UBT

PDK: Qeveria Kurti po thellon varfërinë, të hiqet TVSH-ja, akciza dhe të rriten pagat

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Anëtarët e PDK-së, Blerand Stavileci dhe Arben Mustafa, sot dolën në një konferencë për media për t’i bërë thirrje Qeverisë që të marrin masa për, siç thanë, krizën ekonomike në vend.

Stavileci, duke thënë se qytetarët e Kosovës po kanë shumë sfida aktualisht, e konsideroi Qeverinë e Kosovës si “të vetmen në botë që nuk po e pranon krizën dhe nuk po vepron për ta lehtësuar atë”.

“Rëndimi i firmave kosovare me vendime të paqëndrueshme arbitrare zvogëlon të hyrat për to dhe ka efekt direkt në shkurtimin e vendeve të punës dhe rritjen e papunësisë. Papunësia krijon pasiguri. Papunësia dhe pasiguria prodhojnë kriza familjare, sociale dhe psikologjike, e krizat familjare, sociale dhe psikologjike, po prodhojnë ikjen dhe po shtojnë radhët rekorde të ikjeve para ambasadave të huaja. Familjet po shkojnë drejt varfërimit, punëtorët drejt perëndimit e firmat drejt falimentimit”, tha Stavileci.

Gjithashtu, Stavileci ka thënë se krahas pandemisë dhe krizës energjetike, armiku numër një për të gjitha familjet, punëtorët dhe firmat është bërë inflacioni.

“Qeveritarët e Albin Kurtit nuk do të duhej të silleshin si sehirxhi. Qeveria nuk është spektatore, ajo duhet të jetë aktore dhe promotore e zhvillimit. E nëse këtë s’mund ta bëjë, atëherë minimalisht le të kujdeset që qytetarëve dhe familjeve t’u ndihmojë në përballje me këto kriza”.

Mobi Casa

Ndërsa, Mustafa ka thënë se e sheh me “ ritmi me të cilin po zhvillohet inflacioni në Kosovë” paraqet shqetësim shumë serioz për ekonominë e vendit, përderisa qasjen e deritanishme të Qeverisë kundrejt këtyre zhvillimeve tha se e sheh si neglizhente dhe të papërgjegjshme.

“Refuzimi për të përdorur instrumentet fiskale në dispozicion të Qeverisë, siç janë akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ka krijuar kushtet që inflacioni të përshpejtojë ritmin e rritjes. Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe zhvlerësimin e valutës euro ndaj dollarit amerikan, sugjerojnë se kriza e inflacionit vetëm sa do të shkojë duke u përkeqësuar”, tha Mustafa.

“Tendenca për të adresuar problemin e inflacionit përmes kontrollit të marzhave të profitit është një politikë e gabuar dhe e pa matur për disa arsye: Së pari, para se të mendohet për kontrollin e marzhave të profitit, Qeveria duhet të ofrojë evidencë të bazuar në analiza profesionale që vërteton se rritja e çmimeve të produkteve esenciale në Kosovë po ndodhë për shkak të abuzimit me marzhat e profitit dhe jo për shkak të zhvillimeve të tregut. Së dyti, kontrolli i marzhave të profitit, që në një mënyrë paraqet edhe kontroll të çmimit, cenon funksionimin e ekonomisë së lirë të tregut, pengon konkurrencën dhe mund të prodhojë probleme shtesë për ekonominë e vendit. Së treti, disponimi i Qeverisë aktuale për të interferuar në çmimet e sektorit privat, në vend se të përdorë instrumentet e politikave ekonomike në dispozicion, rrezikon lirinë ekonomike dhe krijon pasiguri për të ardhmen e ekonomisë së lirë të tregut në Kosovë. Së katërti, përvojat ndërkombëtare tregojnë se politikat e kontrollit të çmimeve në të kaluarën janë dëshmuar si jo të suksesshme në luftën kundër inflacionit”, ka thënë Mustafa.

Mustafa dha edhe disa rekomandime për Qeverinë.

“Është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që të bëhet lirimi nga TVSH-ja e mallrave esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar dhe të largohet akciza dhe të zbritet TVSH-ja në produktet e naftës, po ashtu për një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë ai.