytetarë të cilët nuk e votuan më LDK në zgjedhjet parlamentare thuhet në reagimin e këshilltarëve të PDK-së./rajonipress/